Proges raporti i BE/ Hohmann: Jo amnisti fiskale! Balla: Më i miri deri tani! Tabaku: S’ka hapa para nga qeveria

Këshilli Kombëtar i Integrimit, po analizon progres-raportin e BE-së lidhur me integrimin e vendit. Përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadorja Christiane Hohmann ka prezantuar progres raportin e BE, ku tha se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, në reformën në drejtësi, teksa theksoi edhe një herë që është kundër amnistisë fiskale.

”Është bërë njëfarë progresi, për hetimin dhe ndjekjet penale dhe dënime. GJKKO ka bërë një punë të mirë, një ecuri e mirë është shënuar lidhur me konfiskmin e pasurive të sekuestruara. Në luftën kundër pastrimit të parave, Shqipëria mbetet në juridiksionin e monitorimit të shtuar, miratimi i një amnistie penale do të rrezikonte progresin në këtë fushë. Të vijohet të mbahet kursi i nisur, të vazhdohet të konsolidohet progresi dhe të zhvillohet edhe më tej bilanci. Shpreh keqardhje që atmosfera e sulmeve verbale dhe intimidimi i gazetarëve nuk është përmirësuar”, tha Hohmann.

Bashkëkryetarja e Këshillit nga ana e PD-së, deputetja Jorida Tabaku në fjalën e saj u shpreh se Shqipëria nuk ka pasur një përparim.

”Një proces nuk mund të shkojë përpara, nëse të gjithë institucionet e vendit nuk janë në unison për drejtimin, ritmin, energjinë dhe frymën që duhet të ndjekim. Në këto kushte kur Europa është shumë e hapur për të mikpritur Shqipërinë, duket shumë e pandershme që ne të mos jemi aty ku duhet. Dhe me shqetësim konstatova se vlerësimi për grupin e parë të kapitujve është i njëjtë me atë të një viti më parë, asnjë ndryshim në fakt pasi për dy vite me rradhë ka qenë i tillë. Atëherë kur duhet që çdo gjë ta vëmë në funksion të këtij procesi, ne nuk duket se ja kemi arritur. Për mua është shqetësues fakti se qeveria shqiptare nuk e ka treguar ende vullnetin politik të nevojshëm për reforma”, tha Tabaku.

Taulant Balla nga ana e PS-së, u shpreh se amnistia fiskale do të vijojë, pasi qeveria po vijon me konsultimet. “Ishte me nota pesimiste, kjo ndodh historikisht nga 2016, që sa herë është prezantuar projekt raporti dhe qytetarët mendojnë se janë 2 progres raportime, një opozitë dhe një mazhorancë, por ajo është detyra jonë e shtëpisë. Sa i përket ligjit për mediat, ai nuk ekziston më është tërhequr dhe nuk është më një çështje, në konferencën e kryetarëve do bëhet edhe njoftimi në aspektin procedurial, sa i përket ligjit të amnistisë, ai do të bëhet, ne vazhdojmë të nxisin konsultime”.

Ministrja e Europës dhe Punë të Jashtme, Olta Xhaçka tha se progres-raporti i BE-së i ka njohur punë e madhe dhe konfirmon progresin e Shqipërisë.

”Rekomandimet e KiE-së do mbeten në fokus të punës së qeverisë dhe të administratës. Ecuria jonë në këtë grup kapitujsh, na jep mundësinë të ulemi më shpejt në Konferencën Ndërqeveritare hapëse të këtij grupimi. Në raport Shqipëria vlerësohet si një partnere aktive dhe e besueshme e BE. Jemi vlerësuar për përkushtimin e treguar në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit proaktiv rajonal. Raporti i KiE-së nuk është një fletë lavdërimi, përcakton shinat mbi të cilat do të ecë puna jonë drejt integrimit. Uniteti në nivel kombëtar duhet të ruhet për suksesin e procesit sot dhe nesër”.

SHKARKO APP