Presidenti Meta: Kauza e 2 marsit për mbrojtjen e Kushtetutës qëndron
Presidenti Ilir Meta deklaroi se ndryshimet e fundit në Kodin Penal, të cilat u bënë sipas praktikave më të mira europiane, u heqin mundësinë institucioneve që të abuzojnë me të drejtat e qytetarëve gjatë pandemisë. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24 me Nisida Tufën, presidenti i Republikës, Ilir Meta, tha se Shqipëria kishte një mungesë baze ligjore për rastet e sëmundjeve dhe kjo krijonte interpretime të ndryshme nga institucionet gjatë pandemisë.
Presidenti Meta u shpreh se kauza manifestimit të 2 marsit për rikthimin e normalitetit Kushtetuese qëndron. “Kjo është ë kauzë që qëndron deri në rivendosjen e plotë të normalitetit kushtetues në vendin tonë dhe unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë në këtë përpjekje për të rikthyer Shqipërinë në shinat e Kushtetutës dhe për të patur një shtet funksional, të cilin për fat të keq nuk e kemi ende për ato arsye që dihen”,- tha kreu i shtetit.
Presidenti komentoi dhe mënyrën sesi po e menaxhon pandeminë Shqipëria. Meta tha se për fat të mirë, edhe për shkak të masave të marra, edhe për shkak të reagimit të përgjegjshëm të të gjithë qytetarëve në tërësi, por edhe të gjithë aktorëve, është arritur, padyshim edhe të mjekëve, të personelit shëndetësor, që kjo të jetë një situatë relativisht e qëndrueshme dhe e menaxhueshme pa kaluar në një krizë mbingarkese të menaxhimit shëndetësor.
Pyetje: Një vështrim i përgjithshëm për situatën zoti President. Kanë kaluar 6 javë qyshkur është shfaqur koronavirusi në vendin tonë. Me çfarë ritmesh ju duket tani?
Presidenti Meta: Natyrisht që shfaqja fillimisht ka qenë jashtëzakonisht shqetësuese në drejtim të ruajtjes së shëndetit tëqytetarëve shqiptarë, aq më tepër po të kemi në konsideratë atë atmosferë aq rënduese në Italinë fqinje, një vend aq i afërt dhe aq i rëndësishëm për ne.
Megjithatë, për fat të mirë, edhe për shkak të masave të marra, edhe për shkak të reagimit të përgjegjshëm të të gjithë qytetarëve në tërësi, por edhe të gjithë aktorëve, është arritur, padyshim edhe të mjekëve, të personelit shëndetësor, që kjo të jetë një situatë relativisht e qëndrueshme dhe emenaxhueshme pa kaluar në një krizë mbingarkese të menaxhimit shëndetësor.
Por padyshim zgjatja e saj ka patur dhe ka sfida të tjera mjaft shqetësuese për të gjithë, sidomos për sipërmarrjen dhe për qytetarët që kanë rrezikuar vendet e tyre të punës, sepse kuptohet që tashmë u bënë gati 6 javë dhe ende nuk ka një perspektivë të qartë për rikthimin në normalitet.
Pyetje: Kjo situatë ku ndodhemi tani, me këto ritme që është tani, e justifikon pjesën e masave shtrënguese të marra nga qeveria? A janë të duhurat apo janë më të shtrënguara se sa duket?
Presidenti Meta: Ne kemi diskutuar vazhdimisht për këtë çështje dhe duhet të kemi në konsideratë, që nuk ka një menaxhim perfekt të kësaj krize asgjëkund.
Ne kemi vënë re që vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila duhet të ishte lider në udhëzime dhe në orientimin e të gjithë vendeve për marrjen e masave ka ndryshuar disa herë vlerësimin e saj për këtë virus apo për këtë sëmundje derisa edhe situata e pandemisë u shpall me mjaft vonesë, siç deklarohet sot nga shumë vende. Dhe vende të ndryshme kanë patur qasje të ndryshme, sepse është një eksperiencë gati e re, e panjohur më parë ose diçka e ngjashme mund të ketë ndodhur shumë dekada më parë.
Kështu që në këtë drejtim ne duhet të jemi tërësisht të fokusuar në vlerësimin sa më objektiv të treguesve aktual, si përsa i takon shëndetit publik, si përsa i takon gjithashtu treguesve të ekonomisë në mënyrë që të ruajmë balancën e duhur dhe të fillojmë të përshtatemi gradualisht hap pas hapi për t’u rikthyer drejt normalitetit, por pa cenuar sigurinë e masave shëndetësore.
