Petrit Vasili, zyrtarisht kryetar i LSI
Konventa Kombëtare e LSI votoi sot unanimisht Petrit Vasilin si Kryetar të LSI-së.
Në fjalën e tij në Konventë, Vasili pohoi se qëllimi i partisë që ai do të drejtojë është që të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 18 qershorit. Nga foltorja e Kongresit të LSI, Vasili theksoi se kjo forcë rritet dhe nuk njeh limite.
“Forcë e parë, s’kemi ça bëjmë tjetër. LSI kjo është kryefjala jonë. Pas kaq vitesh, kam nderin që të jem në këtë foltore. Në këtë sallë, është e gjithë historia jonë. Kemi përballuar dhimbjen e padrejtësisë. Pa rininë është një Shqipëri e vdekur. LSI që nuk ka limite, që do të jetë forcë e parë. Është një moment që bënë të qartë për çdo shqiptar se kush është forcë e përgjegjshme politike. LSI ka bërë në këtë drejtim një investim madhor, të sinqertë, të drejtpërdrejt. Në të mirë të stabilitetit të vendit, LSI bëri një tjetër investim. Zgjedhja e Metës president është investim nga LSI. Presidenca zgjodhi Meten dhe jo anasjelltas”, tha Vasili.
Fjala e plotë e Kryetarit të zgjedhur të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili në Konventën Kombëtare të LSI-së:
Nga Petrit Vasili
Të nderuar përfaqësues të Konventës, i nderuar z. Meta, të nderuar anëtarë, të deleguar!
Sot sigurisht nuk ua fsheh, dhe ju flas me zemër në dorë, siç kam folur gjithmonë, jam vërtetë i emocionuar që pas kaq vitesh jam përsëri në këtë foltore dhe për të gjithë ata që nuk e kujtojnë kam pasur edhe nderin e madh që LSI-ja ma ka dhënë, të jem në këtë foltore e të deklaroj themelimin e LSI-së në 6 shtator 2004 dhe të lexoj edhe listën e të gjithë themeluesve.
Sot, po në këtë sallë, është e gjithë historia jonë, e gjatë dhe e shkurtër, është historia jonë e fitoreve të mëdha, por edhe e ditëve në të cilat ne kemi përballuar dhimbjet e padrejtësisë.
Njëkohësisht është historia e përkushtimit, por edhe e dedikimit ndaj qytetarëve, një mision të cilit ne nuk i kemi munguar as në ditët tona më të vështira. Pra, dedikimit ndaj qytetarëve s’i kemi munguar kurrë e s’do t’i mungojmë kurrë. Sot jemi këtu veteranë të LSI-së, por edhe mijëra e mijëra të rinj, që janë anembanë në këtë sallë, por me shumë mirënjohje, ata që ndodhen jashtë kësaj salle unë i përshëndes dhe i përqafoj të gjithë, pasi është shumë e qartë: nuk ka sallë që na mban, duhen vetëm fusha të gjera të hapura.
Jemi të tillë pasi kemi një Shqipëri, tek e cila besojmë se është Shqipëria me rininë, pasi Shqipëria pa rininë është një Shqipëri e vdekur, dhe prandaj kemi një LSI që vetëm rritet, një LSI që vetëm zhvillohet, një LSI që nuk njeh limite, një LSI që ka të drejtë të thotë se do të jemi forcë e parë!
Konventa Kombëtare mbahet në një moment delikat, në një moment të qartë krize politike, por njëkohësisht është edhe një moment që e bën të qartë për çdo shqiptar se cila është forcë e përgjegjshme politike dhe cila jo, cila vë interesat e vendit mbi ato vetjaket dhe cila jo, cila është e gatshme të sakrifikojë për vendin dhe cila jo. LSI dhe Ilir Meta kanë bërë gjithçka për të evituar këtë krizë dhe krizat e tjera në të cilat ndodhet vendi.
Ne kemi bërë të pamundurën dhe kemi dhënë kontribute të jashtëzakonshme për të zgjidhur edhe kriza të mëparshme, që kanë qenë të komplikuara dhe me pasoja tepër të rënda për të sotmen, por edhe për të ardhmen e vendit.
LSI ka bërë në këtë drejtim një investim madhor, të sinqertë, të drejtpërdrejtë, pasi ka krijuar me shumë qetësi dhe stabilitet për vendin, dy elemente pa të cilat vendi do të rrokullisej në qorrsokake shumë të rrezikshme.
Në të mirë të stabilitetit të vendit, LSI bëri edhe një tjetër investim të dimensioneve të jashtëzakonshme për të, duke vënë në funksion të zgjidhjes politike zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit duke investuar në këtë drejtim atë investim politik çerekshekullor, që Ilir Meta kishte bërë në politikën shqiptare, në radhë të parë për ta mësuar këtë politikë që të dialogojë dhe të shikojë gjithmonë interesin e vendit mbi atë personal.
