PD drejt Parlamentit, por edhe me protesta

Zgjedhjet e 25 prillit që nxorën fitues Edi Ramën, nuk pranohen nga PD dhe LSI-ja, por në Parlament do të hyjnë. Me fillimin e sezonit të ri Parlamentar, pritet që të ketë zhvillime. Sinjalet i dhanë dy akademikët e listës së Lezhës Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët i kërkuan Lulzim Bashës që të ndërthurë aksionin brenda dhe jashtë dyerve të Parlamentit me protesta.

”Në mënyrë që këto të jenë vërtet të kombinuara, të jenë bindëse, mendoj se shumë shpejt demokratët dhe qytetarët do të jenë kudo për tu përballur me këtë hajdutëri të pazakontë të vjedhjeve në Shqipëri. Ne nuk do ta lëmë bosh Parlamentin, ne duhet të mbrojmë pozicionet tona. Duhet të mbrojmë përfaqësimin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptare, madje dhe të asaj pjese që iu ble dhe iu trukua vota. Por, sigurisht këto zgjedhje nuk do të njihen nuk do pranohen, por Parlamenti nuk do të jetë bosh”,-thotë Gjekmarkaj për ”Top Channel”.

Agron Gjekmarkaj mbetet një zë i fortë dhe i besueshëm brenda PD-së. Ai nuk sheh vend për dorëheqje të lidershipit, për sa kohë humbja sipas tij e kishte shkakun përtej gardhit të selisë blu.

”Këto zgjedhje nuk janë fituar, se janë vjedhur. A ka vend për reflektim? Sigurisht ne kemi pritur fitore dhe për arsye teknike, saktë inxhinjerike, fitorja nuk erdhi dhe vend për reflektim ka, tek Zoti Basha tek unë, tek të gjithë. Por nuk mendoj se lidershipi i z.Basha vihet në diskutim. Tani nuk është koha të krijojme probleme artificiale dhe të spostojmë vëmendjen. Sepse kryeministri është i interesuar që debati të zhvillohet tek Partia Demokratike”,-tha deputeti i ri i PD-së.

SHKARKO APP