Petrit Vasili: Trasparencë deri në fund për afganët, po sakrifikojnë shqiptarët dhe jo Rama!

Petrit Vasili

Trasparencë deri në fund për afganët, po sakrifikojnë shqiptarët dhe jo Rama!
Askush sot nuk ka dilema lidhur me keqardhjen për atë që po ndodh në Afganistan.
Në Afganistan e keqja talibane precipitoi rrufeshëm dhe gjithçka peshon në kurriz të mbi 33 milionë afganëve të mberthyer nën një regjim obskurantist dhe tepër të egër.
Tashmë preokupimi ndërkombëtar për çfarë ndodhi është i dukshëm e bashkë me të edhe qëndrimi i çdo shteti lidhur me problemet humanitare, që kanë të bëjnë me evakuimin e disa mijëra afganëve.
Çdo shtet europian ka adaptuar qëndrimet e tij dhe secili shtet ka bërë të qartë hapur dhe publikisht se çfarë do të bëjë, sa afganë do të marrë, si mbulohen shpenzimet për ta, ku do të vendosen si dhe të ardhmen e tyre në secilin vend.
Edi Rama është i vetmi kryeministër, që deri më tani bën vetëm monologje të lobuara propagandistike me zero trasparencë për problemet me afganët.
Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pronë e Edi Ramës dhe nuk mund të jetë pre e abuzimit të tij politik për hallet e tij politike të ditës.
Sot numri i afganëve që do të vijnë në Shqipëri, gjithmonë sipas mediave, sepse trasparenca qeveritare është zero, lëviz nga disa qindra, në mijëra e deri në dhjetëra mijëra.
Trasparenca ndaj shqiptarëve është detyrim absolut dhe i pakapërcyeshëm për Ramën, sepse përgjegjësitë për mbajtjen e tyre janë në kurriz të tyre nga çdo pikëpamje qoftë sa i takon sigurisë, ashtu edhe implikimeve sociale dhe ekonomike.
Shqiptarët vetë përballen me mungesa tragjike, që i bëjnë të largohen me mijëra nga Shqipëria sepse qeverisja nuk ofron asgjë për ta dhe familjet e tyre mendo më tej për afganët…!
Edi Rama duket qartë që ka frikë nga trasparenca ndaj krijon zhurma propagandistike me monologje mediatike dhe deklarata të amplifikuara mediatikisht.
Mungesa e trasparencës fsheh vetëm qëllime të errta të interesit personal politik të Ramës dhe nuk ka aspak të bëjë as me besën dhe as me solidaritetin e shqiptarëve.
Nuk kanë pritur shqiptarët Ramën për të treguar veten.
Mjafton ajo që shqiptarët bënë për vëllezërit nga Kosova dhe që mbetet një shembull botëror sakrifice dhe humanizmi të pashoq.
Për kërkimin e kësaj trasparence nuk do të ketë asnjë lëshim sot e në vazhdim.
Edi Rama ka të drejtë të mos bëjë trasparencë për punët e shtëpisë dhe të familjes së tij, por jo të Shqipërisë dhe shqiptarëve, qe nuk kanë qënë dhe s’do jenë kurrë prona e tij.
Trasparencë deri ne fund dhe pa asnjë lëshim lidhur me ardhjen e afganëve në Shqipëri.
Solidaritet me afganët po, manipulime për qëllimë pushteti të Edi Ramës jo.
Sakrificën e shqiptarëve nuk mund ta përvetësojë dhe manipulojë dot kurrë Edi Rama.
Po sakrifikojnë shqiptarët dhe jo Edi Rama!

SHKARKO APP