Presidenti francez Macron vizitë zyrtare në Shqipëri, pritet në kryeministri nga Rama

Kryeministri Edi Rama ka pritur në Kryeministri presidentin francez Emmanuel Macron.

Pritet që dy liderët pasi të zhvillojnë një takim kokë më kokë të nënshkruajnë disa marrëveshje në fushën e mbrojtjes, turizmit dhe prodhimit të energjisë.

Më pas, rreth orës 10:00 pritet që Macron dhe Rama të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Të dy udhëheqësit do të flasin edhe në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku do të jetë i pranishëm edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner si dhe ish-kryeministri italian Matteo Renzi.

Presidenti Macron mbërriti dje në Tiranë në kuadër të punimeve të Samitit të VI të Komunitetit Politik Europian, ndërsa ditën e sotme axhenda e presidentit Macron vijon me takime me zyrtarë të lartë të vendit.

Në kuadër të eventeve në ditën e Samitit të VI të Komunitetit Politik Europian u nënshkrua dje edhe deklarata e bashkëpunimit për Planin e Veprimit për Inovacionin Francë-Shqipëri, e cila ndër të tjera i jep dritën jeshile “Ecole 42”, shkollës prestigjioze franceze të kodimit.

Deklarata u nënshkrua në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, të cilët vizituan mjediset e Piramidës ku është hapur një strukturë e re dedikuar Ecole 42, që do të përgatisë të rinjtë e Tiranës, por jo vetëm në fushën digjitale.

Kjo është vizita e dytë zyrtare e presidentit Macron në Tiranë, ndërsa në 16-17 tetor 2023 ka zhvilluar vizitën e parë në Shqipëri, njëkohësisht vizita e parë e një presidenti francez në vendin tonë.

SHKARKO APP