PD-PS mbyllin fushatën në Dibër. Deputetët në hall për zgjedhjet, nuk kanë ku të flenë
Dy koalicionet që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të së dielës do të mbyllin sot fushatën elektorale të dy kandidatëve respektivë për kryetar të Bashkisë së Dibrës, Muharrem Rama dhe Sherefedin Shehu.
Duke iu referuar agjendës së mitingjeve përmbyllëse, mësohet se kandidati i majtë Rama që renditet i pari në fletën e votimit do të jetë po i pari që do ta mbyllë fushatën në një miting që do të mbahet në 11:00 në qendrën e Peshkopisë.
Ndërsa kandidati i djathtë Shehu mitingu përmbyllës të fushatës do ta zhvillojë rreth orës 15:00, për ti lënë më pas vendin heshtjes elektorale, ku ditën e nesërme nuk do të ketë asnjë aktivitet zyrtar politik.
Pikërisht, mbajtja e dy mitingjeve përmbyllëse dhe përgatitja për ditën e votimit ka detyruar të dyja kampet që të dërgojnë në Dibër një numër të madh deputetësh dhe përfaqësuesish partiakë jo vetëm nga Tirana por edhe nga rrethet, çka ka sjellë dhe mbipopullimin e kryeqendrës së politikës gjatë këtyre ditëve.
Por në një vëzhgim të realizuar nga “Report TV” mësohet se qyteti i vogël verilindor, aq shumë është mbipopulluar me deputetë dhe eksponentë të lartë partie dhe forumesh rinore, sa është gati mision i pamundur gjetja e një hoteli.
Këtë “hall” e kanë dhe vetë deputetët, të cilët me urdhër partie do të angazhohen pothuajse të gjithë në terren të dielën e zgjedhjeve lokale.
Ata janë nisur që sot, ku në mitingjet përmbyllëse të fushatës, do të jenë edhe dy kryetarët e koalicioneve, Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Pikërisht gjetja e një dhome për t’u akomoduar ka qenë tema kryesore e bisedave jashtë seance të ligjvënësve këtë të enjte.
Kjo pasi 4 hotelet në Peshkopi janë të tejmbushur. 1 është zënë nga PS, “ Korabi” dhe 3 nga PD, “Veri” ku është akomoduar dhe vetë kryedemokrati Basha, “Plaza” dhe “Neë york”.
Në zonë ka dhe disa hotele të tjera të tipit ”konvikt”, por me kushte të papërshtatshme për kategorinë e deputetëve.
Në këto zgjedhje PD ka angazhuar dhe forumet e saj, një ndër to grupimi “Azem Hajdari” i konceptuar enkas për ruajtjen e votave.
KOHA JONË SONDAZH

