Paskali: Nuk do të tolerojmë askënd që dëmton hapësirat e përbashkëta!
Bashkia e Tiranës u kërkon të gjithë personave dhe bizneseve që ndotin dhe zaptojnë hapësirat e publike që të zmbrapsen, sepse në të kundsërt do të gjobiten sipas paketës së 7 masave që u publikua ditët e fundit. Pas inspektimit të punës për lirimin e hapësirave publike në zonën e ish Bllokut, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, deklaroi se aksioni në njësinë nr. 5 do të vijojë pa ndërprerje dhe nuk do të ketë tolerime.
“Në emër të Bashkisë së Tiranës, u drejtohem të gjithë shkelësve të ligjit: Zmbrapsuni, sepse ne nuk do të tolerojmë askënd që dëmton hapësirat e përbashkëta! Qytetarët e Tiranës nuk kanë pse të paguajnë dhe të vuajnë pasojat e qytetarëve apo bizneseve që duan të përfitojnë në mënyrë të pandershme, duke pushtuar hapësirat e përbashkëta”, u shpreh Paskali për median. Sipas saj, Bashkia e Tiranës është e vendosur në vijimin e aksionit, me qëllim kthimin e të gjitha hapësirave të gjelbra publike apo që janë zënë në mënyrë të paligjshme.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës njoftoi se Policia Bashkiake dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, paralelisht me vijimin e aksionit, po vendosin gjoba për të gjithë ata që zaptojnë ose ndotin hapësirat publike. “Në rreth një javë të këtij aksioni, Policia Bashkiake dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit kanë vendosur 173 gjoba për të gjitha bizneset apo individët që kanë pushtuar hapësirat apo që kanë kryer ndërtime të tjera të paligjshme”, deklaroi Paskali. Gjithashtu, ajo theksoi se edhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur për prishjen e 23 objekteve të paligjshme në Tiranë, të cilat dëmtojnë dhe zënë hapësirat publike.
Interesimit të mediave nëse ka pasur kundërshtime nga ana e qytetarëve apo bizneseve, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali iu përgjigj: “Deri tani kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, edhe me bizneset. Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se këto janë shkelje, nuk është se dikujt po i hiqet apo po i çmontohet diçka në mënyrë të padrejtë. Janë pushtime të paligjshme të hapësirave publike”.
Aksioni i Bashkisë së Tiranës për lirimin e hapësirave publike ditën e sotme është përqendruar në rrugën “Ibrahim Rugova”.