PD në qeverinë “Rama 2”, Shehu: Kryeministri do ta “katranosi” vendin, kritikët e Bashës…

Intervistoi: Redjon Shtylla

Rikthimi i Tritan Shehut në kuvend, ku pjesa më e madhe e ligjvënësve do të jetë të rinj, është një sfidë e shtuar për ish-kreun e PD-së. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Shehu flet mbi debatin në PD, për opozitën dhe qeverinë “Rama 2”. Mbi debatin në PD, ai shprehet se për interesin e partisë grupi anti-Basha duhet të bashkohet. “Debatet me njëri-tjetrin në këtë periudhë, se duhet të mos kalojmë disa caqe etike, pikërisht për t’i lënë vend vetes për të qenë së bashku edhe nesër”. Një ndër tezat e dala nga selia blu, është ajo e një bashkëpunimi të PD-së me qeverinë pa Ramën kryeministër por sa e mundur është kjo? Për Tritan Shehu, PD-ja do jetë një opozitë reale, e fortë dhe larg “katranosjes” që Kryeministri i ka bërë vendit. Një opozitë e gjerë në kuvend duke përfshirë edhe LSI-në, është e mundur sipas Shehut, e kjo për të bërë një luftë të qartë opozitare, “sa herë që obsionet e interesat do të përputhen”.

z.Shehu, një rikthim i juaji në kuvend këtë herë si përfaqësues i qarkut të Gjirokastrës vjen në një moment ku 80 % e grupit parlamentar është me emra të rinj, që hyjnë për herë të parë në Kuvend. Çfarë do të përmirësojë PD-ja në Kuvend me këtë ekip të ri ligjvënësish?

Së pari unë dua të shpreh edhe një herë kënaqësinë time të thellë për faktin se në Kuvend do të përfaqësoj këtë herë qytetarët e Qarkut të Gjirokastrës e aspiratat e vyera të tyre. Legjislatura që vjen, unë gjykoj se ka rëndësi të veçantë e thelbësore jo vetëm për PD-në, por dhe për ecurinë e mëtejshme të vendit në të gjitha planet. Edhe në këtë legjislaturë PD-ja do të jetë në opozitë mbas rezultatit të zgjedhjeve të 25 Qershorit, zgjedhje që vërtetuan një sërë problemesh madhore për vendin dhe nivelin e demokracisë sonë. Nuk dua përsëri të numuroj ato, sepse e kam bërë disa herë këtë, por dua të theksoj se roli opozitar tashmë do të jetë fondamental në përpjekjet që Shqipëria të mos shkasë më tej në autoritarizëm e autokraci, gjë që do të na largonte së tepërmi nga prishmëritë tona e rruga jonë e integrimit. Pra dyshim vendi ndodhet në një udhëkryq, e lidhur kjo me të ardhmen e tij, me rrezikun e dominimit edhe nga krimi, mbulimit me drogë, lëvizja nga boshtet tona natyrale të përkatësive e objektivave tona edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare e rajonale, të lidhura këto me probleme madhore të lirisë e të shtetit ligjor. Veçanërisht në rastin tonë, kur “Rilindja” është gjenerusja më e madhe e këtyre problemeve, roli i opozitës merr një rëndësi të veçantë. Dhe unë jam i bindur se PD-ja do ta luajë këtë rol si forca kryesore e më solidja e opozitës sonë.

Nga ana tjetër, ministrant teknikë të PD-së edhe pas dorëheqjes vijonë në detyrë. Raporti i tyre vetëm sa çeku që nuk ishin zgjedhje të lira por pa dhënë raste apo emra konkretë. A mund të quhet një dështim marrëveshja e 18 majit nga e cila doli fitues vetëm Rama?

Një pyetje me disa nën pyetje kjo! Ok. Ministrat teknikë unë gjykoj se kanë bërë e po bëjnë detyrën e tyre konform ligjit e objektivave të tyre, pavarësisht se sa këto u realizuan. Ata tashmë të gjithë kanë dhënë dorëheqjen dhe në bazë të detyrimeve kushtetuese me dinjitet presin të zëvëndësohen. Në lidhje me raportin më duket se ishte real dhe alarmant, megjithëse unë këtu jam dakort me ju, ai raport nxirrte në pah shumë pak nga e vërteta e hidhur e zgjedhjeve të 25 qershorit. Kjo jo për faj të tyre, por sepse shumë pak mund të evientohet nga 6-7 ministra pa instrumentat e nevojshme e pa potencialet njerëzore e logjistike që u nevojiteshin, pikërisht edhe sepse z.Rama sabotoi implemetimin e asaj marrëveshje që ju përmendni. Por ta sabotosh atë nuk do të thotë se je “fitimtar”, veçanërisht afatgjatë kjo, edhe kur të duket në disa momente se ke fituar. Kini parasysh diçka, pikërisht me këto lloj “suksesesh”, në ato momente, kur kujton se je “fituesi i madh”, fillon të bëhesh ai që je realisht “Humbësi i Madh” e i vërtetë. Koha nuk do të vonojë për ta treguar e provuar këtë edhe në vendin tonë.

