PPE: Dënoni zyrtarët e Qeverisë që vodhën votat

-Qëndrimi unanim i partive që drejtojnë institucionet kryesore të Bashkimit Europian është se fati i integrimit vendoset nga zgjedhjet e 25 prillit. Kuvendi të zbatojë rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën zgjedhore, thekson deklarata nga kryeqendra europiane, Brukseli. Ndërkohë Rilindja e Ramës nuk ka ndërmend të zbatojë kërkesat e BE.

Asambleja e Partive Popullore Europiane ka miratuar mbrëmë një rezolutë të posaçme mbi zhvillimet në Shqipëri. Dokumenti i partive që kanë shumicën e votave në Parlamentin Europian dhe shumicën e drejtuesve të institucioneve të Bashkimit Europian i kushton vëmendje të posaçme zgjedhjeve të 25 prillit, ndëshkimit të korrupsionit, vjedhjes së votave dhe reformës në drejtësi. Në mënyrë unanime, drejtuesit e partive që bëjnë pjesë në këtë forum kërkojnë nga qeveria “Rama” që të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të 25 prillit me standarde demokratike. PPE thekson se 25 prilli dhe mënyra sesi do të zhvillohet procesi do të përcaktojnë dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Mesazhi që vjen nga ky qëndrim do të thotë se çështja e negociatave me qeverinë “Rama” është mbyllur dhe procesi për Shqipërinë do të rinisë vetëm pas zgjedhjeve parlamentare.  Lidhur me zgjedhjet, PPE i cilëson të papranueshme ndryshimet në Kodin Zgjedhor nga Partia Socialiste dhe kërkon që Kuvendi të zbatojë sa më parë rekomandimet e Komisionit të Venecias. “PPE vlerëson legjislacionin zgjedhor të miratuar në mënyrë konsensuale, por denoncon atë të mëvonshëm të njëanshëm ligjet e qeverisë që shkelën marrëveshjen ndër-partiake të 5 qershorit 25, duke minuar kështu brendësinë dhe besimin evropian”- thuhet në rezolutën e PPE.

Dokumenti i PPE në mënyrë të qartë flet hapur për ndëshkimin e abuzuesve dhe vjedhjes së votave në zgjedhjet e kaluara. Drejtuesit e forumit më të madh të partive europiane ndalen konkretisht në dosjet e manipulimeve të  votave, që lidhen me Dibrën dhe Durrësin e ku janë implikuar ministra dhe deputetë të PS. Zyrtarët e PPE dhe vendeve anëtare të BE kërkojnë ndjekje penale për personat që janë përfshirë në procesin e manipulimit. “PPE bën thirrje për ndjekjen penale të të dyshuarve, duke përfshirë zyrtarë të partive në pushtet, në blerjen e votave dhe manipulim të votave siç është paraqitur edhe në dosjet e prokurorisë 339 dhe 184 dhe të ekspozuara në media evropiane. Thekson se pengimi i drejtësisë dhe mosndëshkimi i vazhdueshëm është të papranueshme”,- thuhet në dokumentin e PPE. Rilindja në Tiranë prej kohësh e ka harruar dhe i ka mbyllur këto dosje, por mesa duket në Bruksel dhe kancelaritë e vendeve të BE, emrat e ministrave e drejtuesve të qeverisë që kapen duke vjedhur vota nuk harrohen lehtë. Hetimi dhe ndëshikimi është një kusht tjetër i BE për negociatat, që tashmë vjen i përsëritur dhe në qëndrimin e partive kryesore të vendeve europiane. Në mënyrë të posaçme, PPE jep dhe një vlerësim për reformën në drejtësi. Qeveria dhe një pjesë e diplomatëve thonë se kjo reformë është një histori suksesi. Por propagandës rilindëse duket se i ka dalë boja për këtë reformë dhe askush nuk e merr më seriozisht. PPE kërkon funksionimin sa më parë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ndërsa thekson se “progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar apo sjellë përpara drejtësisë”. Institucioneve në Shqipëri po u kërkohet që të tregojnë shembuj konkret për ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar dhe në 8 vite zullume që ka bërë Rilindja, emrat e ministrave dhe zyrtarëve që janë përfshirë në afera të mëdha nuk mungojnë. Kërkesa e ndërkombëtarëve për të ndëshkuar zyrtarët e lartë të Rilindjes që vodhën votat dhe kanë kryer korrupsion shpjegon dhe arsyen se përse Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese po sabotohen me çdo kusht nga qeveria./Mili Xhani/

SHKARKO APP