Ndaj sot, po ju them me plot gojën se asnjë strategjist dhe asnjë nga ne këtu nuk e përcaktoi këtë pozicion moral që LSI ka sot kundra konfliktit, gjithmonë pro konsensusit, por ishin rrethanat historike që na paracaktuan që të jemi gjithmonë në këtë linjë dhe në këtë rol dhe për të shkuar akoma më tej. Ilir Meta nuk ishte ai që zgjodhi Presidentin, por ishte presidenca si institucion që zgjodhi atë në këto momente deçizive për vendin, sepse dialogu në këtë vend nuk duhet të ndalojë kurrë. Sepse pa dialog, Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë. Për ne të gjithë është e qartë si drita e diellit se me Ilir Metën president dhe me LSI-në forcë e parë, Shqipëria është më e qetë, është më e begatë, është më e mirë dhe integrimi evropian ecën përpara.
Gjithashtu, për këdo që na ndjek, në shtëpi, jashtë shtëpie, pranë televizorit dhe kudo, në funksion të po kësaj zgjidhje politike, LSI vuri në dispozicion gjithçka që ajo kishte investuar në politikë, vuri në dispozicion që nga mandati i Kryetarit të Parlamentit, mandatet e përfaqësimit të të gjithë ministrave të saj dhe të gjithë funksionet e tjera të përfaqësimit politik vetëm e vetëm sepse kemi një Shqipëri që është shumë më e rëndësishme se sa fati politik i secilit prej nesh.
Ne kemi përpara një sfidë që i kalon të gjitha sfidat, kemi sfidën e cila është themeli, burimi, nëna që mëkon demokracinë: kemi zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Vetëm zgjedhje të lira të tilla: të ndershme dhe me standarde, mund të prodhojnë pushtete legjitime, institucione të forta që janë njëkohësisht edhe të besueshme për qytetarët dhe këtë presin në mënyrë të padiskutueshme të gjithë qytetarët nga ne.
Në funksion të kësaj dhe pa asnjë paragjykim politik, vetëm dhe vetëm për t’i hapur dhe për ti dhënë dimension zgjidhjes së krizës dhe për mos ta mbyllur dhe kryer në një ngërç të pa zgjidhshëm, ne propozuam dhe jemi të gatshëm të pranojmë edhe sot e kësaj dite, edhe në këtë çast dhe pas një ore çdo sugjerim, rekomandim, element, formë të zgjidhjes së krizës që edhe partitë popullor evropian që janë parti të djathta, por që kanë besimin tonë të plotë, mund të ofrojnë për të zgjidhur këtë krizë në Shqipëri. Por duhet mendjehapje, duhen interesat e vendit të jenë përpara që kriza të zgjidhet.
Por cila është detyra kryesore që kemi përpara?
Detyra kryesore është të krijojmë një Shqipëri në paqe, që krijon shanse për të gjithë, që krijon mundësia të vërteta reale për një mirëqenie të prekshme për çdo qytetar pasi çdo veprim politik i cili nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët, është një vendim vetëm për të ricikluar krizën e radhës apo interesin politik të radhës.
Ne e kemi detyrë të rëndësishme e të fortë që gjithë këtë frymë të shkëlqyer pozitiviteti të dukshëm që e ndien çdo shqiptar nën dritën e flamurit të LSI-së ta çojmë fort përpara.
Nën idealin e LSI-së ndërtohet ajo Shqipëri që duam, Shqipëri pa konflikte që punon vetëm dhe vetëm për mirëqenien e gjithsecilit dhe asnjëherë për armiqësimin e shqiptarëve me njëri tjetrin pasi në këtë sallë por edhe mijëra e mijëra shqiptar jashtë kësaj salle e dinë që filozofia kryesore që rrënjosi Ilir Meta në themelin e LSI-së dhe në politikën shqiptare në përgjithësi është që të mos armiqësohemi kurrë me njëri tjetrin. Kjo besoj është një filozofi që të gjithë duhet ta bëjnë të vetëm pasi Shqipërinë e kanë gërryer, e kanë shqyer armiqësitë e të gjitha formave. Intrigat e të gjitha formave. Paposhtëristë e të gjitah formave, pabesitë e të gjitha formave.
Prandaj ne nuk keni kohë të humbasim shanset tona. Ne jemi të pa lodhur, ne jemi të palodhshëm sepse një i ri kërkon një shans për një shkollë më cilësore, një e re kërkon një shans për një punë të mirëpaguar.
Një prind kërkon një shans për një familje të shëndetshme me punë të sigurta e me të ardhura më të bollshme.
Një nënë kërkon një Shqipëri që nuk ja largon fëmijën po ja mban pranë vatrës së saj.
Një i moshuar kërkon një shans që pensioni i saj të jetë i mjaftueshëm, të jetë dinjitoz në fund të fundit.
Një profesionist i lirë kërkon shansin që të dëgjohet.
