President Meta: Qeveria prej kohësh ka dalë jashtë shinave kushtetuese

 Presidenti Ilir Meta shprehet se qeveria aktuale ka dalë prej kohësh nga shinat kushtetuese. Në një intervistë për “Fax News”, “qeveria e përbuz shtetin e së drejtës dhe i urren zgjedhjet e lira”.

Pjesë nga intervista e kreut të shtetit për “Fax News”

Pyetje: Duket sikur është shtuar një nga kushtet e Bashkimit Europian, edhe marrëveshja e detit, apo dhe çështje të tjera të lidhura me këtë aspekt. Keni një koment zoti President?

Presidenti Meta: Nuk ka si të jetë një marrëveshje e tillë kusht, për arsye sepse kjo është jashtë çdo parimi mbi të cilin funksionon dhe duhet të funksionoj Europa e Bashkuar. Kjo është një çështje bilaterale midis dy vendeve, që duhet të zgjidhet në mënyrë transparente, në përputhje me ligjet ndërkombëtare, me Konventat Ndërkombëtare dhe ligjet e secilit vend.

Në rastin tonë kemi dhe një vendim të veçantë të Gjykatës Kushtetuese të kërkuar nga Partia Socialiste.

Sigurisht, që kjo çështje nuk mund të zgjidhet përmes çdo lloj presioni, sepse nuk i shërben as zgjidhjes së vërtetë, as miqësisë afatgjatë midis dy vendeve, duhet të jetë në interesin më të drejtë të dyja vendeve.

Pyetje: Po ka një kryeministër autokrat, që do ta përdorë për interesat e tij, ose për kredo e tij politike. Siç çështja e detit, po dhe shumë çështje të tjera që lidhen me Institucionin e Presidentit.

Duke hartuar edhe ligje në Parlament, duke dal edhe jashtë Kushtetutës.

Presidenti Meta:  Ne, e kemi të qartë që kjo është një qeveri që ka dal prej kohësh jashtë shinave kushtetuese. Është një qeveri që përbuzë shtetin e së drejtës, parimin e kontrollit dhe të balancës midis pushteteve.

Është një qeveri që urren zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe bën çdo gjë, që të provokoj opozitën, ta intimidojë atë, votuesit dhe qytetarët.

Jemi dëshmitarë të një fushate të turpshme, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër, ndoshta në ndonjë vend të humbur afrikan, ku Kryeministri u kërkon hapur kryetarëve të Bashkive, u vendos kuota, sesa vota i duhen për partinë e tij.

Ndërkohë, që mund t’u kërkonte dhe duhet t’u kërkojë llogari, për të përmirësuar shërbimet publike ndaj qytetarëve, ndaj komuniteteve për të cilat ata janë zgjedhur.

Shohim një fushatë të shfrenuar në administratën publike, me presione primitive dhe që sigurisht nuk do të kenë asnjë sukses.

Mendoj, që qytetarët janë tepër të ndërgjegjshëm, që nuk mund të vazhdojnë me këtë mënyrë, nën presion, nën të vetmen reformë, që është reforma e frikës nga pushteti.

Ndaj dhe ata,  do të marrin përgjegjësitë e tyre dhe do të tregojnë, që janë qytetarë të vërtetë europianë.

 Pyetje: I nderuar President, Ju, keni firmosur shumë dekrete por, keni vënë firmën kundër edhe mbi  shumë dekrete të tjera, me një argumentim shumë të rrjedhshëm dhe shumë të qartë. Por, edhe pse firma juaj ka qenë kundër, po të shohësh Parlamentit, as nuk i hyn fare  në sy, të lexuarit si arsyetim!

Presidenti Meta: Kapja e drejtësisë, kapja e Prokurorisë në mënyrë antikushtetuese që, me zgjedhjen e Prokurores së Përkohshme dhe me paralizimin e gjithë institucioneve të drejtësisë, sigurisht që ka fryrë më tej arrogancën, që nuk është se ka munguar edhe më parë të këtij kryeministri dhe të kësaj qeverie. E cila natyrisht që do e marri një përgjigje.

Pyetje: Keni shkuar në çdo cep të Shqipërisë, keni  mbjellë një lloj shprese dhe a keni vërejtur që Shqipëria është e jetueshme kudo? A do e vazhdoni këtë mision?

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim, ky është një angazhim i pakthyeshëm dhe  është një betejë që do të fitohet. Këtë radhë është beteja për t’i dhënë fund njëherë e mirë shpopullimit të Shqipërisë, sepse praktikisht në rastin e Shqipërisë nuk kemi migrim, siç mund të kemi në rastin e Serbisë, të Bosnjës apo të Malit të Zi, por kemi shpopullim.

Sepse për 1000 mijë banorë, nga Serbia ikën 1, ndërsa nga Shqipëria ikin 12 shqiptarë. Nga Bosnja ikin 1, këtu ikin 18 shqiptarë. Nga Mali Zi ikën 1, këtu ikin 17 dhe nga Kosova ikën 1 nga Shqipëria ikin më shumë se 4.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që, këtu kemi të bëjmë me shpopullim, nuk kemi të bëjmë me migrim. Nëse 94% e të rinjve shqiptarë që studiojnë jashtë shtetit nuk duan të kthehen në Shqipëri, apo mbi 70% e të rinjve që studiojnë në Shqipëri, duan të ikin jashtë shtetit, atëherë çfarë do të thotë kjo? Kjo, do të thotë një mungesë totale e perspektivës. Një trup pa kokë, ku mund të shkojë? Vetëm do të bjerë në humnerë. Ky është një angazhim, është një mision që, do eci përpara dhe patjetër do fitojë. Sepse ka të bëj me ekzistencën tonë,  jo vetëm si shtet, por edhe si komb. Këto pikëpyetje që janë vënë rreth këtyre vlerave dhe interesave kombëtare, gjatë këtyre viteve me siguri që, do marrin një përgjigje finale, shumë shpejt në 25 prill.

 

SHKARKO APP