Për herë të parë një ministër në Britani takon të burgosurit, Manja: Vuajnë dënimin rreth 60 shqiptarë
Për herë të parë, një ministër shqiptar takon të burgosurit në Britaninë e Madhe. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, zhvilloi këtë të enjte një takim me 18 të burgosur shqiptarë në burgun Pentonville në Londër. ”U dakordësuam për një projekt të shpejtë midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe autoriteteve britanike që menaxhojnë burgjet, për sjelljen e librave në gjuhën shqipe në çdo burg ku aktualisht ka shqiptarë të dënuar dhe të paraburgosur. Projekti i edukimit dhe rehabilitimit të tyre dhe mundësia për të ruajtur kontaktet me familjet e tyre në Shqipëri do të jetë pjesë e një projekti në vazhdim, pas zbatimit të marrëveshjes së transferimit”,-shkruan Manja.
Postimi i plotë nga Manja
Në Pentonville vuajnë dënimin e tyre rreth 60 shqiptarë. Takimi me një grup prej 18 të dënuarish shqiptarë në këtë burg, ishte mundësi e mirë për të mbajtur shënim të gjitha shqetësimet e tyre. Pamë nga afër respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të dënuarve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Asistenca me përkthimin në gjuhën shqipe, librat shqip, takimet me familjarët dhe respektimi i orëve të ajrimit, ishin disa nga shqetësimet e ngritura nga ana e tyre.
Shprehën interesim edhe për marrëveshjen e transferimit të tyre, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.
Pas takimit, patëm mundësinë që shqetësimet e tyre t’i bisedonim jo vetëm me autoritetet e burgut në Pentonville, por dhe me Damian Hinds, Ministrin e Shtetit për Burgjet, për ta adresuar trajtimin e tyre në nivel të të gjitha burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar.
U dakordësuam për një projekt të shpejtë midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe autoriteteve britanike që menaxhojnë burgjet, për sjelljen e librave në gjuhën shqipe në çdo burg ku aktualisht ka shqiptarë të dënuar dhe të paraburgosur.
Projekti i edukimit dhe rehabilitimit të tyre dhe mundësia për të ruajtur kontaktet me familjet e tyre në Shqipëri do të jetë pjesë e një projekti në vazhdim, pas zbatimit të marrëveshjes së transferimit.