”Po luhet një pazar i ndyrë”, Basha: Do votojmë kundër, zyrtarët e korruptuar do përfitojnë nga amnistia

Lulzim Basha nga seanca plenare në Kuvend, tha se amnistia penale është një pazar i ndyrë mes qeverisë dhe Rithemelimit. Ai shtoi se zyrtarët e korruptuar do përfitojnë nga amnistia dhe kjo është e tmerrshme. Sipas Bashës, nuk përfitojnë as protestuesit, që mbrojtën shtëpitë e tyre nga shembjet dhe që përndiqen me veprën penale “Kundërshtimi i policisë, në bashkëpunim”.

“Amnistia penale u mbajt peng për 4 muaj. Po keqpërdoren festat fetare për mallëngjim, nga ata që para dy javësh shaheshin me libër shtëpie. Në amnisti janë një sërë veprash penale, që kanë të bëjnë me korrupsionin zgjedhor, që nuk përjashtohen nga amnistia. Vepra penale e korrupsionit nuk mund të përfitojë amnisti.

Zyrtarët e korruptuar nuk mund të përfitojnë nga amnistia. Shumica e protestuesve ndiqen penalisht për kundërshtim të policisë në bashkëpunim dhe kjo vepër penale është jashtë amnistisë. Këto janë fakte, mbi këto fakte është e qartë se çfarë loje dhe pazari i ndyrë po luhet. Mesazhi që i çohet SPAK është që ju i dënoni, ne i lirojmë.

Do përfitojnë zyrtarët e Bashkisë Tiranë që shkatërruan banesat në fundin e Bulevardit të Ri, por nuk do të përfitojnë nënat dhe baballarët, që kundërshtuan policinë. E njëjta gjë me banorët e Shkozës, e njëjta gjë ndodh edhe me protestuesit që ishin kundër shembjes të Teatrit Kombëtar”, u shpreh Basha.

SHKARKO APP