Policia jep informacion të detajuar për arrestimin e 34-vjeçarit që vuri tritolin në shtëpinë e Armand Dukës
Policia e Durrësit ka dhënë informacion zyrtar për arrestimin e 34-vjeçarit Arlen Hasanaj, si autori i dyshuar për vënien e tritolit në portën e jashtme të banesës së kreut të FSHF Armand Duka.
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit Arlen Hasana, 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit Armand Duka, ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.