Përplasje e fortë Tiranë – Athinë, Qeveria greke: Udhëheqësit fqinj po rrëshqasin çdo ditë
Athina ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij serb Aleksander Vuçiç.
Mbrëmjen e të mërkurës, zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Konstantinos Kutras, ka nxjerrë një deklaratë lakonike.
“Udhëheqja politike e vendit mik dhe fqinj po rrëshqet me fjalë dhe me vepra, çdo ditë. Kthimi tek arsyeja dhe në respektin ndaj legjitimitetit të së drejtës ndërkombëtare përbën rrugën më të sigurt për perspektivën europiane të Shqipërisë. Asnjë koment tjetër”- shkruhet ne deklaratë.
Më herët gjatë konferencës për shtyp me homologun Vuçiç, kreu i qeverisë shqiptare tha se për çështjen e notës së kërkesës drejtuar qeverisë greke për kërkimet për hidrokarbure në detin Jon nuk ka asnjë tejkalim të kompetencave. Rama tha se “nuk do të shkelet mbi interesat kombëtare për shkak të ruajtjes së fqinjësisë së mirë”. Sipas Ramës është e papranueshme që një vend fqinj të ndërhyjë në punët e brendshme duke iu referuar qëndrimeve të Athinës për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i parlamentit.
Greqia anuloi pjesëmarrjen në forumin ekonomik të Vjenës që mbahet në Tiranë. Në fillim u konfirmua vizita e kryeministrit Tsipras. Më pas u tha se do të vinte ministri i jashtëm duke përfunduar te zv.ministri i jashtëm e deri te anulimi i përfaqësimit në këtë takim.
KOHA JONË SONDAZH

