PD nis fushatën elektorale/ Bardhi në Kukës: Votimi i kandidatëve nga anëtarësia, hap drejt fitores
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nga selia blu në Kukës u shpreh për gazetarët se votimi i kandidatëve nga anëtarësia është hap i madh i fitores së zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Nga ana tjetër, Bardhi i’u bëri thirrje çdo anëtari të PD-së që të merrte pjesë në procesin e votimit të kandidatëve për deputetë. ”Unë dua t’i bëj thirrje çdo anëtari të Partisë Demokratike, të marrë pjesë në të gjithë Shqipërinë në këtë proces që ndodh për herë të parë në një parti politike, ku vullneti i anëtarëve dhe qytetarëve shqiptarë është ai që do të përcaktojë ekipin të cilin ne do t’i drejtohemi dhe do t’iu kërkojmë votën qytetarëve shqiptarë”, tha Bardhi.
Deklarata e plotë
Sot Partia Demokratike nis fushatën elektorale me një hap të madh për fitoren e thellë të Partisë Demokratike, me hapin e përzgjedhjes së ekipit më të mirë me të cilën ne do t’i prezantohemi qytetarëve. Sot, qytetarët shqiptarë me këtë proces që e nisim nga Kukësi, kanë mundësinë të shikojnë dallim midis një partie, Partisë Demokratike, që përzgjedhjen e kandidatëve ia beson qytetarëve dhe anëtarëve të saj dhe partisë së kryeministrit në ikje, që kandidatët i përzgjedh në bashkëpunim me Niçen dhe shokët e tij.
Unë dua t’i bëj thirrje çdo anëtari të Partisë Demokratike, të marrë pjesë në të gjithë Shqipërinë në këtë proces që ndodh për herë të parë në një parti politike, ku vullneti i anëtarëve dhe qytetarëve shqiptarë është ai që do të përcaktojë ekipin të cilin ne do t’i drejtohemi dhe do t’iu kërkojmë votën qytetarëve shqiptarë. Zëri i tyre, mendimi i tyre në përzgjedhjen e kandidatëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse kandidatë që zgjidhen nga qytetarët me votën e tyre, me vullnetin e tyre, që përzgjidhen nga anëtarët do të jenë pikërisht njerëzit që nesër do të punojnë për interesin e këtyre qytetarëve.
Prandaj, apeli im është për çdo anëtar të Partisë Demokratike të marrë pjesë në këtë proces demokratik, e ripërsëris, që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe që ndodh vetëm në Partinë Demokratike, duke bërë një dallim të qartë midis nesh, Partisë Demokratike dhe partisë së kryeministrit në ikje. Unë dua të mbetem tek zgjedhjet, tek mesazhi i çdo anëtari të Partisë Demokratike, të marë pjesë në këtë festë të demokracisë, ku çdo anëtar ka të drejtë të japë me votë vlerësimin e tij për çdo kandidat të përzgjedhur nga strukturat qëndrore të Partisë Demokratike.
Dua të mbetem tek ky proces që është shumë i rëndësishëm. Është i rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike, por është i rëndësishëm për Shqipërinë sepse jep një model demokratik për mënyrën se si funksionon një parti politike. Do të ishte shumë mirë sikur të gjithë partitë politike në vend të ndiqnin një proces të ngjashëm, që kandidatët të mos i përcaktonte krimi i organizuar, që kandidatët të mos i caktonin paratë e pista të krimit të organizuar, por kandidatët t’i caktonin qytetarët.
Ky është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike por edhe për Shqipërinë, daj dua që nga Kukësi të ripërsëris vetëm këtë apel: Ftoj qytetarët dhe anëtarët e Partisë Demokratike të bëhen pjesë e këtij procesi dhe me zërin e tyre të përcaktojnë ekipin që u sigurojnë fitoren e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të ardhshëm.