Procesi i Berlinit/ Ministri i Jashtëm Igli Hasani kërkon përfshirjen e Parlamentit

Ministri ka vlerësuar ekspertizën e Kuvendit,duke theskuar se ndonëse është kërkuar ky bashkëpunim për 9 vite, “parlamentet e të gjashtë vendeve të rajonit nuk kanë qenë pjesë e Procesit të Berlinit.”

Bashkëpunimi mes tyre, sipas Hasanit është mjaft i rëndësishëm, pasi “lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.”

Nga ana tjetër Hasani ka përmendur dhe lehtësimet që Shqipëria përfiton nga disa vendime që priten të merren lidhur me uljen e tarifave romaning dhe korridoret e gjelbërta.

Fjala e plotë e ministrit Igli Hasani:

“Ju falenderoj për ftesën e për mundësinë për të diskutuar për rolin e parlamentit në një proces aq të rëndësishëm sa ai i Berlinit.
Javën që shkoi ne patëm takimin e Ministrave të Jashtëm, javën që vjen kemi Samitin e Procesit të Berlinit. Prandaj, ky është një moment shumë i përshtatshëm për të diskutuar mbi këtë temë.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon të nxisë jo reformimin dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, për të përafruar atë kësisoj me Bashkimin Europian. Është pra një iniciativë që synon të mbështesë e të përshpejtojë procesin e integrimit. Si e tillë natyrisht kërkon reforma, kërkon transformim jo vetëm në aspektin diplomatik, pra në marrëdhëniet me fqinjët. Por edhe në çështje të brendshme, pasi duhen krijuar politika, strategji e kuadër ligjor për të bërë të mundur këto reforma.

Me pak fjalë, ashtu si edhe procesi i integrimit, ashtu si çdo proces transformues i këtyre përmasave, realizimi me sukses i objektivave të Procesit të Berlinit natyrisht kërkon angazhimin e çdo segmenti të shtetit e shoqërisë. Parlamenti padyshim, por edhe të shoqërisë civile, grupeve të interesit e kështu me radhë, edhe pse ky mund të jetë një diskutim për një tjetër takim.

Por sa për ilustrim të disa produkteve konkrete të Procesit të Berlinit, mund të sjell në vëmendje të kolegëve që 2 vjet më parë ne krijuam një zonë të lirë roaming mes vendeve të rajonit. Kurse në 1 tetor të këtij viti patëm edhe uljen e konsiderueshme të tarifave të roaming me BE.

Ose, për të sjellë një shembull më domethënës, do të përmendja korridoret e gjelbra, që ishin jetike gjatë periudhës së pandemisë për të mbajtur gjallë tregtinë e lidhjet logjistike me rajonin e Europën. Apo marrëveshjet për lëvizshmërinë e profesioneve të rregulluara, që u mundësojnë njerëzve të udhëtojnë më lehtë ose të shfrytëzojnë mundësitë e punës brenda Ballkanit Perëndimor.

Natyrisht, për pak ditë, këtyre produkteve do t’u shtohen edhe rezultatet e Samitit të datës 16, që duhet theksuar që është hera e parë që mbahet në një vend të rajonit. Jam shpresëplotë që Samiti do të dalë me rezultate konkrete që do të përshpejtojnë rrugën e vendit tonë drejt tregut të përbashkët evropian dhe anëtarësimit në BE…”

SHKARKO APP