Një zanatshi kërkon të angazhohet në kohën e tij të lirë e të dëgjohet.
Një profesor kërkon të flas, të shkëmbej pikëpamje.
Një i ri kërkon të drejtoj një organizatë partie, pse jo në një fshat të largët.
Të gjithë e meritojnë një shans. Ne duam ta përmbushin misionin tonë duke i dhënë të gjithëve shansin që meritojnë.
LSI duhet të ketë shansin që ajo të mirëqeveris vendin.
Ne sot kemi një objektiv politik të qartë dhe ai është vetëm një “LSI FORCË E PARË POLITIKE”.
Arsyeja e këtij objektivi është shumë e qartë dhe e thjeshtë për këdo, LSI ka punuar me bindje për të ardhmen e shqiptarëve. E ardhmja e shqiptarëve nuk mund të fillojë nga asnjë pikë tjetër përveç se nga rinia e saj. Rinia e shqiptarëve sot ka një flamur të sajin, ka një objekt krenarie, ka një model më të shëndetshëm e politikës shqiptare, ka një shembull edhe për politikën e vjetër dhe me shumë intriga të lodhshme dhe improduktive. Dhe ky model është Lëvizja Rinore për Integrim.
Ne kemi skuadra elektorale tashmë të njohura në ço qark të Shqipërisë por këto skuadra që ne kemi paraqitur nuk janë skuadra e vetëm atyre, janë skuadra e njerëzve të barabartë midis të barabartëve. Ne e kemi të gjithë sëbashku detyrën që pa u lodhur të gjithë sëbashku, militant, simpatizant, mbështetës tanët, njerëz të qetë që i arsyetojnë duke parë LSI-në duke mbajtur fjalën e saj që ta realizoj këtë objektiv pa u lodhur derë më derë vetëm dhe vetëm me një rrugë e cila është shumë e qartë, është një rrugë e qartë dhe rruga jonë, rruga e dialogut tonë me çdo qytetar.
Pra ne do të fitojmë me tre armë: Modestinë, këmbënguljen, thjeshtësinë.
Në asnjë rast, asnjë i ri i LSI-së apo përfaqësues i saj, qoftë ky kandidat në listën për deputet, militant, drejtues, simpatizant apo kushdo që të jetë, nuk do të ketë mundësi kurrë të na përfaqësojë emrin e LSI-së në rast se ai flet dhe sillet me arrogancë.
Arroganca nuk është dimensioni ynë dhe nuk do të jetë kurrë dimensioni ynë. Jua them me bindje të plotë se duke votuar me LSI-në, Shqipëria do të ndahet nga mospërfillja, nga arroganca, nga veshi i shurdhër dhe ftohtësia e akullt për qytetarin. Pasi janë këto që i kanë zemëruar, i kanë nervozuar, i kanë demotivuar i kanë bërë pesimist qytetarët shqiptar.
Të ecim në rrugën e të rinjve të cilët e kanë këtë modesti shembullore e të shëndetshme. Të gjithë njerëzit e LSI-së duhet të ecin në këtë rrugë, pavarësisht nga mosha e tyre. duhet të shkojmë atje tek qytetari me përulësinë për t’i thënë ç’kemi bërë dhe çfarë nuk kemi bërë për të, të bindur që modestia është ajo që jo vetëm do të na e jap fitoren, por do të na e bëj edhe të bukur këtë fitore.
Ka nga ata që jetojnë nën moton që unë kam gjithçka dhe s’ka rëndësi për të tjerët. Po këta as nuk kanë për të qenë pjesa jonë dhe as nuk do të jenë motivi ynë dhe as nuk do të jenë rruga jonë. Rruga jonë e vetme është: Brenga jote është e imja, problemi jot është i imi, hajde ta ndajmë sëbashku.
Kjo është motoja jonë, kjo është LSI-ja.
Ne jemi dhe mbetemi LSI, LRI, LGI, jemi dhe do të mbetemi veshi, syri i vëmendshëm për çdo breng dhe çdo hall qytetari pasi jua përsëris edhe një herë dhe këtë ta kemi një bindje të madhe në kokë të gjithë ne që jemi dhe gjithë ata që na dëgjojnë, me Ilir Metën President, me LSI forcë e parë, Shqipëria është ajo që ne duam, ajo që dashurojmë, ajo që shkon në Evropë. Ne do ta prijmë këtë proces zgjedhor. Do të themi me bindje të plotë që jemi më të mirë për t’i dhënë Shqipërisë atë frymëzim që ajo meriton. Për t’i dhënë asaj shpresën që ja ngroh zemrën.
Të rrojë Shqipëria, atdheu ynë shumë i shtrenjtë dhe mbi të gjitha të rrojë LSI, LRI, LGI të gjithë sëbashku dhe përpara për fitoren dhe për të qenë forcë e parë.
KOHA JONË SONDAZH

