PD: Në Kavajë po importohen 40-50 zgjedhës në muaj në shërbim të PS
Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër skemë kriminale, përmes të cilës sipas saj po tentohet të manipulohen zbgjedhjet e 21 qershorit.
Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, Eduard Halimi, në një dalje për mediat akuzoi kryetarin e Bashkisë së Kavajës se po importon zgjedhës fiktiv.
Halimi tha se dega e PD-së Kavajë ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit kallzimin penal ndaj të gjithë autorëve, bashkëpunëtorëve, organizatorëve dhe urdhëruesve të kësaj skeme kriminale.
Halimi: “Jam sot këtu në emër të Partisë Demokratike për të bërë publike para qytetarëve, gjetjet e auditit të KQZ-së, ku me prova, fakte e grupfakte provohet ekzistenca e një skeme kriminale të blerjes së votave në Bashkinë e Kavajës, me fenomenin i importimit të zgjedhësve, me qëllimin e vetëm të manipulimit të vullnetit të lirë të zgjedhësve dhe manipulimin e rezultatit zgjedhor të 21 qershorit.
Sipas statistikave zyrtare të Zyrës së Gjendjes Civile rezulton e provuar se në qytetin e Kavajës vijnë jo më shumë se 30-50 persona në muaj të cilët transferohen në Kavajë për të banuar rregullisht me kontrata shitje apo akte pronësie. Ky trend normal paraqitet edhe nga 1 janari deri në 27 prill, pra në katër muaj ku janë shtuar në lista 175 persona”.
Halimi deklaroi se 40-50 transferime fiktive kryhen çdo muaj. Sipas tij, rezulton e provuar me fakte të pakundërshtueshme se çdo ditë kryetari në ikje i Bashkisë Kavajë ka firmosur personalisht për importimin e të paktën 60 votuesve me qëllimin kriminal për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit.
Halimi: “Nga 40 transferime në muaj, për 12 ditë janë shtuar edhe 595 të tjerë. Të gjithë këta 595 votues kanë ardhur në Kavajë brenda 12 ditëve nëpërmjet 194 kontrata fiktive, identike si kjo këtu, që shihni në ekran.Të 194 kontratat janë hartuar e nënshkruar personalisht nga Kryetari aktual dhe kandidati për zgjedhjet e 21 qershorit, Elvis Rroshi brenda 12 ditëve ku i jep në huapërdorje pronën e bashkisë 595 votuesve për të banuar vetëm 3 muaj pa shpërblim, nga data 24 prill deri në 24 korrik. Pra, për të banuar vetëm për qëllim të votimit pro tij në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit.
Kjo këtu që shihni është njëra nga 194 kontratat identike të firmosura nga Elvis Rroshi. Shihni pak kohën 3 muaj në faqen 2 dhe qëllimin: 194 familje me 4-5 persona sipas këtyre kontratave kanë lënë shtëpitë e tyre në Tiranë, Rrogozhinë, Lekaj, Kryevidh dhe kanë shkuar të jetojnë sipas Elvis Rroshit në sip. 15m deri 20 m2 në këtë ambient këtu në foto që quhet ish- Fabrika e letrës Kavajë!!!! Të gjithë këta 595 votues brenda javës kanë marrë vendim për të shkuar për të jetuar këtu!! Shiheni pak dhe ju ftoj të gjithë mediave të shkojnë të bëjnë çdo verifikim që në këtë minutë nëse ndonjëri nga 595 votuesit janë aty”.
KOHA JONË SONDAZH

