PAS 28 DITËSH NË NGUJIM LETËR DËRGUAR PJETËR ARBNORIT NË AMSHIM!
Nga Mal Berisha-
I dashtun dhe i nderuem i ndjeri Pjeter ARBNORI!
Prej mëse një muaj gjendem në një ngujim të imponuar nga një armik që e paska emrin COVID 19. Ne nuk e quajmë këtë as ngujim as burgim, por kuarantinë. Nuk jemi ngujuar se jemi në gjak, as ndonjë akuzë për krim nuk është ngritur kundër nesh. Jemi denuar me ngujim pa pretencë prokurori dhe pa verdikt gjykatësi.
Ishim mësuar me dalë, me ecë, me taku familjarë, miq e shokë e të afërm, me ndjekë shfaqje teatri, koncerte, takime me intelektualë, promovime librash e sa e sa aktivitete tjera. E tash që nuk dalim dot na duket se ka ardhë fundi i botës. Zgjohemi në mëngjes dhe i themi vetes:
“O zot ishallah jemi në andërr!”
Por jo menjëherë kuptojmë që jo vetëm që nuk jemi në andërr, por janë mëse 2.5 miljardë njerëz të botës të ngujuar njësoj si ne. Qenkan ditë të vështira! Thuhet se shumëkush nuk po e duron dot këtë ngujim të paprovuar ndonjëherë prandaj edhe reagimet janë nga më të ndryshmet.
Edhe unë e pata atë ndjenjë padurimi deri në ditën e 28–të të ngujimit.
Atë ditë, ndërsa po rishikoja një libër që kam shpresë të arrij ta botoj kur të dal që këtej, gjeta fashikullin e kujtimeve të mia në takimet me ty Pjetër Arbnori! Menjëherë kërceva nga një ndjenjë lehtësimi shumë e fuqishme:
Numri 28 mu gjet si një varkë shpëtimi në mes të furtunës. Ishin 28 ditë ngujim dhe vendosa t’i krahasoja me 28 vitet e burgut tënd dhe mendova: Kur Mandela shqiptar Pjetër Arbnori i mbijetoi 28 vjetëve ose 10300 ditëve në burgimin më të egër që bota moderne ka parë, unë pse jo?!
Mu kujtua se sa herë vije në Stamboll, mi dhuroje librat me autograf, madje më tregoje edhe historinë sesi i kishe shkruar. Për njërin prej tyre, me afro një mijë faqe, më pate thënë se e kishe shkruar në copat e letrave të cigareve të duhanit dhe i ruajte deri sa dole që andej. E unë tash që mundohem me hedhe ndonjë fjalë në letër, edhe pse i ngujuem, kam luksin t’i shkruaj në letra format të bardha A4, madje pasi i shkruaj një herë në kompjutër dhe i printoj me kujdes.
Më pas u lehtësova nga vuajtja e ngujimit kur mendova se veç të tjerash, falë punës edhe veprës tande jam i lirë që të shkruaj çfarë të dua dhe i vetmi “polic” që më thotë se nuk ban kjo ose ajo, kur nuk i pëlqejnë, është zonja ime. Ndërsa ti e kishe policin tek dera e qelisë. Një herë bash pse i shkrove ato letra ta zgjatën denimin edhe me dhjetë vjetë të tjera, e kjo do mund të ndodhte sa herë të lexonin ato që shkruaje ti, deri kur të mos mund të shkruaje më…
Më bëhet më i lehtë ngujimi se herë Erzeni e Lori na sjellin ushqimet tek dera e na thonë: Frutat e perimet i keni të freskëta. Tani, unë nuk merakosem aq shume se e krahasoj 28–tën tande (të shumëzuar me 365) me 28–tën time dhe e imagjinoj se çfarë ushqimi keni ngrënë ju në tërë ato vite në ato qeli të tmerrshme të diktaturës.
Nga ana tjetër, tash sa herë e hap televizorin dhe shoh lajmet mendoj se çfarë lajmesh dëgjoje Ti me bashkëvuajtësit Tuaj në atë kohë. Altoparlantët hinkë metalike iu çirrnin jo vetëm veshët por iu lëndonin edhe shpirtin kur ty patriotin e demokratin, pishtarin e lirisë e quanin “Armik i Popullit.”
Që prej ditës së 28–të të ngujimit kam vendosur të mos merzitem më!
I dashtun zotni i ndjerë, ARBNORI!
Ne nuk ta dinim mbiemrin e bukur që kishe atje në galeritë e burgjet e diktaturës, por në një farë mënyre, heshturazi, e ndjenim se dikush “anonimë” vuante atje, në Burrel, Spaç apo gjetkë që një ditë do të na frymëzonte. Ju ishit diku atje, për 28 vjet në pritje që një ditë të dilje dhe të jepje shëmbullin, të na trimëroje dhe bashkë me disidentët e demokratët të na ndihmonit që edhe neve të dilnim nga ngujimi i plotë 46-vjeçar i shkaktuar prej atij Virusi, që nuk ishte i vogël si ky COVID 19, por i dukshëm, me tanke, me makina ushtarake, autoblinda, bunkierë, me tirada e parada, njësoj të dëmshëm, të cilave ti, shëndetpakti i bëre ballë me kurrajo e trimëri.
Faleminderit që edhe sot atje, ku je në amshim na shton durimin për të përballuar ngujimin si një e keqe fort e vogël krahasuar me atë që përjetuat Ju.
Prandaj, çdo e keqe e ka një fund dhe ne: Do t’ja Dalim!