Pyetje: Mbetemi pak te ndryshimet në Kodi Penal, të cilat ju i keni miratuar. Përtej miratimit ka akuza se shkelen të drejtat me këto ndryshime. Cili është qëndrimi juaj?
Presidenti Meta: Unë besoj se në rast se nuk do të miratoheshin këto ndryshime, pra jo vetëm do të kishim një boshllëk në Kodin Penal, por e gjithësjellja do të kishte mundësi të ishte abuzive në raport me qytetarët, si nga administrata, si nga institucionet ligjzbatuese për arsye se u desh një situatë e tillë për të kuptuar që Kodi Penal nuk e mbulonte një aspekt të tillë.
Dhe kjo ishte arsyeja që pas disa javësh e nxiti mazhorancën, Parlamentin, qeverinë për të ndërmarrë në nismë për të plotësuar këtë boshllëk, një nismë e cila krijoi mjaft reagim të fortë në opinionin publik, jo vetëm nga mediat, por edhe nga Avokati i Popullit, organizata për të drejtate njeriut, Komiteti i Helsinkit e shumë të tjera, duke ngritur me të drejtë shqetësimin e cenimit të të drejtave të njeriut, mospatjen në konsideratë të parimeve të sigurisë juridike, të parimit të proporcionalitetit, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe njëkohësisht duke ngritur edhe një shqetësim tjetër të drejtë edhe nga pikëpamja procedurale, që nuk mund të bëhen në një situatë të tillë normalisht ndryshime në Kodin Penal.
Por ajo që ishte racionale dhe qëështë e padiskutueshme, është që kishim një boshllëk në Kodin Penal, i cili ka të bëjë me një situatë të tillë të shëndetit publik, që nuk ka të bëjë vetëm e rastin e koronavirusit, por me çdo rast tjetër të ngjashëm të një sëmundjeje të rrezikshme, ngjitëse, përhapëse, me pasoja shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë.
Kështu që kjo, pavarësisht nga të gjitha kontestimet, ishte një situatë që normalisht duhej plotësuar dhe duhej rregulluar, sepse nuk është se kishte një garanci që kjo situatë do të përfundojë pas një jave apo do të përfundojë pas njëmuaji dhe atëherë si do të mund të menaxhohet për një periudhë të caktuar apo ende të panjohur.
Në këtë aspekt, nuk është ndonjë sekret për t’u thënë, sepse ndoshta nuk kanë patur, edhe ata që po i quajmë kritikë, vëmendjen e duhur për t’u përqendruar. Qeveria dhe mazhoranca kërkoi bashkëpunimin e Institucionit të Presidentit për të evituar një përplasje apo një kthim publik në këtë rast. Dhe padyshim që si President, derisa kërkohet një bashkëpunim dhe vlerësoj që ka një bazë objektive, pra është e rëndësishme të plotësohet ky boshllëk kur jemi në një gjendje të tillë, sigurisht që unë u angazhova pozitivisht.
Kam studiuar të gjitha qëndrimet e Avokatit të Popullit, të Komitetit të Helsinkit, të organizatave të tjera dhe po kështu i kam bërë propozime alternative Kuvendit të Shqipërisë dhe për këtë ju keni edhe letrën publike dërguar Kryetarit të Kuvendit 3-4 orë përpara se Kuvendi të shprehej për këto ndryshime.
Dhe ato propozime që ne kemi bërë e që kanë patur në konsideratë vërejtjet e të gjitha organizatave të tjera, mund t’ju them me bindje të plotë që janëtë standardeve më të mira europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në fushën e shëndetit publik dhe i kemi edhe më të kujdesshme se sa vetë Danimarka, i cili është vendi kampioni mbrojtjes së të drejtave të njeriut në kontinent dhe qëështë vendi i parë që ka shpikur edhe termin e Ombudsmanit apo të Avokatit të Popullit që në vitin 1241.
