Presidenca letoneze BE: Presim rezultate nga Shqipëria
Ministri i Jashtëm i Letonisë paraqiti prioritetet e zgjerimit të BE-së për 6 muajt e ardhshëm para Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian.
Përfaqësuesi i Rigës theksoi se Shqipëria duhet të japë rezultate në prioritetet kyçe, përpara se të nisë procesin e bisedimeve të anëtarësimit, ndërsa shprehu ambicien për “hapjen e kapitujve të parë të bisedimeve me Serbinë, nëse vendi përparon dukshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe zbaton marrëveshjet me Kosovën, e cila mund të firmosë MSA-në gjatë pjesës së parë të 2015-s”.
Paralelisht premtohet hapja e kapitujve të rinj negociues për Malin e Zi, asgjë për Bosnjen, ndërsa mungon unanimiteti në Këshillin e BE-së për Maqedoninë.
“Dhënia e statusit kandidat ndaj Shqipërisë vitin e kaluar ishte i merituar dhe njohje e punës së kryer përgjatë rrugës së saj për në BE. Ne e mirëpresim këtë progres, por ka më shumë sfida për t’u përballuar përpara se të mund të çelen negociatat”, tha Edgars Rinkevics, ministër i Jashtëm i Letonisë.
Projekt ambicioz por vështirë të zbatohet, vlerësoi eurodeputeti sllovak Kukan. Për të qënë i suksesshëm, ai i sugjeroi ministrit të Letonisë të mbante kontakte të ngushta me Përfaqësuesen e Lartë, shërbimin diplomatik dhe përfaqësitë e shteteve anëtare në vendet e rajonit.
Ndërsa eurodeputeti rumun, Bostinaru, këmbënguli mbi mundësinë e çeljes së kapitujve të anëtarësimit me Shqipërinë, bazuar në lajmet e fundit pozitive, siç u shpreh ai. Por, për shkak se gjatë seancës së parashikuar mbi zgjerimin mjaft eurodeputetë pyetën Presidencën e re mbi Rusinë, një temë kjo e mbyllur për publikun, seanca vijoi me dyer të mbyllura, duke përfshirë vetëm diplomatët rusë të pranishëm.
Mësohet se ministri letonez informoi mbi rezultatet e Këshillit të BE-së për terrorizmin, vazhdimin e sanksioneve ndaj Rusisë, liberalizimin e vizave me disa vende fqinje, e ngecjen e negociatave me Turqinë. Ndërsa për Shqipërinë, ai korrigjoi eurodeputetin e majtë mbi procesin e zgjerimit, duke përsëritur se vendi duhet të dëshmojë rezultate në disa fusha, përpara se të jepet një rekomandim pozitiv nga Komisioni për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Prioritetet e Presidencës së re të BE-së u dëgjuan pas raporteve respektive për Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë e Kosovën, ndërkohë që raporti për Shqipërinë pritet të diskutohet në pranverë./ TCH