Poezi nga Ali Asllani*: Vlorën edhe Vlorën thelp e kam në zemër, ditën e kam dritë, natën e kam ëndërr…

Poezi nga Ali Asllani që i ngre hymn Vlorës dhe që i shkon sot këtij qyteti me tradita patriotike.

Ai ishte poet, diplomat dhe atdhetar i flaktë.  Asllani lindi në Vajzë të Vlorës me 28 Nentor 1884 dhe vdiq në 20 dhjetor 1966.

“Shëtita Evropën, shëtita Azinë,
gje’ te moll’ e kuqe vajta gjer në Kinë,
sa tutje më tutje, sa lark e më shumë,
dhe atje ku piqej buka mu në kumë;

Deri prapa diellit, në tingli majmun,
dhe atje ku zoti quhej Firaun!
Tobe ja rabi! fryhemi gjynah,
kapërceva qiellin si një zok me krah!

Kapërceva dete mbushur me inxhira,
kapërceva male gurë xhevahira,
gjithë më gostitën, gjithë i gostita,
sa më velesitën, sa u velesita!

Ç’do që desha pata, qumësht dallandyshe,
sa të hanin gjithë, gjyshe dhe stërgjyshe;
dhe me re të bardha dhashë edhe mora,
hazinera gjeta, kur më hante dora!
dhe me re të bardha mora edhe dhashë,
po si Vlorën time një qytet nuk pashë!

Vlorën edhe Vlorën thelp e kam në zemër,
ditën e kam dritë, natën e kam ëndërr…
çdo or’ e minutë ty të kam në gojë,
mbase të zë lemza, kur un’ të kujtojë!
Vlora im’ e bukur, Vlora im’ e lirë,
vetëm ty të dua dhe një gun’ të dhirë!

Aty n’ata rrethe, aty n’ato rrëza
çdo zonj’ e zonjushe matet me thëllëza!
Aty shpirti dridhet, aty zemra hidhet,
aty rreth e rrotull lozën gugulidhet;
dhe për her’ të parë po në atë vënd
një zogëz, një… hajde, më rrëmbeu mënd!

Vlora im’ e bukur, Vlora im’ e lirë,
vetëm ty të dua dhe një gun’ të dhirë!
E kudo që isha e kudo që jamte
këng’ në buz’ të kishja, lot në sy të kamte!”

*I biri i myftiut dhe myderizit Asllan efendi Sylejmani ndhe Hyries së Isuf Meminajt, nga fshati Trevllazër. Ngeli jetim në moshë të re, kur ishte ende 6 vjeç. Me ndihmën e të afërmve dhe miqve të të atit, mundi të ndiqte ruzhdijen e Vlorës. Gjithashtu ndiqte shkollën greke që të mund të nxënte alfabetin grek. Më 1898 nisi të studiojë në shkollën Zosimea të Janinës. Gjatë kësaj periudhe nisi të thurte poezi në turqisht dhe persisht.

Shkoi të studionte mjekësi në Stamboll, por pas një viti e la. Me ndihmën e Ismail Qemal Vlorës dhe Mulla Xhaferr Drashovicës mundi të kalonte provimin hyrës në Institutin e Lartë administrativ “Mülkiye” në Stamboll, ku u diplomua më 1906.

Pas shkollës kreu stazhin në Janinë. Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare osmane, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës.

Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt me ndërhyrjen e Shahin bej Kolonjës, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna.

Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë.

Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek.

Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë.[2] Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Asllani qe pjesë e delegacionit shqiptar kryesuar nga kryeministri Vërlaci dhe ministri Ypi që i dërguan kurorën e Skënderbeut monarkut italian Viktor Emanuelit në Romë.

Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës.

Me ardhjen e regjimit komunist është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.

Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

SHKARKO APP