PD: Çfarë do të bëhet me nxënësit e 106 shkollave të shembura pas tërmetit?

Partia Demokratike, nëpërmjet Ndriçim Mehmetit, ka theksuar se qeveria ende nuk ka përgjigje se çfarë do të bëhet me nxënësit e shkollave të shembura pas tërmetit të nëntorit. ”Ministria e Arsimit nuk ka nxjerrë asnjë udhëzim, përveç datës së fillimit të vitit të ri shkollor, për mënyrën sesi do të fillojë mësimi, online, në klasë në kushte e distancimit fizik, i alternuar? Gjithë kësaj paqartësie i shtohet fakti se sipas deklarimit të qeverisë, kemi 106 shkolla të rrënuara plotësisht dhe ende asnjë shkollë të përfunduar”.

Pjesë nga deklarata

Kryeministri në ikje Edi Rama zgjodhi sërish plazhin përpara 640 mijë nxënësve dhe studentëve. Ai vazhdon të heshtë, nëse qeveria ka ndonjë plan për hapjen apo jo të shkollave në shtator. Reagimi i ministres së tij të Arsimit ishte anemik. Na tha se nuk kanë asnjë plan dhe nuk kanë ndërmend të bëjnë diçka konkrete. Njësoj si për pandeminë, edhe plani për shkollat është imagjinar.

Ministrja nuk na tha sesi do të bëhet mësimi online, do të bëhet në klasë apo i alternuar. Nuk na tha masat për secilën alternativë. Me pak fjalë, ajo që mësuam se gjithçka do të improvizohet në minutën e fundit. Kanë ftuar me sms mësuesit të kthehen në shkollë dhe të përgatisin mjediset për fillimin e vitit të ri shkollor, por askush nuk di asgjë çfarë do të bëhet.

Ministria e Arsimit nuk ka nxjerrë asnjë udhëzim, përveç datës së fillimit të vitit të ri shkollor, për mënyrën sesi do të fillojë mësimi, online, në klasë në kushte e distancimit fizik, i alternuar? Gjithë kësaj paqartësie i shtohet fakti se sipas deklarimit të qeverisë, kemi 106 shkolla të rrënuara plotësisht dhe ende asnjë shkollë të përfunduar. Gjendja është edhe më shqetësuese po të kemi në konsideratë faktin, se shkollat e rrënuara ndodhen në qendrat më të mëdha urbane, aty ku edhe numri i nxënësve është më i madh.

Në Tiranë, Durrës, Vorë edhe më parë numri i nxënësve në klasë i kalonte shifrat e 38-40 nxënës. Po tani, si do të operojë MInistria e Arsimit me nxënësit e shkollave që nuk janë të gatshme për t’u hapur? Sipas një llogarie të thjeshtë janë më shumë se 8 mijë nxënës që mësonin në shkollat e shkatërruara nga tërmeti. Me pandeminë, situata është rënduar edhe më shumë, për shkak se qeveria nuk ndërtoi asnjë shkollë të re. Gjithashtu, PD i rikujton publikut dhe organeve të drejtësisë se rrënimi i shkollave nuk ishte vetëm pasojë e tërmetit, por edhe e aferave korruptive të qeverisë dhe pushtetit lokal.

SHKARKO APP