Prezantohet në New York libri, “Koha e shfarosjes” me autor Sokol Pajën
Emri i tij nuk është i panjohur në Shqipëri. Veçanërisht në qarqet mediatike dhe universitare. Sokol Paja është një gazetar dhe intelektual shqiptar që tashmë jeton dhe punon në New York. Ai njihet për pasionin e madh që ka për librat, për të hulumtuar dhe së fundmi botuar. Këto ditë tek “Vatra” e New York-ut, në SHBA, Paja ka prezantuar librin e tij të parë me titull, “Koha e shfarosjes”. Një libër homazh, që në thelb trajton plagët e shumta që diktatura komuniste i shkaktoi shqiptarëve për vite me radhë. Ndër ta edhe familjes së autorit, gjyshit, kushërinjve dhe babait të tij.
Libri u prezantua para shumë pjesëmarrësve të nderuar, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i “Vatrës”, z. Dritan Mishto, editori i gazetës së mirënjohur “Dielli”, z. Dalip Greca, intelektualë të shumtë, si zv/kryeredaktorja e “KOHA JONË”, njëherësh edhe redaktorja e librit, Albina Gjergji.
Gjithashtu në këtë aktivitet nga Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historise referoi edhe Dr. Paulin Marku, i cili mbajti kumtesen me titull:
“Presekutimi i regjimit komunist ne Malesine e Madhe, ne vecanti ndaj familjes Paja”
Dr. Paulin Marku prezantoi nje panorame te pergjithshme te regjimit komunist ne Malesine e Madhe, ku fokusi kryesor i kumteses ishte presekutimi komunist ndaj familjes Paja. Ai trajtoi shkaqet ngase nisi zanafilla e persekutimit dhe shpjegoi rrjedhojat e ngjarjeve në etapa të ndryshme kohore si dhe vuajtjet e ndeshkimet që iu bë familjes Paja gjatë periudhës komuniste.
Pas ceremonisë që u zhvillua në New York mes personaliteteve të VATRËS, gazetarëve me emër si dhe shqiptarëve, që banojnë në SHBA, Sokol Paja ka postuar shënimin e tij në facebook:
“Faleminderit e shumë Mirënjohje VATRËS, Diellit e gjithë patriotëve shqiptarë që ishin prezent në këtë promovim modest libri. Ne përkujtuam me respekt të gjithë ata patriotë shqiptarë të ndershëm që humbën jetën padrejtësisht përgjatë diktaturës komuniste.
Libri “Koha e shfarosjes” evidenton sagën horror sesi komunizmi shfarosi kundërshtarët. Libri tregon metodat gjakatare sesi komunizmi vrau, persekutoi, përndoqi dhe internoi familjet e mëdha, intelektualët, klerin dhe këdo që kishte pak shkëndija në errësirën komuniste
Përkujtuam ata shqiptarë fisnikë që nuk u përkulën përballë bishës komuniste por qëndruan me nder, fisnikëri e dinjitet.
Mbi gjithçka, ky takim ishte një përkujtim dhe homazh për të pushkatuarit në komunizëm të cilët ende nuk e kanë një varr, mes tyre dhe gjyshi im Pjetrush Paja i cili u pushkatua prej komunistëve duke humbur jetën dhe gjurmët e vdekjes 54 vite më parë.
Lavdi përjetë këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm që u sakrifikuan veçse donin një Shqipni të lirë, të bukur e të begatë”.
Ndërsa gazetarja e njohur e KOHA JONË, Albina Gjergji e cila gjithashtu ishte pjesë aktive e prezantimit të librit të Sokol Pajës shkruan në profilin e saj të FB:
Dje në New York në promovimin e librit “Koha e shfarosjes” të gazetarit dhe mikut tim, Sokol Paja. Një botim mjaft interesant, të cilin meqë e kam lexuar dhe bërë korrektimin letrar shpreh konsideratën e lartë për temën që trajton, si dhe për leksikun e rrjedhshëm që autori përdor.
“Koha e shfarosjes” shpalos një copëz historie nga e shkuara e shqiptarëve të ndershëm, por njëherësh është dhe një homazh në kujtim të paraardhësve të autorit, të cilët ndër vite u persekutuan, dhunuan e u vranë nga diktatura e egër komuniste.