PD me skenar? Ulqinaku: Basha s’ka nevojë “t’i rriten aksionet”, opozitë ballore

Placeholder Image

Flet për “Koha Jonë”, deputetja më e re e PD-së. Izmira Ulqinaku: Politikanet femra i kanë ndryshuar fytyrën politikës

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Ndërtimi dhe vizioni janë elementet bazë të arkitekturës dhe politika mbi këto elemente ngrihet, ose duhet të ngrihet, ndërtim dhe vizion”. Kështu e sheh Izmira Ulqinaku, deputetja e re e PD-së, rrugën e saj në politikë. Në një rrëfim për “Koha Jonë”, deputetja e Shkodrës, zbulon më shumë për situatën në PD, apo dhe në parlament, aty ku shkelet edukata. “Vëmendja fokusohet tek një debat, apo batuta që ndodhin në seancën plenare, por puna më e madhe dhe më serioze bëhet në komisione ku ligjet shqyrtohen më me imtësi”. E për ngujimin të enjten e shkuar në kuvend, deputetja e PD-së, mohon të ketë qenë skenar pro Bashës. “Situata në PD nuk është “fushë me lule”, por nuk besoj se Basha ka nevojë “t’i rriten aksionet””. Deputetja e re flet për një opozitë të fortë dhe ballore, ku nuk mohon as një bashkim të opozitës, PD-LSI.

Çfarë ndodhi në seancën e fundi? Ishte bojkodi një formë e z.Basha për ti treguar kritikëve se ai është lider në grup? Apo ishte një skenar i Kryeministrit Rama për ti rritur kuotat në selinë blu përballë grupit AntiBasha?

Më shumë se asgjë, seanca e fundit nuk tregoi gjë tjetër përveçse kjo mazhorancë ka frikë nga fjala. Po ta kujtoni që në fillim të seancës grupi parlamentar i PD-së në dritën edhe të raportit të OSBE/ ODIHR-it, kërkoi të bëhet diskutim mbi atë çfarë ndodhi me të vërtetë me zgjedhjet, sesi është e mundur të kemi një qeveri të tillë që fiton zgjedhjet, megjithëse më shumë se gjysma e popullatës dëshiron të braktis vendin, ndërkohë këta s’duan diskutim, pasi tremben nga perballja. Pastaj, çështja se a ka nevojë z. Basha për ndihmë, për t’i treguar të tjerëve se është lider, personalisht, kjo më duket e pakuptimtë. Situata në PD nuk është “fushë me lule”, por nuk besoj se Basha ka nevojë “t’i rriten aksionet”, ai është kryetari de facto e de jure i demokratëve. Zakonisht nuk i kam besuar asnjëherë teoritë me komplote e konspiracione.

Fjalimi juaj i parë në kuvend nisi me përplasjen me z.Ruçi. Por, kur edhe nga PD-ja votuan pro kryetarit të kuvendit, nuk besoni se debati mbi këtë çështje është shteruar?

Mendoj se debati mbi këtë çështje do të jetë i hapur derisa z.Ruçi të jetë në krye të Kuvendit. PD-ja e ka dënuar ashpër aktin. Përkundrazi, trafikimi i votave tregon se çfarë rreziku vazhdon të jetë për demokracinë shqiptare. Zgjedhja në krye të parlamentit shqiptar e një figure si ajo e Gramoz Ruçit, është për mua shfaqja më e neveritshme dhe më e qartë sesi kjo mazhorancë ndihet si pasardhëse e drejtpërdrejtë, jo vetëm si bijtë e etërve, por edhe në mendësinë komuniste. Zgjedhja e z.Ruçi, ka qenë dhe mbetet përsa kohë që ai të jetë në krye të parlamentit, një fyerje për qindra mijra shqiptarët që kanë qenë viktima të luftës së klasave, dhe të gjithë atyre që luftuan për përmbysjen e diktaturës hoxhiste në Shqipëri.

LSI flet për një front opozitar. Është kjo një thirrje për bashkimin e opozitës në reagim të përbashkët ndaj qeverisë?

