Politikani gjerman i prerë: Kufijtë në Ballkan janë të paprekshëm dhe duhet të mbeten të tillë!

Në intervistë me DW, politikani i partisë Të Gjelbrit, Manuel Sarrazin thekson rëndësinë e një politike të koordinuar gjermano-franceze për Ballkanin Perëndimor

DW: Zoti Sarrazin, në qarkullim është një e ashtuquajtur non-paper për një rregullim të ri me ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor, pra në territorin e ish-Jugosllavisë. Çfarë mendoni ju për këtë?

Manuel Sarrazin: Kam bindjen e thellë se të gjitha këto lojëra mendimesh – për mendimin tim edhe teste – kanë nevojë për një refuzim të qartë nga qeveria gjermane dhe Bashkimi Evropian: Kufijtë në rajon janë të paprekshëm dhe duhet të mbeten të tillë. Dhe unë jam shumë i lumtur, që ministri i Jashtëm Maas e ka formuluar aq bukur gjatë vizitës së tij në Kosovë se ideja e vizatimit të kufijve etnikë e ka vendin në koshin e historisë.

DW: Po kësaj radhe idetë e korrigjimit të kufijve po lancohen prej dhe me mbështetjen e anëtarëve të BE. Me sa duket brenda BE ka qëndrime të ndryshme dhe jo një refuzim të qartë…

Manuel Sarrazin: Së pari do të thoja se qëkur u shfaq diskutimi për këmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë, në fakt ishte e qartë – ai u largua nga tryeza përkohësisht – se aktorë të caktuar do të përpiqeshin, që afër përfundimit të erës Merkel ta testonin përsëri, nëse qëndrimi gjerman mbetet vërtet po aq i fortë, sa ç’ishte mbajtur atëherë nga kancelarja. Dhe prandaj është në radhë të parë e rëndësishme që qeveria gjermane të mbajë një qëndrim krejtësisht të qartë mbipartiak.

Unë mund të them për partinë time, se ky qëndrim është shumë i qartë. Edhe Annalena Baerbock, për shembull, e theksoi personalisht edhe një herë këtë qëndrim në përvjetorin e përvjetorit të masakrës së Srebrenicës. E dyta është, se na thuhet që kjo letër nuk vjen nga qeveria sllovene. Ndërkaq ka zëra, se njerëz të caktuar nga qeveria sllovene mund të kenë shkruar në të. Dhe unë e konsideroj këtë një zhvillim vërtet të rrezikshëm, të cilit i duhet përgjigjur me një angazhim të fortë nga Parisi dhe Berlini në Ballkanin Perëndimor.

DW: Të hënën e ardhshme (10 maj 2021) ministrat e Jashtëm të BE do të merren përsëri me Ballkanin Perëndimor. Jo vetëm Sllovenia po ndjek kursin e vet, por edhe nga Franca dhe vende të tjera kanë vazhdimisht pengesa për të mbajtur premtimet ndaj Ballkanit Perëndimor, si në çështjet e bisedimeve të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë apo liberalizimin e vizave për Kosovën ..

Manuel Sarrazin: Mendoj se është e rëndësishme që perspektiva e BE nuk ka qenë vetëm përgjigjja për luftërat e viteve nëntëdhjetë, por duhet të jetë përgjigjja e denjë për t’iu kundërvënë ideve të non-paper të tillë, ideve të rindarjes etnike. Dobësia e BE prezantohet nga njëra anë përmes një përçarjeje të mundshme në qendrimet e BE, por edhe përmes mungesës së besueshmërisë, që ne vërtet duam ta çojmë përpara me të gjitha forcat procesin e zgjerimit. Prandaj është tejet e rëndësishme që të zhvillohen negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, që ne të forcojmë përsëri besueshmërinë në BE. Nëse bëhen premtime të mbahen. Kosova i ka përmbushur prej kohësh kriteret teknike për liberalizimin e vizave. Kjo është arsyeja, pse ne po angazhohemi te qeveria gjermane, por edhe te partnerët tanë evropianë, që të miratojnë sa më parë liberalizimin e vizave. Ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm për rajonin se progresi është i mundshëm dhe gjithashtu një sinjal në të mirë të paqes në Kosovë.

DW: Po edhe për këtë mungon konsensusi në BE. Ndoshta, duke patur parasysh bllokadat e brendshme të BE, nevojitet një qasje e re për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Manuel Sarrazin: Nuk jam i sigurt që tani, që kemi adaptuar procedurën e zgjerimit, na duhen si të thuash procedura të reja. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që angazhimi i Berlinit dhe Parisit të theksohet sërish dhe të krijohet edhe ndjesia se Berlini dhe Parisi duan të punojnë ngushtë së bashku me partnerët e tyre në rajon. Gjëja e dytë e rëndësishme është që ta bëjmë të qartë pa ekuivoke, se BE e di, se po përpiqet, nëse ndërhyn për zgjidhje, këto zgjidhje nuk duhet të kontribuojnë për ashpërsimin e linjave të ndarjes etnike.

