Presidenti, Meta: Jo zgjedhje të parakohshme, presim PD-në
Kryetari i Kuvendit dhe i LSI, Ilir Meta, u shpreh gjatë një prononcimi për mediat, pas raundit të dytë të zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi, se qëllimi i vetëm i mazhorancës mbetet përfshirja e opozitës në këtë proces. Meta tha se raundi i tretë me 84 vota do të zhvillohet të enjten e ardhshme në orën 15:00.
“Vendosëm që raundi i tretë të zhvilloet të enjten e ardhshme në orën 15:00. Ne këmbëngulim për bashkëpunim, dialog, konsensus, besojmë dhe nuk duam të paragjykojmë mënyrën e reagimit, apo reflektimit të opozitës. Shpresojmë që edhe opozita dëshiron që vendi të ketë një president dhe dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje për një proces të lirë dhe të ndershëm. Çështja kryesore nuk është çështja e koalicionit, por dhënia e një mundësie PD-së dhe partive opozitare që s’janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor, për t’u regjistruar edhe si subjekte, por edhe si koalicione”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit sqaroi se mazhoranca nuk ka në plan zgjedhjet e parakohshme. Sipas tij, qëllimi kryesor mbetet përfshirja e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit. “Nuk e shikoj si një variant konstruktiv dhe të dobishëm. Nuk është ky qëllimi, qëllimi është përfshirja e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri”, u shpreh Meta.
Deklarata për media e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta:
Dëshiroj të bëj të ditur që Konferenca e Kryetarëve vendosi, që raundi tjetër për zgjedhjen e Presidentit të zhvillohet të enjten e ardhshme në orën 15:00, dhe shpresojmë që është një kohë e mjaftueshme edhe për të mundësuar një dialog të mundshëm me opozitën edhe për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Por kuptohet edhe për të tejkaluar çështjen e gjithë klimës për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme.
Meta nëse opozita vijon me këmbënguljen e saj, a do të votojë mazhoranca një kandidat të saj në raundet e ardhshme?
Ne këmbëngulim për bashkëpunim, për dialog dhe për konsensus dhe besojmë dhe nuk do të paragjykojmë mënyrën e reagimit apo të reflektimit të opozitës.
Shpresojmë që edhe opozita dëshiron që vendi të ketë një President që vjen përmes bashkëpunimit dhe konsensusit dhe mbi të gjitha, dëshiron që të marrë pjesë në zgjedhje dhe të garantohet gjithçka është e mundur, që ato të jenë të lira, të ndershme dhe të barabarta.
Ende nuk ka një vendim nga KQZ përsa i përket letrës që i keni dërguar si koalicion për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve. Nëse nga mbledhja e sotme nuk do të ketë vendim nga KQZ për të pranuar këtë kërkesë tuajën, a do të ketë aleancë paszgjedhore me PS?
Çështja kryesore nuk është çështja e koalicionit PS-LSI. Çështja kryesore besoj se është dhënia e një mundësie në kohë të Partisë Demokratike dhe partive opozitare, që nuk janë regjistruar as si subjekte politike për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor, pra për t’u regjistruar edhe si subjekte, por edhe si koalicion. Ky është thelbi kryesore i kësaj iniciative. Përsa i takon vendimit që marrin institucionet e tjera është çështje e tyre.
Po me zgjedhjet e parakohshme z. Meta? Do të mundësonte futjen e opozitës dhe pa rrezikuar shkeljen e ligjit dhe afatet që tashmë kanë tejkaluar?
Nuk e shikoj si një variant konstruktiv dhe të dobishëm dhe nuk është ky qëllimi. Përkundrazi, qëllimi është përfshirja e opozitës edhe në zgjedhje edhe në çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Pra nuk e patë të arsyeshme të regjistroheshit si koalicion me PS e më pas ta prisnit bashkë opozitën?
Po në rast se kjo e dyta do të ishte shkelje, është e njëjta logjikë. Kështu qëllimi nuk ka qenë kjo.
Përkundrazi qëllimi ka qenë t’i jepet një mundësi Partisë Demokratike dhe gjithë partive të tjera të opozitës që nuk janë regjistruar as si subjekte politike, as si koalicion që ta kenë këtë mundësi në ditët që vijnë.
KOHA JONË SONDAZH

