Presidenti në bashkinë më jugore të vendit për nismën e tij të dhurimit të gjakut
Ilir Meta vazhdon vizitën në Jug të vendit. Sot ndodhet në pikën më jugore në Konispol.
Ja se ç’shkruan Presidenti në Facebook: Nga bashkia më jugore e vendit, kam sot një falënderim të veçantë për qytetarët e mrekullueshëm të Konispolit dhe kryebashkiakun, z.Shuaip Beqiri, të cilët me një ndjenjë të lartë humanizmi e solidariteti, ju përgjigjën thirrjes së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.
Gatishmëria e tyre për të mbështetur kauza të tilla kaq jetike, dëshmon jo vetëm shpirtin human të banorëve të kësaj zone me tradita të spikatura, por nxjerr në pah dhe një nga karakteristikat që na dallon si komb, solidaritetin e mbështetjen në rast nevoje.
Dua të ftoj sërish të rinjtë e të rejat, që me dëshirë e vullnetarizëm, të bëhen dhurues të rregullt të gjakut, për të vijuar edhe në të ardhmen fushatën e ndërgjegjësimit për këtë kauzë jashtëzakonisht humane.
Gjithashtu dua t’ju uroj banorëve të Konispolit një sezon të mbarë të prodhimeve bujqësore, ku ata janë shembull për të gjithë vendin për punën e jashtëzakonshme dhe rezultatet mjaft të sukseshme, duke iu gëzuar punës së tyre me një mirëqenie në rritje.