Po ”vdes” Covid-19? Manastirliu: Kemi marrë masat për të parandaluar një valë në shtator
Muajt e fundit duket sikur në vend nuk ka Covid-19, pasi nuk ka humbje në jetë dhe infektimet janë minimale, ndaj dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, thotë se Shqipëria e ka kaluar tashmë riskun nga virusi, por po ashtu ajo thotë se Covid-19 nuk është zhdukur apo se nuk ka ”vdekur” akoma.
Çfarë na pret në vjeshtë? ”Ne kemi mësuar shumë në raport me atë që ka ndodhur në këto 15 muaj të pandemisë. Përvoja e vitit të kaluar, kur u hapëm në muajt e verës, solli një rritje të numrit të infektimeve në shtator, duke hyrë në valën e dytë, por me kufizimet që vumë, Shqipëria nuk e përjetoi valën e tretë.
Jemi duke punuar për të marrë masat për kontrollin e pandemisë. Sa më shumë dhe sa më shpejt të vaksinohen, aq më shumë jetë shpëtohen. Ne po përgatitemi dhe për vaksinimin e gripit, që do duhet të jetë i kombinuar me vaksinimin anti-Covid. Por po përgatitemi dhe me kapacitetet spitalore”,-tha ministrja në ”News 24 ”.