PD, thirrje SPAK-ut: Të hetohen fshehjet kriminale të vdekjeve
“Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet”, deklaroi sot Partia demokratike.
Z.Bardh Spahia nga selia e PD-së i bëri thirrje në veçanti Prokurorisë dhe SPAK të nisin hetimin pa vonesë.
“Që nga dita e enjte, kur Kryetari i PD denoncoi në emisionin Opinion, shifrat e vërteta të vdekjeve nga Covid-19, Prokuroria nuk ka njoftuar asnjë veprim nga ana e sa, – tha Spahia. – Numri i vdekjeve nga Covid, sipas dokumentacionit që bëri publik z. Basha, është shumë më i lartë se ai që është bërë publik nga qeveria në komunikatat e përditshme.
Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga institucionet shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet. Qytetarët presin nga Prokuroria të mos heshtë.
Heshtja 48-orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën. I bëjmë thirrje edhe njëherë Prokurorisë dhe SPAK të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave!”
KOHA JONË SONDAZH

