Presidenti Meta nuk dekreton ligjin për “Për noterinë”

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”. Presidenca njofton në argumentet për mos dekretimin e ligjit se ky projekt është i paqartë dhe ligji “nuk garantojnë trajtim të barabartë të noterëve përballë kostos që do të duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre, si dhe mund të krijojë një deformim në tregun e sigurimeve referuar sigurimit të veprimtarisë së noterëve”.

Argumentet e plota të kreut të shtetit:

Në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 11054, datë 14.01.2019, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.110/2018 “Për noterinë”, me qëllim rishqyrtimin e neneve 61, 65 dhe 76 të këtij ligji. Argumentet e përmbledhura të kësaj vendimarrje paraqiten si më poshtë:

1. Përmbajtja e nenit 61 të ligjit nr.110/2018 “Për noterinë”, nuk është i qartë dhe në harmoni me disa nene të tjera të këtij ligji. Formulimi i këtij neni përveç se nuk parashikon procedurën se si do të zbatohet në praktikë si dhe nuk përmban asnjë parashikim të shprehur që t’i japë të drejtë Ministrit të Drejtësisë që në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterisë të nxjerrin aktet nënligjore me qëllim parashikimin e gjithë procedurës së hollësishme për realizimin e këtij procesi.

Kjo paqartësi krijon mundësi të intepretimit gjatë aplikimit në praktikë, gjë e cila krijon pasiguri juridike jo vetëm për vetë noterin, por dhe për palët/qytetarët, të cilët kanë zgjedhur të marrin shërbimet noteriale tek ai.

Neni 61, bie ndesh me parashikimet e nenit 3/f dhe 66, 75 të këtij ligji. Neni 61 nuk parashikon aspak se cilat janë të drejtat dhe detyrimet që merr përsipër zëvendësnoteri gjatë periudhës së pezullimit të noterit, se në cilën mënyrë ai e ushtron këtë veprimtari. Është krejtësisht e paqartë nëse zëvendësnoteri në këto kushte si administrator zyre i një noteri të pezulluar do të veprojë me licensën e noterit të pezulluar dhe me NUIS-in e tij, dhe nëse po, cili nga këto do të jetë përgjegjës për veprimtarinë ekonomike, financiare, tregtare përballë detyrimeve tatimore dhe taksave lokale përkundrejt organeve tatimore qëndrore apo atyre vendore.

Me paqartësinë që përmban ky nen, referuar mjeteve identifikuese që përdoren nga zëvendësnoteri pa pëlqimin dhe autorizimin e noterit tij, krijohet një konfuzion, duke krijuar terren të përshtatshëm për keqkuptime dhe lindjen e mosmarrëveshjeve, midis organeve shtetërore dhe noterit të pezulluar, apo brenda vet sistemit noterial. Gjithashtu krjohen mundësi abuzimi, ku palët të cilat kanë përfituar apo kundërshtojnë veprime noteriale të kryera nga zëvendësnoteri, mund të kundërshtojnë përmbajtjen e akteve duke vënë në dyshim vërtetësinë e tyre.

Paqartësia e parashikimeve të nenit 61 të ligjit nr. 110/2018 krijon mundësi që të cenohet parimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve, parim ky i cili gëzon mbrojtje të veçantë nga neni 11 dhe 18 i Kushtetutës. Nga analiza që i bëhet përmbajtjes së nenit 61 të ligjit rezulton se në formën që është miratuar ai krijon terren që në praktikë këto dy parime të cenohen.

Në rast se neni 61 i ligjit nr. 110/2018, do të aplikohet sipas përmbajtjes së miratuar ku një tjetër noter do të administrojë zyrën e një noteri të pezulluar, është e pritshme dhe ekziston rreziku që gjithë atë marrëdhënie besimi që noteri i pezulluar ka krijuar, noteri administrator i zyrës së tij mund të përpiqet ta transferojë në zyrën e tij noteriale.

Pra, krijohet rreziku që një administrim i tillë nga një noter tjetër që është në kushte konkurence të krijojë ndërhyrje të hapur në aktivitetin e noterit të pezulluar, por edhe tek raporti mes klientit dhe noterit, duke prishur hapur konkurencën e lirë dhe të ndershme në këtë treg shërbimesh.

Pikërisht për këto shkaqe neni 61 i ligjit nr. 110/2018, referuar mënyrës se si ka përcaktuar të trajtohet zyra e një noteri të pezulluar gjatë kohëzgjatjes së shkakut të pezullimit duket se krijon terren që në praktikë të shkelen njëkohësisht të dy parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”.

2. Parashikimet e nenit 65 të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”, nuk garantojnë trajtim të barabartë të noterëve përballë kostos që do të duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre, si dhe mund të krijojë një deformim në tregun e sigurimeve referuar sigurimit të veprimtarisë së noterëve.