Shtatori pritet të ketë zhvillime të rëndësishme. E sigurtë është krijimi i qeverisë, por pikëpyetje ka nëse do të ketë zgjedhje për kupolën drejtuese të PD-së, apo puna do të fokusohet vetëm tek analiza për humbjen e 25 qershorit?

Pa dyshim që qeveria do të formohet. z.Rama i ka numrat për ta realizuar një gjë të tillë vetëm me forcën e tij politike. Kjo gjë do të sjellë edhe një koncentrim të madh pushteti, duke forcuar kështu edhe rrezikun më të madh aktual, arrogancën qeveritare, gjë që e bën të veçantë rolin e opozitës në përballjen e këtij revanshi anti-qytetar, që padyshim do të jetë i tillë. Për të përmbushur këtë mision të PD-së, edhe duke vazhduar me analizën e humbjes së 25 qershorit, do t’i duhet të bëjë një sërë përmirësimesh strukturale, zgjerimi, taktikë e strategjike, të kapacitetëve njerëzore etj, si diçka tashmë e natyrshme kjo, duke pasur si qëllim ruajtjen e potencialit të saj e zgjerimin e tij në të gjitha aspektet.

Këto ditë nga selia blu kanë dalë dy teza. E para nga deputeti Gurakuqi, për një bashkëpunim PD-PS, ku vendoste si kusht largimin e Ramës si Kryeministër dhe drejtimin e qeverisë nga një figurë e shoqërisë civile e PS me ministra të PD dhe PS. A tregon kjo qasje një dëshirë që marrëveshja e 18 majit të vazhdojë?

Unë e kam lexuar e interpretuar ndryshe nga ju atë intervistë të kolegut tim, në sensin e një akuzë ndaj maxhorancës, të kësaj maxhorance që megjithëse formalisht i ka numrat në Kuvend, nuk ka të drejtën morale e politike të qeverisë, për vetë deformimin e votës që ndodhi masivisht. Pra për mua kjo qëndron si një deklaratë reale politike opozitare. Më tej unë mendoj se gjërat janë të qarta, z.Rama do të bëjë qeverinë ashtu siç ai dëshiron, pra do ta “katranosi”, do të marrë votbesimin në Kuvend me votat që ka dhe do të vazhdojë së dështuari siç dështoi me punësimin, shëndetësinë, politikën e jashtme, infrastrukturën, bujqësinë etj, duke shtuar presionin ndaj qytetarëve, autokracinë e varfërinë e tyre. Për momentin kjo është “puna” e tij, por që nesër ai do të ballafaqohet me shqiptarët për këtë. Pikërisht në këtë rrugëtim, edhe për t’i qëndruar afër qytetarëve, për të ndihmuar një kjartesim të gjërave, pa asnjë lëkundje do të jemi në opozitë, do të bëjmë një opozitë reale, të fortë, alternative, demokratike, të gjithëanëshme etj, për të çuar vendin drejt ndryshimeve të domosdoshme edhe të pa evitueshme. Mos harrojmë se pushteti i tepërt i marrë me rrugë jo demokratike të çon në disfatë, veçanërisht kur përdoret ashtu siç “Rilindja” di ta përdorë atë.

Debat ka shkaktuar edhe teza e z.Spaho, ajo e votimit me detyrim. A janë këto deklarata një pasqyrim i realiteti që PD-ja nuk ka besimin e vetë demokratëve dhe kërkon ti imponojë votimin?

Ju vazhdoni të bëni interpretime të gabuara. Këto janë vetëm ide e mendime brenda harkut demokratik, që praktika të tjera i përdorin. Sidoqoftë është akoma herët për të hapur të tilla debate. Këto dhe shumë ide të tjera të tilla do të diskutohen gjatë realizimit të reformës zgjedhore, në kohën e duhur edhe me njerëz të kualifikuar për këtë gjë.