Dhe ky duhet të jetë standardi, që duhet formuluar shprehimisht, për shembull në veprimtarinë e BE lidhur me reformën e ligjit zgjedhor në Bosnjë dhe Hercegovinë: Çdo zgjidhje Brukseli dhe kryeqytetet evropiane duhet ta masin me faktin, nëse i shërben qëllimit për më pak ndarje etnike, apo nëse arrin ndoshta madje të kundërtën.

DW: Kur jemi te Bosnjë-Hercegovina: Si duhet të funksionojë ajo brenda kornizës së Dejtonit, e cila çimenton etnizimin e politikës boshnjake? A kemi nevojë për një Dayton 2?

Manuel Sarrazin: Unë i kuptoj të gjithë ata, që do të dëshironin një hap të madh, sepse të gjithë e dinë se Dejtoninë 1995 i dha fund luftës, por natyrisht me strukturën dhe historinë e krijimit nuk mund t’i përgjigjet plotësisht problemit të vendit. Por në situatën aktuale gjeopolitike dhe konstelacionin e aktorëve me ndikim në Bosnjë, nuk mendoj se është realiste dhe as strategjike të përpiqesh të negociosh tani për një marrëveshje të madhe. Unë mendoj se duhet të përqendrohemi për të përshtatur kushtetutën e vendit, që t’i përgjigjet vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ky duhet të jetë interesi i të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës dhe më vonë si pasojë e kësaj të induktohet një reformë e ligjit zgjedhor, që të shërbejë me të vërtetë për të reduktuar ndarjen etnike të vendit dhe për të përmirësuar qasjen në zgjedhje edhe të njerëzve, që nuk duan të përfshihen në një prej grupeve etnike. Një Dayton të madh 2 për momentin nuk do të doja ta prekja me dorë.

DW: Para disa ditësh 250 intelektualë dhe ndikues të opinionit nga vendet e Ballkanit Perëndimor botuan një letër apeli, në të cilën ata jo vetëm që shprehin kundërshtimin për ndryshimet e kufijve, por akuzojnë edhe BE se po mban anën e lojtarëve të gabuar dhe se po mbështet stabilokratët, të cilët janë pjesë e problemit. A jeni dakord me autorët?

Manuel Sarrazin: Po shohim më shumë se kurrë, që aktorë të caktuar politikë në rajon nuk i drejtojnë më axhendat e brendshme politike me synim prioritar anëtarësimin në BE. Dhe kjo nga njëra anë sigurisht që është politikisht e gabuar, por në disa raste nuk mund t’ua marrësh për keq, nëse ata kanë ndjesinë se shpërblimi nuk po vjen, kur konfontohesh me proceset shumë të vështira, ndonjëherë shumë të dhimbshme të reformave dhe pastaj nuk merr nga BE shpërblimet e e premtuara, si hapja e negociatave të pranimit.

Pikërisht lidhur me lirinë e shtypit, shumëllojshmërinë e peizazheve politike në shumë vende të rajonit, shohim vitet e fundit një trend të kthimit prapa, që bie në kundërshtim me rrugën drejt BE-së. Mendoj se për këtë arsye ne si Bashkim Evropian duhet të fillojmë që në rajon të mos investojmë më vetëm në drejtim të kapitujve të negociatave dhe diskutimeve me qeveritë, por të punojmë më shumë edhe në mendësinë e njerëzve: të hyjmë në kontakt direkt me shoqërinë civile atje. Për të forcuar si të thuash rolin e tyre në proceset e veprimit politik edhe përballë partive të mëdha. Për këtë natyrisht është e rëndësishme që, kur BE si e tillë përfshihet në procese, që adresojnë reformat zgjedhore si në Bosnjë, transparenca dhe sinqeriteti i procedurës janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Nuk besoj se BE është në gjendje të ‘ndërmjetësojë’ me sukses marrëveshjet prapa skene si të thuash mes personaliteteve politike, sepse për mendimin tim politikanët e rrahur me vaj e me uthull nga rajoni janë ndonjëherë më të shkathët se diplomatët evropianë, kur vjen puna për organizimin e marrëveshjeve prapa skenës. Këtë e them me respekt, por patjetër negativisht.

DW: Si e shihni idenë e Mini Schengenit, së paku lirinë e lëvizjes dhe transportit brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor, si ide integruese dhe mbase një ide që mbështet pajtimin dhe njohjen e ndërsjellë?

Manuel Sarrazin: Unë e kam parë gjithmonë në radhë të parë si aksione PR nga disa kryetarë qeverish dhe deri tani nuk kam ndjesinë se negociatat për këtë do të çojnë në sukses të shpejtë. Pikërisht edhe kur bëhet fjalë për çështjen, se në ç’masë një integrim i tillë rajonal lehtëson hapat drejt integrimit në BE apo ndoshta në fund i bën më të vështira, sepse sigurisht duhet të bazohet në përcaktimet ligjore, që ofron “Acquis communitaire” (përfshin tërësinë e ligjeve, akteve ligjore dhe vendimeve gjyqësore që konstituojnë drejtësinë në Bashkimin Europian, shën red.). Por përshtypja ime është, se projekti deri tani nuk është bërë ende një shembull i ndritshëm i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal.

SHKARKO APP