Përballje e ashpër Vuҫiç – Osmani në Këshillin e Sigurimit
Presidentja e Kosovës tha në Këshillin e Sigurimit, se serbët e Kosovës janë në presion nga qeveria e Serbisë. Presidenti serb tha, se në Kosovë serbët po keqtrajtohen në lloj-lloj formash nga autoritetet e Prishtinës.
Në këtë seancë raportoi edhe shefja e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, e cila shprehu pakënaqësinë e saj për mungesën e rezultateve të arritura në muajt e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të kërkuara nga i gjithë faktori ndërkombëtar. Përballja Osmani-Vuҫiq në Këshillin e Sigurimit ndodhi vetëm një ditë pas bojkotimit masiv të procesit të votimit nga serbët në veri të Kosovës për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë, referendum ky që duhej t’i hapte rrugën zgjedhjeve të reja.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, bojkotimin e procesit të votimit nga serbët në veri e ndërlidhi me presionin që qeveria e Serbisë po u bën serbëve të Kosovës.
“Tashmë janë të qarta përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të penguar procesin e integrimit të serbëve në Kosovë, duke përdorur taktika kriminale dhe terroriste për të fituar kontroll dhe për të përhapur frikë, dhe njëkohësisht duke dëmtuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Osmani, duke ju kundërpërgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “vendimi i serbëve për bojkotimin e referendumit ishte i natyrshëm”, sepse sipas tij, “autoritetet e Kosovës i frynë listat e votuesve”. Aleksandar Vuҫiq, akuzoi autoritetet kosovare por edhe autoritetet ndërkombëtare për – siҫ tha- “mosthemelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, një marrëveshje kjo Kosovë-Serbi e arritur në vitin 2013.
“Këto 11 vite janë 11 vite premtimesh të paplotësuara, bisedash të përditshme, arsyetimesh dhe gënjeshtrash dhe paaftësisë së Bashkimit Evropian si garantuese e marrëveshjes. Autoritetet e Kosovës kanë krijuar kushte të padurueshme për jetën e pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, tha Vuҫiq. Ai madje kritikoi edhe raportimin në Këshillit të Sigurimit të përfaqësueses së UNMIK-ut, e cila sipas presidentit serb, nuk i kishte përfshirë në raport “incidentet e dhunshme ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb”.
“Institucionet e Prishtinës, po ushtrojnë dhunë fizike dhe juridike mbi serbët e Kosovës me qëllim të përndjekjes së tyre”, tha Vuҫiq duke përmendur këtu edhe rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit të Serbisë në Kosovë. Akuzat e Vuҫiqit për “përndjekjen e serbëve”, i quajti të rreme presidentja Vjosa Osmani, sikundër që i hodhi poshtë pretendimet e Serbisë për spastrim etnik të serbëve të Kosovës. Presidentja Osmani, e akuzoi Serbinë për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjeve, dhe në këtë linjë ajo përmendi fushatën e fundit të Beogradit kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Presidenti Vuҫiq, tha se Serbia do të bëjë gjithçka që të ruajë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. Me një dozë nervozizmi sepse Këshilli i Sigurimit lejoji që presidentja Vjosa Osmani të shoqërohej në seancë nga katër gra të përdhunuara dhe të mbijetura të masakrave gjatë luftës së Kosovës, Aleksandar Vuҫiq, tha se “Serbia, ka bërë lëshime të dhimbshme”, ndërsa Prishtina nuk po i përmbush detyrimet e saj.
“Regjimi i Kurtit u shpërblye me liberalizimin e vizave, Këshillin e Evropës dhe armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Vuҫiq.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj, tha, se “Serbia e ka përshkallëzuar agresionin ndaj Kosovës, duke përmendur këtu rrëmbimin e policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve dhe sulmin në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës.
“Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara. Serbia bën përpjekje për të prishur integrimin e serbëve në Kosovë dhe serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga qeveria e Serbisë”, tha presidentja Osmani.
Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshill të Sigurimit, Robert Wood, bëri thirrje sërish që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, të sillen para drejtësisë. Përfaqësuesi i SHBA-së e dënoi edhe ndalimin e qindra qytetarëve të Kosovës javën e kaluar nga autoritetet serbe në kufi, teksa po kalonin tranzit nëpërmjet Serbisë.
Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po e fshehin “dhunën e kryeministrit Albin Kurti ndaj komunitetit serb në Kosovë”, duke shtuar se “situata e sigurisë nuk është stabile dhe serbët po ikin nga Kosova për shkak të kësaj”.
“Situata në Kosovë na shqetëson, e kjo vlerësohet nga pjesëmarrja e kryetarit të Serbisë që bëhet më e vështirë për Perëndimin të fshehë dhunën e motivuar nga i ashtuquajturi kryeministri Albin Kurti. Vetëm një pakicë e atyre që kanë ikur janë kthyer pasi nuk është e sigurt situata në Kosovë”, tha përfaqësuesi i Rusisë.
Pjesa më e madhe e ambasadorëve të vendeve perendimore folës në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKS-së kërkuan zbatimin e plotë të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në kuadër tëdialogut Kosovë-Serbi./DW/