Presidenti i ri/ Kryemadhi: Një farsë nga PS-ja, të zgjidhet nga populli me referendum
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e quan një farsë proçesin e PS-së për zgjedhjen e Presidentit të ri. Për të PS-ja i ka votat dhe mënyra më e mirë është që kryetari i shtetit të zgjidhet me votat e popullit përmes një referendumi.
”Kush mendon se ka një proces serioz, bëhet qesharak. Sot Kushtetuta ia lejon mazhorancës ta zgjedhë me 71 vota. Nëse mazhoranca do të kishte vullnet për të mos e zgjedhur në mënyrë të njëanshme, le t’ia jepte popullit ta zgjidhte me referendum.
Për mua neveria më e madhe është përdorimi i një grupi deputetësh, disa për karrierë apo për të qenë peng i Edi Ramës, duke u bërë fasadë dhe për të noterizuar aktet e paligjshme të Ramës.
Ne kemi sot një strukturë parlamentare, ku deputetët e PS-së janë në rresht për një dhe nuk kanë integritetin dhe guximin për të kundërshtuar kryeministrin”.