Pronat, Rama: Goditje grabitësve dhe gjyqtarëve që janë palë me ta

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte sot në Vlorë dhe mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes mbi çështjen e pronave nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Prokuroria e Përgjithshme, nga Avokatia e Shtetit dhe nga Policia e Shtetit.

Kreu i qeverisë theksoi se, “ky është një moment me shumë rëndësi në një proces që qeveria e ka renditur si prioritet që me marrjen e detyrës”.

Sipas kryeministrit Rama, në çështjen e pronave, “nga njëra anë është vënia në kontroll e situatës së trashëguar tërësisht kaotike dhe korruptive dhe nga ana tjetër përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit për këtë proces përmes krijimit të një Task–Force, e cila për një periudhë të konsiderueshme kohore ka marrë në shqyrtim gjendjen në qarkun e Vlorës si më problematiku në Shqipëri sa i përket situatës me pronën”.

Pas këtij pocesi, tha Rama, “jemi këtu për të çelur një fazë të re të kësaj marrëveshjeje ndërinstitucionale. Një fazë që garanton hedhjen në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve të pronës”.

“Prokurori tha se ky është një proces i zvarritur në vite dhe për këtë shumë i dëmshëm për vetë procesin e integrimit të vendit në BE. Do të thosha se ky proces, përveç se mbetet një detyrim madhor i Shqipërisë për të qenë shtet i së drejtës, është një prioriteti i yni në raportin që kemi me gjeneratat e tjera”, – tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “asnjë projekt strategjik zhvillimi, për të përmbushur këtë prioritet madhor që është zhvillimi ekonomik, nuk mund të na japë rezultate nëse zhvillimi ekonomik është hapësirë e shkëputur nga zhvillimi i pronës”.

“Në këto përpjekje gjatë kësaj periudhe të qeverisjes jemi njohur me fakte të tmerrshme dhe të pakontestueshme sesi janë vjedhur qindra mijëra hektarë tokë, duke përdorur dokumente të falsifikuara. Është vjedhur duke përdorur një lidhje të shkurtër mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor”, tha kryeministri Edi Rama, duke shtuar, se”kjo ka krijuar kushtet optimale për zgjerimin dhe intensifikimin e kancerit korruptiv në organizmin tonë”.

“Ana tjetër e medaljes,” – tha Rama, – “është çelja e kësaj faze të dytë përmes një operacioni shumë të thellë dhe të suksesshëm të goditjes së çdo akti të falsifikuar që ka prodhuar përmes veprës penale një interes të paligjshëm pasuror dhe një të drejtë tërësisht të falsifikuar mbi pronën. Dhënia fund e të gjithë kësaj historie skandaloze tejzgjatjeje dhe zvarritjeje përmes procedurave ligjore ka si parakusht goditjen e produkteve të veprës kriminale të tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se, “parashkrimi mund të shpëtojë autorët nga procesi penal, por kjo nuk mund të amnistojë produktin. Për këtë arsye marrëveshja e nënshkruar sot ka një rëndësi themelore për një proces të kthimit të pronës tek i zoti shtet apo qytetar”.

Duke iu referuar 4 institucioneve që nënshkruan marrëveshjen e sotme, Rama tha se, “këto 4 institucione kanë në dorë fatin e pronës në Shqipëri. Suksesi në këtë betejë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për integritetin moral dhe juridik të këtij vendi”.

“Kjo nuk është luftë vetëm kundër grabitësve, por edhe gjykatësve, të cilët janë bërë palë me grabitësit. Por kjo gjë do të ndryshojë dhe do të vendoset se kush e meriton të mbajë togën e gjykatësit dhe kush nuk e meriton togën e gjykatësit, madje meriton shumë më pak sesa qytetarët e lirë të këtij vendi”, theksoi kryeministri Rama.

SHKARKO APP