Përfaqësuesja e partisë së Merkel: Basha lider europian. Nëse ODIHR flet për blerje votash, rrezikoni izolimin nga BE
Kur na ndajnë dy ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, nënkryetarja e grupit parlamentar të partisë së Kancelares Angela Merkel, Katja Leikert, u bëri thirrje partive politike në Shqipëri që të kontribuojnë për zgjedhje të rregullta.
Intervistoi: Mariglen Kume
Në një intervistë , znj. Leikert tha se zgjedhjet e 25 prillit kanë një rëndësi të veçantë për Shqipërinë se do të caktojnë se në cilin drejtim do të shkojë Shqipëria. Do të ndiqet rruga drejt Bashkimit Europian me më shumë përpjekje dhe do te krijohet një perspektivë për të rinjtë në vendin e tyre, apo vendi do të lihet më tej pa një busull orientimi. Madje ajo u shpreh se nëse ekspertët e ODIHR-it do të evidentojnë cenim të zgjedhjeve, atëherë Shqipëria rrezikon një izolim nga Bashkimi Europian. Nënkryetarja e CDU/ CSU më tej gjatë intervistës hedh poshtë akuzat e Kryeministrit Rama se BE-ja ka neglizhuar Ballkanin perëndimor në përballimin e luftës kundër virusit. Leikert thotë në intervistë ndërkohë, se vitet e fundit është vërejtur një vullnet të ulët për të avancuar reformat e nisura. Ndërkohë, sa i përket kandidatit për Kryeministër Lulzim Basha, nënkryetarja e grupit parlamentar të CDU-CSU, Leikert, u shpreh se ka kontakte të vazhdueshme me të. Ajo thotë se kryedemokrati vjen me një premtim të qartë për vijimin e reformave dhe me një busull “pro” europiane.
1.Pandemia ka krijuar një situatë të pazakonte diplomatike. Kryeministri Rama ka kritikuar BE-në se ka lënë jashtë vëmendjes vendet e Ballkanit. Disa herë ai ka veshur me përgjegjësi BE-në se po le gjyshërit tanë pa vaksine. Ndërkohë që gjetja e zgjidhjes se vaksinimit ka ardhur nga Turqia, Kina dhe vaksinat ruse. A është shqetësues për ju, ndryshimi i kursit, qoftë edhe retorikës, nga BE-ja drejt vendeve të lindjes?
Ndryshe nga sa e paraqet Kryeministri Edi Rama, BE-ja po siguron mbështetje gjithëpërfshirëse për vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër pandemisë Covid-19. Gjatë të ashtuquajturës “vala e parë”, u vunë në dispozicion ndihma emergjente për sektorin shëndetësor, për shembull për sigurimin e maskave, aparateve respiratorë dhe testeve, si dhe një paketë ndihme prej 3.3 miliardë eurosh për përballimin e pasojave të pandemisë në Ballkanin Perëndimor. Në një kohë kur vetë vendet anëtare të BE-se u goditën keq nga pandemia dhe ishin qendra e pandemisë globale, Ballkani Perëndimor nuk u harrua. Midis majit dhe gushtit të këtij viti, BE-ja do të mbështesë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me 651,000 doza vaksinash. BE-ja gjithashtu ofron ndihmë përmes programit ndërkombëtar të shpërndarjes “COVAX”. Vaksinimi është mënyra për të dalë nga kriza, por për sa kohë nuk ka mjaftueshëm vaksina, masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit janë thelbësore. Dhe për këtë mban përgjegjësi qeveria e Edi Ramës. Qeveria shqiptare dhe populli i Shqipërisë janë të lirë të vendosin se cilën rrugë do të ndjekin. Ne në grupin parlamentar CDU/CSU do të dëshironim që Shqipëria të bëhej anëtare e bashkëpunimit në Bashkimin Europian, ashtu si të gjitha shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Nëse dhe kur kjo është e mundur varet kryesisht nga vullneti politik për të përmbushur kushtet e nevojshme. Ne kemi parë pak progres në këtë fushë në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
2. Znj. Leikert, Shqipëria ndodhet më pak se 2 ditë nga zgjedhjet që do të caktojnë qeverinë e 4 viteve të ardhshme. Si e shikoni klimën politike me të cilën po shkohet në zgjedhjet e 25 prillit?