Mënyra se si është formuluar përmbajtja e pikës 1 të këtij neni, krijon shteg për interpretim. Konkretisht nuk del qartë kuptimi apo qëllimi i dispozitës nëse noteri kontratën e sigurimit individual për sigurimin e veprimtarisë së tij do të duhet të lidhë me të njëjtën kompani sigurimi që do të përzgjedhë Dhoma Kombëtare e Noterisë në rastin e sigurimit kolektiv apo është i lirë ta përzgjedhë vetë kompaninë siguruese? Pra formulimi i pikës 1 të këtij neni, krijon mundësi interpretimi që në të dy rastet, qoftë për sigurimin kolektiv, apo për lidhjen e një kontrate sigurimi individual kompania përzgjidhet nga Dhoma Kombëtare e Noterisë.

Në këtë mënyrë, nga ana e teknikës legjislative pika 1 e nenit 65 ka nevojë për përmirësim, duke qartësuar në mënyrë eksplicite se noteri ka të drejtë të zgjedhë në tregun e lirë kompaninë e sigurimeve ku ai dëshiron të sigurojë aktivitetin e tij, nëse Asambleja e Përgjithshme nuk ka miratuar me vendim lidhjen e një kontrate kolektive. Në këtë mënyrë do të mund të bjerë çdo dyshim apo do të shmanget çdo mundësinë e intepretimit në praktikë të kësaj dispozite.

Në këtë mënyrë, nëse do të aplikohet dhe do të vendoset nga Asambleja e Përgjithshme e Noterëve një kontratë sigurimi kolektiv, dispozitat e nenit 65 të ligjit, duhet të rishikohen në mënyrë që të parashikojnë në mënyrë shteruese mënyrën edhe të përballimit të kostos së këtij primi sigurimi, në përputhje me nivelin e transaksioneve të realizuar në vitin paraardhës, gjithashtu duke iu referuar historikut të procedimit disiplinor të secilit noter.

Për më tepër, për të mos krijuar një situatë disi monopolizuese apo që të mund të deformojë konkurencën në shoqëritë e sigurimit, për sigurimin e aktivitetit të të gjithë noterëve me një shoqëri sigurimi, si dhe për të garantuar plotësisht të drejtat e noterëve si persona të siguruar, është e nevojshme që neni 65 i ligjit, të riformulohet ku veç të tjerave të parashikohet roli asistues dhe mbikqyrës i Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dhe Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, me qëllim aplikimin e një kontrate kolektive apo individuale sigurimesh që të garantojë trajtim objektiv të secilit noter, si dhe asnjë deformim në tregun e sigurimeve.

3. Neni 76 i ligjit nr. 110/2018, nuk është i qartë, nuk ofron siguri ligjore për mbrojtjen dhe mbështetjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë për të përballuar tarifat dhe shpenzimet noteriale, apo të kategorive të veçanta të shoqërisë.

Shërbimi noterial sipas legjislacionit tonë është i domosdoshëm dhe në disa raste është i detyrueshëm për të konfirmuar vërtetësinë e fakteve, rrethanave, apo vullnetit të shtetasve gjatë kryerjes së një veprimi juridik, apo përgjatë ndjekjes së një procesi ligjor, qoftë ky civil, administrativ, apo penal.

Në këto kushte, klient apo konsumator të këtij shërbimi në Republikën e Shqipërisë, janë të gjitha shtresat e shoqërisë, si shtetasit me të ardhura të mira dhe me aftësi paguese, shoqëritë tregtare, institucionet publike, ashtu dhe shtresat më nevojtare, apo kategori të veçanta të shoqërisë të cilat mund të gjenden në pamundësi, apo në një sforcim për të përballuar tarifat e shërbimeve noteriale që në raste të caktuara janë të detyrueshme.

Neni 71 i ligjit në formën e miratuar, mund të ngelet në praktikë një dispozitë deklarative dhe e pazbatueshme, pasi nuk parashikon asnjë detyrim për noterin për të ofruar një shërbim me tarifa të ulura. Sipas përmbajtjes së ketij neni duket sikur ulja e tarifave do të ngelet rast për rasti në diskrecion të vullnetit të noterit dhe jo si një detyrim për të. Pikërisht ky parashikim i paqartë, nuk garanton se shtresat në nevojë dhe respekivisht kategoritë e personave përfitues të ndihmës juridike do të mund të përfitojnë ndonjëherë ulje të tarifave. Për më tepër edhe vet shprehja “dhe vetëm në rast nevoje”, është shumë evazive, pasi kjo do të ngelet në kuptueshmërinë dhe ndërgjegjësimin e secilit noter për ta vlerësuar dhe jo si detyrim, çka krijon terren që në praktikë kjo dispozitë të ngelet një dispozitë e paaplikuar.

Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës, dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, ka vlerësuar se për ta bërë këtë normë të re ligjore edhe më të mirë, dhe për të mos krijuar asnjë hapësirë që nëpërmjet intepretimeve të ndryshme, apo keqzbatimit në praktikë ky ligj i ri të cenojë parimet kushtetutese, me Dekretin nr. 11 0154, datë 14.01.2019, Presidenti ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr.110/2018 “Për noterinë”, me qëllim rishikimin nga Kuvendi të neneve 61, 65, 76 të këtij ligji.

Argumentat e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të neneve 61, 65 dhe 76 të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”, mund t’i gjeni të botuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës.

SHKARKO APP