PR: Akuzat e përdala të OSBE, Duka s’ka lidhje kriminale
Partia Republikane ka reaguar sot me indinjatë ndaj "të ashtuquajturit Raport i OSBE-së”, siç e quan ajo dhe merr në mbrojtje, deputetët e saj Agron Duka dhe Ylli Shehu, që tani ka kaluar tek LSI.
Sipas PR-së, "qoftë ky dhe një material i brendshëm i kësaj organizate serioze, tregon papërgjegjshmëri, e cila bie në nivelin më të ulët e të turpshëm të ndonjë media të shkruar, e cila manipulon fakte për qëllime politike dhe përfitimi. Deputeti dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, z.Agron Duka, nuk ka asnjë lidhje me akuza të përdala të cituara në të ashtëquajturin “Raport”. Ai është një njeri i ndershëm, i respektuar dhe me mbështetjen më të gjërë në qarkun e Durrësit. Si biznesmen ka qenë i ndershëm, në respekt të ligjit dhe të shtetit. Përsa i përket lidhjeve me interesa kriminale në Shijak, Durrës e Vlorë, këto janë pjellë e mëndjeve të sëmura, të cilat kanë bërë këtë Raport, apo shpifin.
Ylli Vesel Shehu, ish-deputet i PR-së, nuk ka paguar asnjë qindarkë për t`u bërë deputet i Partisë Republikane. Ndërkohë, akoma ky deputet rezulton se nuk ka shlyer detyrime mediatike përkundrejt subjekteve private, për fushatën e tij elektorale.
Këto, si OSBE ashtu edhe ata që i bëjnë hosana këtij Raporti, mund t`i vërtetojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me deputetin Ylli Shehu, i cili tashmë është deputet i LSI-së. Për sa sipër, Partia Republikane kërkon një qëndrim publik të përfaqësisë së OSBE-së, lidhur me këtë Raport paçavurë, si dhe i kërkon autoriteteve shtetërore që të mbajnë qëndrim për këtë çështje."
KOHA JONË SONDAZH

