Presidenti Meta: Të shembim tiraninë dhe frikën. Në demokraci duhet të luftosh çdo ditë për liritë dhe të drejtat

Kreu i shtetit, Ilir Meta shprehet se zgjedhjet e 25 prillit janë një mision patriotik për çdo qytetar. Në një interviste për “RTSH”, Presidenti u shpreh se qytetarët duhet të “shembim tiraninë dhe frikën. në demokraci duhet të luftosh çdo ditë për liritë dhe të drejtat”.

Pyetje: Zoti President pak më përpara shkëputjes ju thatë që është kohë për të përcaktuar dhe për t’iu përqendruar fort interesit kombëtar, nëse ne mund ta definojmë. Çfarë është interesi kombëtar?

Presidenti Meta: Interesi kombëtar është zgjedhje të lira dhe të ndershme në 25 prill, rikthimi i legjitimitetit në të gjithë institucionet  të vendit, dhe çelja e negociatave me Bashkimin Europian, ky është interesi i të gjithë shqiptarëve.

Pyetje: Kur folët dhe thatë që të tjerë kanë punuar kundër Shqipërisë ose kanë nxitur që të kenë ….

Presidenti Meta: Zotëri, të tjerët punojnë për veten e tyre, për vendet e tyre tani kjo është edhe çështje rivalitetesh, edhe gjeo-politike, edhe ekonomike dhe përpjekje për të rifituara betejat e humbura. Problemi ynë nuk është tek të tjerët, problemi ynë është te vetja jonë.  Ne të tjerët na kanë dobësuar përmes përçarjes që na kanë nxitur në mënyrë artificiale brenda vendit.

Pyetje: Kur flisni tek vetja jonë ka një karakteristikë të veçantë le të themi komunikimi i liderëve politikë në Shqipëri, dhe në qoftë se mund të flasim për një emërues të përbashkët është pak a shumë marrëdhënie të shformuara mes politikanëve që në një farë mënyre i keni thënë fjalën e fundit njëri-tjetrit?

Presidenti Meta: Për mua, është një marrëdhënie e shformuar me vendin nuk ka të bëj thjeshtë me raport retorik midis politikanëve.

Politikanët kanë një raport me zgjedhjet, kanë një raport me kushtetutën, kanë një raport me interesin publik, kanë një raport me institucionet dhe këtu duhet parë se çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon.

Ne tani e dimë të gjithë se kush është strumbullari i gjithë konflikteve në Shqipëri dhe i minimit të frymës dhe të dialogut, edhe të respektimit të institucioneve, edhe i bashkëjetesës, edhe i zgjedhjeve të lira dhe të ndeshmë, edhe i mediave të lira, edhe i konkurrencës në biznes, nuk besojë që tani ka më ndonjë iluzion.  A ka edhe të tjerë që kanë probleme?  Patjetër që ka edhe të tjerë që kanë probleme, por strumbullari është shumë i qartë.

Pyetje: Dy ditë më parë ju, me një adresim publik i keni kërkuar qeverisë marrjen  e masave të menjëhershme që kjo situatë të mos përsëritet. Dhe në fakt kalojmë tek pjesa e pandemisë, përballimi i pandemisë. Duke iu referuar gjendjeve të spitaleve të Tiranës dhe pritjes së pacientëve nëpër autoambulanca. Çfarë prisni pas kësaj thirrje, çfarë duhet të bëj qeveria që nuk e ka bërë në këtë situatë?

Presidenti Meta: Së pari, qeveria ka pasur shumë kohë për të bërë politika edhe për të marrë shumë masa, të cilat nuk do të na kishin sjellë në këtë situatë. Por qeveria kaloi në eufori mbas përfundimit të valës së parë, të cilën e festoi me prishjen e Teatrit Kombëtar në kushtet e pandemisë. Nuk u përgatit për valën e dytë, sepse i ka pasur të gjitha mundësitë, i ka pasur të gjitha sugjerimet, i ka pasur rekomandimet edhe të organizatave ndërkombëtare, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Edhe këtu brenda vendit, të ekspertëve, të opozitës, të Presidentit të të gjithëve dhe jemi në një situatë që nuk mund të krahasohemi me asnjë tjetër, për sa mbështesim këtë betejë kundër pandemisë në pikëpamjet e shëndetit publik. Por, edhe në pikëpamje të biznesit i cili po vuan pasojat e kësaj pandemie, e sidomos biznesi i vogël, i mesmë e kështu me radhë, faktet janë konkrete.  Megjithatë, jemi në një situatë të rënduar dhe për mua është e rëndësishme të përmirësohet mekanizmi reagues, të ndihmohen sa më shumë njerëzit.  Të rriten kapacitet pritës për qytetarët që janë në gjendje të rëndë. Të përmirësohen më tej kushtet në spitalet tona.  Të rritet transparenca.