Me pak fjalë unë nuk besoj se një qytetar i Shqipërisë është kundër, që një person i cili është diagnostifikuar nga autoritetet shëndetësore me një sëmundje të rrezikshme apo me një sëmundje ngjitëse, është i paralajmëruar nga ato në mënyrë zyrtare, i cili me dashjerrezikon jetën e të tjerëve, sjell si pasojë vdekjen e tyre, pra në mënyrë të ndërgjegjshme, gjë që provohet padyshim, të mos ketë një dënim. Kjo mendoj qëështë e paarsyeshme.
Së dyti, proporcionaliteti dhe siguria juridike janë tërësisht të garantuara. Përshkallëzimi, pra nga masat administrative te sanksionet penale, te gjoba apo te dënimi qoftë edhe me burg, por të gjitha këto janë, e theksoj edhe një herë tjetër, edhe më të kujdesshme se sa vetë legjislacioni për këtëçështjei Danimarkës. E theksoj këtë, sepse për mua personalisht Danimarka është referencë kryesore në drejtim të të drejtave të njeriut dhe të demokracisëdhe një nga vendet më të zhvilluara në Europë dhe nuk mund të pajtohem me askënd që në një situatë të tillë Presidenti duhet të ishte sjellë ndryshe.
Pra si duhet të ishte sjellë Presidenti sipas tyre. Këta e sjellin dënimin me 15 vjet dhe në mënyrë të paqartë, gjë që edhe Presidenti padyshim do ta kthente. Presidenti mund të ishte i mirë se e ktheu, por ata do ta miratonin dhe do të hynte në fuqi dhe kjo mund të sillte pasoja në mënyrë të padrejtë dhe abuzive për shumë e shumë qytetarë të vendit tonë, për shumë e shumë sipërmarrës e kështu me radhë, por natyrisht që unë nuk mund të zgjidhja në një situatë të tillë të bëja populistin apo të provokoja një tension kur nga pala tjetër, pra parlamenti apo qeveria kërkohej një bashkëpunim për këtë çështje dhe për këtë aspekt vlerësova, e mendova më mirë të kemi një legjislacion të tillë, i cili është – e theksoj edhe një herë – i parametrave më të mirë në Europë, i parametrave danezë se sa të fitojmë disa pikë në moment, duke akuzuar qeverinë për arbitraritet, etj., por ndërkohë t’i krijojmë një fushë të gjerë abuzimi vërtetë qeverisë në rast se ka patur apo ka këtë qëllim për të frikësuar qytetarët që unë nuk mund ta dëshiroj asnjëherë.
Pyetje: Zoti Meta me daljen nga kjo situatë nga koronavirusi, do t’i riktheheshit përsëri me Kushtetutën në dorë popullit dhe me replika mazhorancës?
Presidenti Meta: Unë rri çdo ditë me Kushtetutën në dorë, por Kushtetuta imponon edhe qasje të ndryshme në rrethana të ndryshme dhe askush nuk mund të thotë që jemi në një situatë normale ku dhe diferencat e ndryshme mund t’i shprehim në një mënyrë si më përpara.
Që nuk do të thotë që do të ndryshojmë po që do të thotë që do sillemi me përgjegjësin maksimale që mos e kontaminojmë më tej këtë atmosferë kur kemi të bëjmë me shëndetin e njerëzve, kemi të bëjmë me ekonomin e njerëzve, kemi të bëjm me problemet e tyre sociale dhe fokusin duhet ta mbajmë pikërisht këtu, pra sesi qeveria, sesi Presidenti, sesi institucionet e tjera, sesi opozita do të kontribuojnë për të rritur transparencën, efikasitetin në mbrojtjen e shëndetit qytetarëve shqiptarë. Por njëkohësisht edhe do të bëjnë më të mirën, që edhe këtë situatë ekonomike, financiare dhe sociale ta përballojnë në mënyrën më të drejtë edhe më të ndershme në mënyrë që shoqëria jonë pavarësisht nga kostot që do të ketë të mos humbasë solidariteti dhe optimizmin për të ardhmen.
Është gjëja më e lehtë për të spekuluar në këtë situatë, për të kritikuar, për të amplifikuar, ashtu sikurse është shumë e pafalshme në veçanti për qeverinë apo për institucionet shtetërore që ta përdorin këtë pandemi, apo persona të caktuar për të spekuluar, për të përfituar në mënyrë të parregullt, për të përfituar në mënyrë të paligjshme. E theksoj dhe një herë vetëm transparenca e rrit frymën bashkëpunimit dhe frymën konsensusit mbarëshoqëror, që na duhet në këto momente.