PD fyen Erion Braçen: Je bërë uturak i Ramës

Reagimi i parë kundër deklaratës së bërë nga Doris Pack në krah të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Bruksel, ka mbërritur nga deputeti socialist, Erjon Braçe.

Eurodeputetja gjermane foli për deputetë e zyrtarë të inkriminuar. Në përgjigje të kësaj, Braçe i thotë se njëri prej personave zyrtarisht nën hetim është pikërisht Lulzim Basha.

“Meqë fole për pushtetarë të akuzuar, ndoshta edhe të dënuar, por ndoshta edhe jo të dënuar, por kriminelë me Ramën, më lejo të të them: Çuni, të cilit i dole për zot sot, tamam ai Lulzimi i krehur e vajisur, është i akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Republikës. I pagjykuar për shkak se ishte me raport mjekësor deri ditën që rimori imunitetin, por me siguri keqbërës dhe me çështje të pambyllur! E dinë të gjithë këtë, përveç teje!”, shkruan ndër të tjera Braçe.

Ndërkohë PD është përgjigjur me një reagim të ashpër, duke e quajtur Braçen një uturak të Edi Ramës.

“Erion Braçe pranoi sot të bëhet uturaku i Edi Ramës për të sulmuar zonjën e nderuar Doris Pack. Erion Braçe, ky kanal i zakonshëm i ujërave të zeza u trazua sot nga deklaratat fisnike të zonjës Pack që ishin në favor të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane. Zonja Pack denoncoi kriminalizimin e pushtetit dhe lidhjet e tij me personat me precedentë penal, foli për fakte të njohura botërisht, duke i bërë shërbim demokracisë dhe vendit. Por nuk kanë si t’i pëlqejnë të tilla qendrime madhore një tartabiqi politik, që është zëdhënës zyrtar i një prej bandave më famëkeqe, si ajo e Lushnjës. Qendrimet kundër krimit në pushtet prishin rehatinë e braçeve e pusetave të tjera të mazhorances, por janë qendrime në krah të Shqipërisë e shqiptareve, në krah të endrrës tonë të përbashkët europiane,” thuhet në deklaratën e PD.

SHKARKO APP