Transparenca është e rëndësishme për të informuar publikun në kohë, por njëkohësisht edhe për të rritur besimin e publikut se sistemi ynë shëndetësor. Të konsolidohen protokollet dhe sidomos për ata që mjekohen në shtëpi, dhe të mbështeten dhe të ndihmohen sepse është e qartë që kemi të bëjmë me një virus të pabesë, i cili kërkon një ndjekje shumë të kujdesshme.  Sepse për një ditë, për dy ditë, situata mund të precipitojë në një mënyrë të pakthyeshme. Kërkon një alert të përgjithshëm të sistemit shëndetësor dhe një frymë bashkëpunimi, jo një arrogancë e cila vendos mbi profesionalizmin edhe që kërkon të mbysë çdo kritik, apo çdo shqetësim.  Edhe në qoftë se ka shqetësime që janë të tepërta prapë le të merren në konsideratë, sepse kemi të bëjmë me njerëz, me vuajtje, me shqetësime, me probleme të mëdha, kjo kërkon një frymë më të gjerë mirëkuptimi edhe humanizmi.

Pyetje: Pra kemi komitetin teknik të ekspertëve, opozita ka një komitet të vetin, Ju keni mbledhur një komitet ekspertësh. Çfarë mesazhesh japim le të themi kur kemi tre komitete që këshillojnë për pandeminë?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se kemi se kemi tre komitete, këto janë shpikje të Kryeministrit.  Ka një komitet që është Komiteti i Ekspertëve të qeveris, i cili për mendimin tim e kam thënë që përpara, duhet të ishte më i pavarur dhe më profesional.  Megjithatë, përsëri nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim, por që duhet të jetë shumë publik, më koherent, më informues, më bashkëpunues, se duket që shpesh është nën diktat politik. Dhe sigurisht që kemi ekspertë të ndryshëm të opozitës, apo të opinionit publik që japin mendimet e tyre nëpër forumet e ndryshme dhe, këtu nuk ka asgjë negative.

Unë kam pasur mendimin tim që në fillim që në këtë komitet të përfshiheshin dhe përfaqësues nga opozita, sepse opozita ka mjekë shumë të shquar të këtyre fushave.  Do të kishte qenë më mirë, edhe për opinionin publik, edhe për situatën politike apo jo, në vend! Do të kishte qenë shumë më mirë në qoftë se do të kishim pasur një trup më të unifikuar, kuptohet pranë qeverisë. Po kjo gjë nuk u ndoq dhe natyrisht që nuk mund të ndalohen debatet dhe aq më tepër që situata ka ardhur duke u përkeqësuar.

Pyetje: Kur flasim për mjek, mjeku është mjek në çfarë do lloj rrethane pavarësisht etiketave politike.  Por, ekspertët janë të fushës kryesisht të mjekësisë dhe vendimet i merr ekzekutivi.  Ju çfarë dallimesh shikoni?

Presidenti Meta: Ekzekutivi duhet të marr në këtë rast vendime bazuar mbi propozimet e ekspertëve, jo ekspertët të marrin vendime mbi sugjerimet e ekzekutivit, sepse janë ata përgjegjës dhe kompetent për përballimin e kësaj pandemie.

Pyetje: Dakord, ata janë mjekë dhe kanë vetëm shëndetin.

Presidenti Meta: Po, patjetër. Qeveria në bazë të kërkesave të tyre, në bazë të protokolleve të tyre, duhet të ndërtojë buxhetin apo mbështetjen, të bëjë rialokime në buxhetin e shtetit, e gjithçka tjetër për të mbështetur ata. Jo mjekët të bëjnë ato gjëra që thotë qeveria në fushën e shëndetësisë, kjo është jashtë çdo standardi demokratik, njerëzor, human.

