Presidenti Begaj mesazh ngushëllimi familjes Cenalia, vendoset një kurorë me lule në homazhet e lamtumirës
Presidenti Bajram Begaj i shpreh ngushëllimet familjarëve të efektivit të vrarë, Novruz Cenalia. Kreu i Shtetit dërgoi një kurorë në homazhet e lamtumirës, që u zhvilluan sot në qytetin e Fierit.
“Jam thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të djalit tuaj, punonjësit të Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia. Asgjë nuk e lehtëson dhembjen që po përjetoni, por më lejoni që në këto çaste të vështira të shpreh mbështetjen time për ju, të afërmit, miqtë dhe kolegët e Novruzit”, shkruan Begaj në mesazhin e ngushëllimit.
Presidenti Begaj e dënon aktin kriminal, duke shprehur bindjen se institucionet përkatëse do të vënë përpara përgjegjësisë autorin e kësaj ngjarjeje tragjike, i cili i mori jetën të riut me uniformë.