Peza: Pasuria ime nuk është rritur nga 2013-ta. Akuzat nga ziliqarë
Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, i vënë nën akuzë për blerjen e aksioneve në një bankë private me një shumë 1.1 miliardë lekësh, tha nga selia e Kuvendit, se kjo nuk ishte betejë politike dhe as morale, por betejë ziliqare.
Ai tha se ka marrë rrogë të larta gjatë punës së bërë në media.
Peza: Nuk tregoi asnjë provë. Nuk ishte asnjë betejë politike, por as betejë morale. Po të ishte morale, të paktën të shkonit deri tek zyra e drejtorit tuaj, financës tuaj, ore ky Alfred Peza, kur punonte tek Vizion Plus pse e kishte 10 mijë euro, kur punonte tek Ora News fitonte mijëra e mijëra euro. Është beteja e ziliqarëve për lekët e mia. Zilia është njerëzore edhe unë i mirëkuptoj gjithë ziliqarët për paratë e mia.
Nuk i justifikoj dot. Nëse do të ishte betejë për të vërtetën, ju mund të vinit të më takonit mua. Askush nuk më ka marrë në telefon nga mediat, askush nuk i ka çuar një mesazh bashkëshortes time dhe të thotë dua një prononcim. Këto dokumente do t’i dorëzoj në ILDKP.
Jam një burrë 50 vjeç. Kam 28 vjet që punoj. Bashkëshortja ime ka 23 vjet që punon. Do të doja t’ju sillja në vëmendje deklaratën e parë të pasurisë së Lulzim Bashës. Ishte 30 vjeç dhe kishte punuar vetëm 4 vjet. Ka deklaruar pasuri mbi 1 mln euro, 300 mijë dollarë më shumë se sa unë.
Alfred Peza ishte i adhuruar nga të gjithë. Sapo hyra në politikë u bërë delja e zezë. Pasuria e familjes së Alfred Pezës pas 2013-s është shtuar me zero lekë përveç të ardhurave nga interesat bankare dhe të ardhurat e mia si deputet dhe bashkëshortes si punonjëse të Ministrisë së Jashtme. Unë kam qenë kandidati i parë si deputet i Rilindjes, i ardhur si model i shoqërisë civile. Këtë ka filluar media të quaj skandal?