Zgjedhja e kreut të PD-së kaloi jo mes shumë debatesh dhe akuzash brenda partisë. Si e shihni rrugën e PD-së, a do të arrihet bashkimi i demokratëve, apo beteja mes fraksioneve do të thellohet? A mund të ketë një parti të re nga ky fraksion?

Për mua është e vështirë të parashikoj hapat e disa kolegëve të mi në të ardhmen. Por unë dua të theksoj se të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe në PD ka vend për të gjithë, pavarësisht nga disa qëndrime, emocione, interesa që mund të mos konvergojnë në këtë periudhë. Këto elementë për mua janë normal në politikë e në demokraci, ku rruga është e gjatë e hapësirat bashkëpunuese janë shumë të gjera. Pra ndryshe duhet të gjykohet e vendoset kur arrin momenti i vendimeve të mëdha. Për interesin tonë ato duhet të jenë për të qëndruar së bashku. Pikërisht edhe për këtë arsye unë e kam theksuar disa herë faktin se edhe në debatet me njëri-tjetrin në këtë periudhë, se duhet të mos kalojmë disa caqe etike, pikërisht për t’i lënë vend vetes për të qenë së bashku edhe nesër. Unë gjykoj se aktualisht kjo është krejt e mundshme.

Si e shihni PD si forcë opozitare, por këtë herë me LSI-në në opozitë e cila po tregon forcë dhe vitalitet. A duhet një front i madh opozitar PD-LSI?

Unë e theksova që PD-ja do të jetë motorri i opozitës sonë, për shumë arsye kjo. Aktualisht ekziston një koalicion opozitar i përbërë nga PD-ja me forcat e tjera të koalicionit të saj para zgjedhor, që do të vazhdojë. Po ashtu, pa asnjë dyshim PD-ja duhet të bashkëpunojë edhe me të gjithë ata faktorë të tjerë reale, që janë të vendosur për të bërë një luftë të qartë opozitare, sa herë që obsionet e interesat do të përputhen. Kjo është krejt normale për të gjithë botën politike demokratike. Ndërsa për koalicione të mirëfillta, gjë për të cilën është spekulluar disa herë për me LSI-në, për të cilën unë uroj që të jetë aktive në opozitë, unë nuk mendoj se është oportune diçka e tillë, dhe i konsideroj të pa baza të gjitha këto insinuata, që vinë zakonisht nga burime jo dashamirëse për PD-në.

z.Shehu, ju keni qenë Minister i Jashtëm, cila është përshtypja juaj ndaj takimit të z.Rama me ambasadorët e vendit tonë?

Të them të drejtën ngela i shokuar nga mënyra aspak etike e normale e komunikimit të Kryeministrit me ambasadorët. Kjo sjellje është në linjën e arrogancës së pushtetit ndaj shqiptarëve. E pamë këtë me drejtuesit e sistemit shëndetësor, financiar etj, e tani si kulm me diplomatët. Në fakt atë trup diplomatik e ka emëruar në shumicë vetë z.Rama, që për hir të së vërtetës nuk është përgjegjësi kryesor i mungesës së investimeve në Shqipëri. Ato lidhen në radhë të parë me politikat e ambjentin tonë të brendshëm, të favorshëm apo jo. Fatkeqësisht ky është krejt i pa favorshëm për tërheqjen e kapitaleve të huaja. Ndërsa çështja e rolit të diplomacisë në marrëdhëniet ekonomike me jashtë, ose si quhet “diplomacia ekonomike”, është  si ABC-ja e diplomacisë sonë dhe duhej të ishte konsideruar nga Kryeministri që herët si e tillë. Veçanërisht për një vend të vogël si i yni, “diplomacia ekonomike”, puna për integrimin europian e kontributi për stabilitetin Rajonal, duhet të jenë kolonat kryesore të Ministrisë së Jashtme. Ne nuk mund të gjenerojmë politika të mëdha botërore. Dhe kjo “diplomaci ekonomike” nuk është një risi për ne siç përpiqet ta paraqesë z.Rama, që “harron” çfarë është bërë në vite. Për këtë mjafton t’ju kujtoj se që më 1996, kur unë isha Ministër i Jashtëm, ajo Ministri mori përsipër Marrëdhëniet Ekonomike me Jashtë, që drejtoheshin nga Z.Selim Belortaja, atëherë Sekretar Shteti e me një infrastrukturë përkatëse në ambasadat tona.

SHKARKO APP