PD-ja është forca e parë opozitare në parlament. Grupi parlamentar i PD-së po bën dhe do vazhdojë të bëjë një opozitë frontale përballë kësaj mazhorance të lidhur ngushtë me krimin e drogën. Nuk mendoj se është e nevojshme të ketë thirrje për bashkim, pasi secili grup parlamentar opozitar, nëse bën opozitë të vërtetë, në çdo kauzë, kur cënohet mirëqenia dhe siguria e jetesës së shqiptarëve, atëherë, vetvetiu mund të ndodhë bashkimi në një reagim të përbashkët.

Edhe pse flitet për barazi gjinore, mandatin e deputetit edhe këtë herë me një diferencë të madhe e kanë sërisht meshkujt. Si e shihni prezencën tuaj në një kuvend me dominim mashkullor?

Për fat të mirë, vitet e fundit situata në politikën shqiptare ka ndryshuar dukshëm. Është e vërtetë që ka një dominim mashkullor në numër, por jo dominim në diskutime mbi çështjet në parlament. Sipas statistikave të Institutit të Studimeve Politike, në vitin e fundit, në përqindje gratë kanë mbajtur 4 herë më shumë fjalime sesa burrat. Kjo tregon qartë impenjimin serioz të deputeteve. Pa përmendur një sërë emragrash të respektuara që  jo vetëm që kanë bërë politikë, por edhe kanë ndryshuar ligje dhe bërë amendamente. Mjafton të kujtojmë se në legjislaturën e fundit deputetet femra kanë dhënë një shembull të jashtëzakonshëm për politikën shqiptare, duke krijuar një aleancë mbi partiake.

PD-ja u gjobit nga KQZ për mosrespektimin e ligjit për barazinë gjinore në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit. Është një tjetër tregues, se ende politika nuk beson te një deputete femër?

PD-ja, pavarsisht ligjit për barazinë gjinore, ka treguar që beson te gratë dhe vajzat politikane, pasi në shumë qarqe të vendit janë ato që kryesojnë listën. Sesa beson PD tek politikanet femra, Qarku dhe Bashkia e Shkodrës janë shembulli më i qartë, pasi në krye të këtyre dy institucioneve, janë dy zonja të nderuara. Mendoj se PD, nuk ka përfshirë aq gra sa kërkohej në disa lista, jo për çështje politike mashkullore, pasi për ne, barazia gjinore nuk është çështje numrash.

Parlamenti shqiptar nuk është i qetë. Seancat me gjuhë të ashpër, ofendime, sharje, fyerje personale nuk mungojnë asnjëherë. Si do e pozicioni veten në një ambient të tillë?

Tani që jam vetë në parlament, e shoh se parlamenti është më ndryshe se opinion i përgjithshëm që është krijuar për të. Padyshim që ka pasur edhe situata të pakëndshme, si rrjedhojë e acarimeve, por nuk janë ato dominueset. Kam përshtypjen se kjo ndodh ngaqë e gjithë vëmendja fokusohet tek një debat, apo batuta që ndodhin në seancën plenare, por puna më e madhe dhe më serioze bëhet në komisione ku ligjet shqyrtohen më me imtësi, ku bashkëpunimi, por edhe etika nuk mungon. Gjithësesi, besoj se asnjë situatë a person në parlament nuk mund të të detyrojë të dalësh jashtë parametrave të etikës qytetare, integritetit dhe formimit tënd.

Si një deputete e re, si e keni ideuar imazhinpolitik? Nga arkitekte, në zëdhënëse e PD-së në Shkodër e sot deputete, si kanë ndikuar këto lëvizje në aspektin profesional dhe personal?

Për mua arkitektura dhe politika ecin paralelisht. Janë dy dashuri që s’mund t’i ndaj. E përbashkëta e tyre është planvendosja. Si qëndron objekti në zonë është ekuivalente me atë sesi politika duhet të përshtatet me qytetarët e vendit. Ndërtimi dhe vizioni janë elementet bazë të arkitekturës dhe politika mbi këto elemente ngrihet, ose duhet të ngrihet, ndërtim dhe vizion. Ndërsa të qenurit zëdhënëse më ka ndihmuar shumë, pasi ka qenë një lloj shkolle politike për mua.

I keni dëgjuar spekullimet, qofshin edhe ato zëra të fortë në PD-së, se në grupin parlamentar ka deputetë që kanë paguar për të qenë pjesë e listës. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Besoj se nuk ka asnjë të vërtetë në këtë mes. Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjesha me një pyetje: pse duhet të paguante një prej deputetëve të sotëm të PD-së për tu zgjedhur në këtë parlament. Do t’ju ftoja të shihnit grupin e deputetëve të PD-së, njerëz me integritet, të papërlyer, ndryshe nga ç’mund të ketë nga krahu tjetër. S’mund të gjej shpjegim tjetër, përveçse kritika dashakeqe për PD-në.