Është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike dhe që të gjithë aktorët e përfshirë të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre. Kjo fillon me organizimin e zgjedhjeve dhe përfundon me çështjen e formimit të koalicioneve. Kjo vlen si për partinë në pushtet, ashtu edhe për opozitën. Në Ballkanin Perëndimor ndonjëherë kam përshtypjen se pushteti politik barazohet me fuqinë ekonomike. Kjo qëndron në kontrast të plotë me idenë tonë të bashkëjetesës demokratike në Bashkimin Evropian. Si grup parlamentar CDU/CSU në Bundestag, ne shpresojmë që të jetë e qartë për të gjithë aktorët politikë të përfshirë në Shqipëri se zgjedhjet janë gjithashtu një vendim se ne cilin drejtim do të shkojë Shqipëria. Do të ndiqet rruga drejt Bashkimit Europian me më shumë përpjekje dhe do te krijohet një perspektivë për të rinjtë në vendin e tyre, apo vendi do te lihet më tej pa një busull orientimi.
3. Raporti i ndërmjetëm i vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri ka evidentuar një klimë të tensionuar politike dhe mosbesim të partive politike mes njëra-tjetrës. A është një sinjal ky se do të kemi zgjedhje jo të pranueshme?
Këtë duhet ta përcaktojnë ekspertët e ODIHR-it dhe për këtë duhet pritur dita e zgjedhjeve dhe vlerësimi përfundimtar . Edhe këtu kriteret janë të qarta dhe objektive.
4. Ju jeni deputete e Bundestagut që vjet vendosi disa parakushte për Shqipërinë për t’i plotësuar në mënyrë që të nisin negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë. Nëse ODIHR do të raportojë probleme me zgjedhjet që do zhvillohen më 25 prill, rrezikojmë ne bllokimin nga BEja?
Po, sigurisht. Ka kushte të përcaktuara qartë që janë vendosur për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Disa procese, si përparimi i Reformës në Drejtësi, varen jo vetëm nga qeveria, por hetimi i individëve të korruptuar, luftimi i krimit të organizuar, hetimi i krimeve zgjedhore, dekriminalizimi ose marrja e masave më të rrepta kundër ekonomisë informale dhe pasurisë së pajustifikuar të zyrtarëve të lartë duhet të jenë gjithashtu nën përgjegjësinë e qeverisë. Reformat shpesh perceptohen nga përfaqësuesit e qeverisë në Shqipëri ose në vendet e Ballkanit Perëndimor si diçka e jashtme. Si diçka që diktohet nga jashtë. Por të jem e sinqertë: qytetarët e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës duan të gjithë sundimin e ligjit, një standard më të lartë jetese, një kujdes shëndetësor më të mirë, një sistem arsimor modern dhe rrugë të mira. Kjo nuk është diçka që Brukseli ose Berlini u diktojnë partnerëve politikë në Shqipëri. Në vizitën time të fundit në Shqipëri në vitin 2019, përshtypja ime ishte se kjo është në interesin e natyrshëm të njerëzve atje.
5. Ambasadorët kryesorë në Shqipëri kanë intensifikuar thirrjet për qytetarët që të dalin të votojnë dhe të mos shesin votën. A keni ju raportime nga diplomatët që keni në Shqipëri për ekzistencën e rasteve të intimidimit të zgjedhësve dhe blerje të votave?
Është e rëndësishme që njerëzit të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes për zhvillimin e vendit te tyre. Çdo formë intimidimi, kërcënimi ose manipulimi nuk është e pranueshme. Vëzhguesit e ODIHR-it, gjithashtu do ta marrin këtë parasysh në vlerësimin e tyre të zgjedhjeve.
6. Duke qenë se PD-ja është pjesë e Partive Popullore Europiane bashkë me partinë tuaj, CDU-në në Gjermani, a e mbështesni ju rrotacionin politik në Shqipëri dhe rikthimin e PD-së në qeveri me kandidat Bashën Kryeministër?
Si grup parlamentar CDU/CSU, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Shqipërisë. Sigurisht, jemi në kontakt të ngushtë me partinë tonë partnere, PD-në dhe kryetarin e partisë Lulzim Basha. Ai vjen me një premtim të qartë për reformën dhe me një busull “pro” europiane. Qeveria shqiptare e Kryeministrit Rama në këto vitet e fundit nuk ka arritur të dërgojë një sinjal bindës të një fillimi të ri dhe të progresit . Më 25 prill, populli i Shqipërisë, i cili deri tani ka votuar vetëm duke emigruar jashtë, do të bëjë bilancin e tij. Panorama.com.al