Petrit Vasili: Të mos lejojmë shkollëpakun të përsëris një ’97 tjetër

Nga Petrit Vasili.

Pas 27 vjetësh Shqipëria është sot, pa e ekzagjeruar fare, në udhëkryqin më të rrezikshëm të saj pasi shteti ligjor, shteti që është i barabartë për të gjithë qytetarët, po kërkohet që të rrëmbëhet me grusht shteti nga një grup, jo vetëm kriminelësh për mentalitetin e tyre, jo vetëm maskarenjsh për mënyrën se si ata e drejtojnë shtetin, jo vetëm hajdutësh për mënyrën se si ata e rrëmbejnë shtetin, por edhe të pacipësh për moralin që ata i imponojnë këtij vendi.

Ora e qëndresës është sot, nuk është nesër. Nesër në një shtet të uzurpuar dhe të kapur prej fyti, është dita e zgjedhës prej fyti,  nuk është dita e lirisë. Shqiptarët e kanë provuar fare mirë se çfarë do të thotë të jesh një vend pa liri, dhe çdo të thotë që kërbaçin e persekutimit, të injorimit, të përbuzjes ta ketë në dorë një njeri, një njeri që është provë e zvetnimit më të keq moral, por edhe e një paaftësie shtetërore, që as nuk e  kemi parë dhe as nuk do ta shikojmë më kurrë, pas largimit të shpejtë dhe të menjëhershëm të tij. Ndaj duke filluar nga nesër, po u them me bindje të plotë se çdo lloj sakrifice nuk është asgjë në raport me atë që fiton vendi. Kur fiton vendi do të thotë secili nga ne, për ata që kanë familjet e tyre, secili nga ne për fëmijët e tij, secili nga ne për nipërat e tij, për plot e plot djem e vajza, që studiojnë dhe lexojnë, të cilët nuk e kuptojnë dot një Shqipëri në duart e një sharlatani të vërtetë, një njeri i cili e përbuz dhe nuk e do vendin e tij. Ai do vetëm paratë që i grabit vendit të tij, ai ësht si një muhaxhir që rastësisht është strehuar në Shqipëri, dhe po bën gjithçka që ti plaçkis edhe pikën e fundit të gjakut, ai kënaqet ta përmbys, ta djegë dhe në fund fare të qeshë bile të thotë që nuk ju ka ndodhur asgjë, sepse nuk keni parë gjë akoma.

Por edhe Edi Rama nuk ka parë gjë akoma! Nesër fillon ajo çka ai nuk ka parë akoma!

Nesër ne jemi të gjithë bashkë me një bindje të palëkundur, ashtu sikurse kemi qenë shumë të qartë që ditën që është themeluar, ku grupi i deputetëve në parlament, pa asnjë diskutim, me një qëndrueshmëri shumë të rreptë dhe të padiskutuar, ndaj paligjshmërisë dhe rrëmbimit prej gryke të Kushtetutës së vendit, dhe gjithë mijëra të tjerët jashtë, janë dy barrikadat e mëdha, të cilat e shtypin në mes këtë shkatërrim shtetëror, që po udhëhiqet nga një bandë trafikantësh. Reforma në drejtësi, nëpërmjet së cilës duan të rrëmbejnë Kryeprokurorin, e kam thënë edhe herë tjetër, pavarësisht komenteve që i janë bërë kësaj fjale, komente në shqip apo në anglisht, reforma në këtë mënyrë se si duan ta pushtojnë, se si duan ta gllabërojnë është  një reformë e vdekur.

Ne jemi nesër atje, dhe  mijëra njerëz të tjerë do jenë përjashta për ta ruajtur që reforma të mos vdesë. Ne jemi misionarët e Reformës në Drejtësi, ata janë shkatërruesit e Reformës në Drejtësi. Ne jemi ata që milituam vërtet dhe dhamë votat për një Reformë në Drejtësi të barabartë për të gjithë, ndërsa ata duan të rrëmbejnë Kryeprokurorin, duan të bëjnë drejtësinë për veten e tyre dhe të jetë një hu në duart e tyre kundrejt çdo qytetari. Dikush më pyeti përse duhet të dalin njerëzit nesër, për çështjen e një Kryeprokuri? Jo, as emri i Kryeprokurorit nuk është problemi ynë, jo as emri i prokurorit nuk është problemi ynë dhe nuk ka për të qenë problemi ynë sikurse nuk ka qenë asnjëherë problem ynë.

Nesër është që të ndalim prokurorët e Edi Ramës të cilët të kthejnë atë që ne lamë pas në vitet ’90 pra që të fusin në burg kë të duan, të varfërit të pambrojturit, të papërkrahurit të pambështeturit, ndërsa kusarët e vërtet të rrijnë larg e të qeshin siç e keni parë që zgërdhihet ky shkollëpaku i kam thënë unë, ashtu do ti them gjithë jetën se aq shkollë ka.

Në mënyrë kapilare, në mënyrën e hyrjes së të keqes në çdo qelizë, kjo është një 97-të më e keqe sesa ajo  97-ta që kemi kaluar. Prandaj ne duhet ta ndalim sot që vendi të mos digjet e të shkrumbohet dhe pastaj të mbushurit me para të vërviten nëpër rrugët e Europës apo të botës dhe hallin dhe tokën e djegur ta lënë këtu nga pas. Kjo ndërgjegje politike, ky shqetësim qytetar duhet t’iu përcillet të gjithë atyre që na ndjekin edhe nëpërmjet televizionit, po dhe gojë më gojë me gjithësecilin nga ne për të kuptuar në ç’vështirësi të pashembullt e qorrsokak të frikshëm ndodhet vendi dhe çfarë misioni të rëndësishëm kemi ne të gjithë që ta shpëtojmë  vendin, jo për interesin e ngushtë të asnjërit prej nesh këtu në sallë, por një interes më të madh që shkon përtej këtij momenti dhe që po projektohet për vite me rradhë.

Nesër është vetëm hapi i parë i pandalshëm deri në shkuljen e kësaj të keqe që më në fund atdheu ynë të marrë frymë lirisht.

Vite më parë kemi protestuar në atë vend ku do protestojmë  nesër  pikërisht për ta mbrojtur kushtetutën e vendit që po shkatërrohej në vitin 2008 dhe koha na dha të drejtë për të mbrojtur dhe për të mos pranuar një kod zgjedhor që e dërmoi vendin nga ana elektorale.

Nesër do shikojë, shkollëpaku Rama, se çdo ndodhë! Ai, nuk ka parë gjë akoma!

SHKARKO APP