Përkeqësohet gjendja shëndetësore e grevisteve në Ballsh, gratë: Nuk tërhiqemi. Reagon Rama
Vijon greva e grave të naftëtarëve të Ballshtit, të cilat janë në ditën e 9 të protestës së tyre brenda ambienteve të Uzinës.
Një prej zonjave që pati probleme shëndetësore mbrëmjen e kaluar, Silvana Fejzaj është rikthyer në ambientet e grevës, ndërsa gjendja e të gjithave sa vjen e rëndohet dhe ato kanë simptoma të rënda si dhimbje koke e mesi, të vjella, temperaturë, takikardi e shumë shqetësime të tjera.
Gjithsesi gratë deklarojnë se nuk tërhiqen nga kauza. “Shteti është rregullator i vetëm. Këmbëngulja jonë vazhdon. Uzina ka sasi malli të konsiderueshme e të na paguajë shteti”, deklaruan ato.
Ato i bënë thirrje kryeministrit t’i japë zgjidhje dhe të mos heshtë si dhe të nisë një grup negociator.
Ndërkohë, ka reaguar menjëherë Kryeministri Edi Rama duke u bërë thirrje naftëtareve të dalin nga greva e urisë.
Por përsërit sërish se me ultimatume e presione nuk funksionon, por mbetet i hapur për t’u qarë hallin.
“Unë jo vetëm nuk po hesht por po përsëris çdo ditë: Ndalni grevën dhe ulemi diskutojmë për hallin tuaj! Nuk ka negociata me presione e me ultimatume në një familje, po ka qarje halli me logjikë e me zemër të hapur! E thjeshtë:Dilni nga greva dhe do vij unë vetë tek ju menjëherë”,- shkruan Rama në Twitter.