Presidenti Begaj në Berat: Kuvendi i Sinjës, ngjarja historike që na thërret të jemi të bashkuar për të ardhmen

Presidenti Bajram Begaj ishte sot në qytetin e Beratit për të përkujtuar 113-vjetorin e Kuvendit të Sinjës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, që parapriu shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kreu i Shtetit u prit nga kryetari në detyrë i bashkisë Berat, Ervin Ceca me të cilin diskutoi mbi projektet dhe iniciativat lokale.

Në shoqërinë e autoriteteve vendore, deputetëve, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe të shoqërisë civile, Presidenti vendosi një kurorë në monumentin kushtuar Kuvendit dhe vizitoi muzeun përkujtimor. Në fjalën e tij përshëndetëse, Begaj theksoi se Kuvendi i Sinjës ishte një akt guximi dhe bashkimi, ku shqiptarët vendosën të lënë mënjanë ndasitë fetare, krahinore apo personale për të vënë përpara një interes madhor: shpëtimin e Shqipërisë.

”Kuvendi i Sinjës ishte parathënia e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte një shprehje e fuqishme e unitetit dhe harmonisë kombëtare. Këtu u vendos që përballë kërcënimit nuk do të kishte më ndasi, as fetare, as krahinore, as personale, por vetëm një interes madhor, interesi i shpëtimit dhe mbijetesës së Shqipërisë”, u shpreh Presidenti Begaj. Duke e cilësuar historinë si “jo thjesht kujtim, por pasqyrë”, Kreu i Shtetit u ndal në domosdoshmërinë e unitetit kombëtar në sfidat e sotme, si: siguria, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e identitetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Në një botë që ndryshon me ritme të vrullshme, ku sfidat janë të shumta, nga siguria, te zhvillimi ekonomik e teknologjik dhe ruajtja e identitetit kombëtar, na duhet më shumë se kurrë fryma e Kuvendit të Sinjës: fryma e bashkimit, e besimit te njëri-tjetri dhe përgjegjësia e përbashkët”, theksoi presidenti.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në një mesazh drejtuar të rinjve, Presidenti Begaj nënvizoi se historia shqiptare nuk është histori viktimash, por e qëndresës dhe e ringritjes, duke u bërë thirrje brezave të punojnë për një Shqipëri më të drejtë, më të bashkuar e më të denjë. ”Të mos harrojmë se ashtu si në Sinjë, çdo brez ka kuvendin e vet dhe çdo brez duhet të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur. Nëse gjeneratat e kaluara dhanë gjithçka për lirinë, ne duhet të japim gjithçka për dinjitetin, për mirëqenien, për zhvillimin e këtij vendi që e duam kaq shumë”.

Ceremonia përkujtuese e Kuvendit të Sinjës u mbyll me thirrjen e Presidentit për më shumë ndershmëri, bashkim dhe frymëzim nga vlerat e Rilindjes Kombëtare. Presidenti vizitoi edhe muzeun e Sinjës, ndërsa ftoi autoritetet vendore të shtojnë vëmendjen e edukimit të rinisë me historinë nëpërmjet vizitave në muzeume.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?