Presidenti Meta, në shtëpinë e Nderit të Kombit, Sali Shijaku
Presidenti Ilir Meta ka qenë për një vizitë në shtëpinë e Nderit të Kombit, artistit tonë të mirënjohur, ikonë e artit pamor shqiptar, Sali Shijaku.
Në një postim në Facebook, Presidenti Meta zbardh detaje nga biseda me artistin Sali Shijaku, teksa shkruan “Biseduam gjatë rreth asaj nate të 7 tetorit 1942 e në veçanti për trimërinë e Vojo Kushit që tmerroi okupatorët, të skalitur në memorien e Sali Shijakut e popullit të Tiranës, për të qenë përherë frymëzuese në betejat kundër armiqve të çdo epoke të Shqipërisë“.
Postimi i plotë i Presidentit Meta në Facebook:
Një mbrëmje mbresëlënëse në shtëpinë e Nderit të Kombit, artistit tonë të mirënjohur, ikonë e artit pamor shqiptar, Sali Shijaku, në Kodrën e Kuqe ku është derdhur shumë gjak për çlirimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Si dëshmitar i gjallë i betejës së lavdishme të Kodrës së Kuqe, ku ranë heroikisht Vojo Kushi, Xhoxhi Martini e Sadik Stavileci, piktori ynë i madh krijoi një kryevepër që sjell përherë të freskët e të paharruar në memorien kombëtare këtë ngjarje të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Biseduam gjatë rreth asaj nate të 7 tetorit 1942 e në veçanti për trimërinë e Vojo Kushit që tmerroi okupatorët, të skalitur në memorien e Sali Shijakut e popullit të Tiranës, për të qenë përherë frymëzuese në betejat kundër armiqve të çdo epoke të Shqipërisë.
Mbi oxhakun e shtëpisë së tij qëndron madhështore edhe një tjetër kryevepër e punuar nga vetë Sali Shijaku, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli.
I urova jetë të gjatë dhe krijimtari të re! 🇦🇱