Presidentja Osmani në CNN: Serbia kërkon një front të ri për Putinin në Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për ”CNN”, tha se Serbia po mundohet që t’i hapë Vladimir Putinit një front të ri në Ballkanin Perëndimor.

”Plani i mirëmenduar ishte përgatitur për një aneksim të veriut të Kosovës si ai i Krimesë. Serbia kërkon të lejojë Putinin që të hapë një front të ri në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që kjo të ndalet duke sanksionuar Serbinë. Nëse nuk ka dënim për Serbinë, ajo do të vazhdojë me këto agresione”,-tha Osmani.

Presidentja tha edhe se provat tregojnë se udhëheqësit e Serbisë kanë lidhje direkte me atë që ndodhi në veri të Kosovës. ”Në bazat ushtarake të Serbisë janë stërvitur këto grupe terroriste. Armët që u përdorën nga ata kanë ardhur nga ushtria e Serbisë”. Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, Osmani tha se Kosova po sulmohet dhe është viktimë e një agresioni.

”E para që duam është dorëzimi i terroristëve në Republikën e Kosovës, që të ketë drejtësi. E dyta, ka vetëm një palë konstruktive në dialog dhe ajo është Kosova, që ka implementuar 99% të detyrimeve të saj. Ndërsa Vuçiç nuk ka implementuar asgjë që nga viti 2011. Republika e Kosovës do të vazhdojë të implementojë detyrimet e saj. Kjo përfshin edhe Asociacionin, por ne duam barazi dhe që Serbia të mbajë përgjegjësi për veprimet kriminale”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Vjosa Osmani (@vjosa.osmani)

SHKARKO APP