Pyetje: Atëherë, ka diçka që nuk shkon në konstrukt. Sepse Komiteti Teknik janë vetëm mjekë, dhe mjekët kanë parasysh vetëm ekspertizën e tyre në fushën e shëndetit. Por, për ta balancuar me ekonominë,  apo me shqetësime të tjera ose duhen ekspertë të tjerë ose duhet vendimmarrësit, që të bëjnë ekuilibrin.

Presidenti Meta: Kjo është çështje e vullnetit politik. Sepse çështja e buxhetit, është një çështje  rregulluese e manovrueshme nga ana e vetë qeverisë.  E rëndësishme është për pandeminë çdo gjë që duhet, për protokollet, për fuqizimin e kapaciteteve spitalore, duhet bërë çdo gjë siç thonë mjekët. Pastaj të tjerat se ku do të shtohet pak borxhi, apo se ku do hiqen disa shpenzime,  do shtohen disa te tjera. Ky është prioriteti i parë, derisa biem dakord që jeta e njerëzve është e para, kjo është e parë dhe kjo duhet lënë mjekëve, ekspertëve. Nuk duhet vënë ata në pozitën që kaq kemi dhe zgjidheni si të doni.

Pyetje: Ju jeni njohur me strategjinë që ka përgatitur Ministria e Shëndetësisë ditët e para të pandemisë. Çfarë sugjerimesh keni pasur  në lidhje me këtë strategji?

Presidenti Meta: Ne i kemi bërë këto dhe publike, jemi shumë të vonuar në krijimin e kapaciteteve të duhura, po kështu disa pajisje duheshin të ishin marrë prej kohësh mungojnë.  Mund të ishte bërë një orientim dhe duhet bërë për përdorimin shumë më i mirë i antiviraleve dhe për rekomandim e tyre, për ata që janë në kushtet e shtëpisë, përveç atyre që mjekohen nëpër spitale.   Duhet të ishin forcuar kapacitetet me reanimatorë më shumë, ka pasur shumë gjëra që mund, por edhe përsëri mund të bëhen sepse situata kritike do të vazhdojë, dhe mesa duket do të rëndohet për shkak edhe  të temperaturave. Gjithmonë ka mundësi për të bërë, në rast se dëshiron të jesh realist edhe i përgjegjshëm.

Pyetje: Ndodhemi përpara zgjedhjeve dhe ju e thatë, që mesa duket situata do të vijë duke u rënduara. Është dimri i dyti i pandemisë, ose dimri më i vështirë. Sa mendoni se do ndikojë pandemia në jetën politike, ku takimet elektorale janë të kufizuara tashmë de facto. Por, me përkeqësimin e gjendjes sa është e përgatitur Shqipëria? Në informacionet që ju keni, që të zhvillojë zgjedhjet në kushtet  e pandemisë.

Presidenti Meta: Shqipëria këtë e ka çështje të vullnetit politik. Edhe pa pandeminë, ne kemi shkëlqyer në çështjen e prishjes së zgjedhjeve apo shkatërrimin e zgjedhjeve, nuk është kjo çështja kryesore. Ashtu si Maqedonia e Veriut, apo vende të tjera kanë treguar në kushtet e pandemisë, apo edhe Kosova që kanë organizuar zgjedhje shumë normale. Nuk është kjo, kjo është çështje e vullnetit politik, është çështje e heqjes dorë nga përpjekjet për të manipuluar vullnetin e qytetarëve.  Është koha tani për të parë shëndetin e qytetarëve, jo për të menduar thjesht për votat se si do të merren në 25 prill.  Kjo është një çështje që duhet ta vendosin vetë të gjithë qytetarët shqiptarë me pjesëmarrjen e tyre në atë datë. E keqja është se ne jemi në këtë situatë edhe për pandeminë, sepse gjithë këto 6-7 muaj,  në vend që të mendonin për pandeminë dhe për valën e dytë prapë mendonin për manipulimin e 25 prillit, për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe për të bërë këto hilet, që janë bërë fare bajate  të neveritshme, për trukime zgjedhjesh, ky është një problem një problem i madh.  Unë shpresoj që të ketë një reflektim sa më të shpejt, të përqendrohemi te pandemia,  dhe kjo nuk është asnjë arsye për të dëmtuar demokracinë, përkundrazi…

SHKARKO APP