Peleshi, Berishës: Mos manipulo maturantët
Zëvendës-kryeministri Niko Peleshi foli sot në emër të qeverisë në sallën e seancave plenare duke sqaruar maturantët për atë se çfarë po ndodh me procesin për të fituar një shkollë të lartë.
Duke iu përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha, Peleshi i bëri thirrje politikës që të mos i manipulojë studentët, duke shtuar se shumë prej tyre janë të painformuar.
Peleshi tha se lista e parë që është shpallur me fituesit për në universitete, nuk është përfundimtare, dhe se procesi është transparent online, shkruan Express.
Duke iu drejtuar deputetit demokrat Sali Berisha, Peleshi tha se uron që kjo të mos jetë një taktikë e PD-së për të fituar vota nga qytetarë që i manipulojnë kundër qeverisë. Sipas Peleshit në fund të këtij procesi të gjithë maturantët do të dalin të sqaruar dhe asnjë nga nxënësit që ka rezultate të mira nuk do të mbesë pa shkollë.
“S’do ketë asnjë pakënaqësi nga ky proces. S’besoj se keni bërë llogari të fitoni ndonjë votë pakënaqësie, e cila do të sqarohet deri në fund”, tha Peleshi.
Në përfundim, zëvendës-kryeministri i kërkoi maturantëve që të bëjnë shumë pak durim për ti shkuar deri në fund “procesit më transparent të përzgjedhjes dhe fitimit të të drejtës për studim”.
KOHA JONË SONDAZH