Nga kolegët tuaj kemi dëgjuar se propozimi dhe vendi në listën për kandidatë e mësuan në media, por për Izmirën si erdhi propozimi?

Kandidimi si proces nuk ka qenë i beftë dhe i papritur. Për të gjithë ata që janë në listë, pavarësisht komenteve që e pasuan, të gjithë kanë qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputet të bëra nga strukturat dhe forumet e partisë  në Shkodër. Kanë qenë grupseksionet  dhe kryesia e degës së Shkodrës ajo që ka propozuar emrin tim për të qenë si kandidate e mundshme, bashkë me një sërë emrash të tjerë, që normalisht mund të ishin ashtu si unë pjesë e listës përfundimtare. Ka qenë një proces goxha i gjatë. Të gjithë ne që kemi pasur emrin në listën prej afro 60 emrash, kemi qenë të gatshëm për të përfaqësuar PD-në në zgjedhjet e qershorit. Askujt nuk i është vënë aty emri pa dijeni, ose pa dëshirën e tij. Përkundrazi, besoj se të gjithë kemi shpresuar të jemi pjesë e asaj liste. Renditja është çështje tjetër, besoj se në një lloj mënyre jam favorizuar nga formula e listave, sipas kodit zgjedhor që aplikohet në këto legjislaturat e fundit, ku dhe kriteri gjinor ka qenë përcaktues.

Tashmë që kanë kaluar 3 muaj nga zgjedhjet, pati PD-ja në humbje të thellë në Shkodër nga moskandimi i znj.Jozefina Topalli? E keni ndjerë revoltën e demokratëve të Shkodrës për mungesën e Topallit në listën e PD-së?

PD-ja në Qarkun Shkodër është forcë e parë. E theksoj, PD në Shkodër mbetet forca e parë politike, pra nuk bëhet fjalë për një humbje të thellë. PD, mori pesë deputetë, po aq sa katër vite më parë. Normalisht që për ne ka ngjyrën e humbjes, sepse e njohim vokacionin e elektoratit të këtij qarku, dhe kjo do një analizë të gjerë dhe të hollësishme. Nuk arritëm të gjenim një mekanizëm për të ndaluar shitblerjen e votës, ky është problemi për mua. Nuk besoj se votuesi demokrat në Shkodër të jetë i lidhur me emra të veçantë. Mjafton të kujtojmë se PD-ja vazhdimisht ka pasur ndryshime të mëdha në listat e deputetëve, apo emrat e kryetarëve të bashkisë, në Shkodër (besoj se më shumë se kudo tjetër)dhe ka fituar gjithmonë.

Grupi parlamentar i PD-së ka shumë emra të rinjsh. Si ndiheni në këtë grup dhe çfarë risi mund të sjellë në aspektin politik, ky grup me ligjvënës të rinj?

Në grupin parlamentar ndihem mjaft mirë. Ka një frymë pozitive dhe jemi të gjithë në të njëjtën linjë, për një opozitë të fortë dhe ballore. Jam e bindur që ne si ligjvënës të rinj do të sjellim risi në aspektin politik, por këtë le t’ia lëmë kohës. Një ndër gjërat më të dobishme në një demokraci është ndryshimi i elitave, besoj se do të ketë parlamenti dhe politika më shumë frymëmarrje.

Cila është politikania femër që ju frymëzon? Kë keni parë si shembull në PD?

Mos ma merrni për oportunizëm, por do të thosha se të gjitha politikanet femra kanë sjellë një kontribut të madh në politikën shqiptare, madje mendoj se i kanë ndryshuar fytyrën asaj. Nuk dua të veçoj ndonjërën pasi ka shumë, dhe jo vetëm tek PD-ja, por edhe tek forcat e tjera politike, por dua te theksoj se forca dhe risia që ato sjellin në politikë, janë të pakrahasueshme me burrat. Këtu duhet pasur parasysh edhe sakrificat e shumta të tyre, duke qenë njëkohësisht bashkëshorte, nëna, dhe gra të arrira në politikë, realisht janë për tu vlerësuar.

SHKARKO APP