Nënkryetari i PD-së: Pranojmë qeveri tranzitore me kryeminisër të PS-së
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, deklaron se opozita do të mbështesë çdo iniciativë të qytetarëve për të bërë rezistencë ndaj qeverisë, përfshirë edhe qëndrimin e zgjatur rreth godinës së Këshillit të Ministrave.
Nënkryetari i PD-së thekson se protestuesit do të jenë në protestë deri në momentin që Kryeministri Rama do të pranojë të japë dorëheqjen. Ndryshe nuk ikin. Opozita pranon çdo figurë të PS për kryeministër të Qeverisë Tranzitore, mjafton të mos jetë Edi Rama apo ndonjë figurë e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar.
“Për mënyrën se si do të zhvillohet protesta, sigurisht do të ketë një vendimmarrje që do të merret gjatë këtyre ditëve, por nëse vendimi i qytetarëve do të jetë që ata të qëndrojnë aty, sigurisht që ne do t’i mbështesim. Qëndresë deri sa të japë dorëheqjen Kryeministri”, sqaron Spaho.
I pyetur lidhur me thirrjen e policisë për të mos bërë thirrje për dhunë dhe për t’u distancuar nga individë që mund të kërkojnë destabilitet, Spaho deklaron se të gjitha janë skenarë të përdorur nga Policia e Shtetit për të dekurajuar qytetarët të marrin pjesë në protestë. Numri dy i PD-së garanton se opozita do të marrë të gjitha masat për organizimin e një proteste paqësore dhe do të kujdeset për mbarëvajtjen e protestës.
“Janë skenarë të vjetër të Policisë së Shtetit. Qëllimi kryesor i tyre është të trembin qytetarët që do të marrin pjesë në protestën e 16 shkurtit, duke menduar se ata nuk do të vijnë. Asnjë skenar të tillë nuk ka nga ana e opozitës. Ne kemi marrë të gjitha masat që të garantojmë një protestë paqësore. Këtë gjë, Partia Demokratike e ka bërë në çdo protestë të thirrur prej saj në të shkuarën”, sqaron Spaho. Pakti i partive opozitare për të nënshkruar një platformë bashkëpunimi ka për synim kryesor krijimin e një qeverie të re tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së pranon se demokratët do të jepnin dakordësinë për një qeveri të re, me në krye një figurë të konsoliduar dhe me integritet brenda së majtës. Për opozitën, kriteri kryesor është që personi i propozuar të ketë kredibilitet për të mbajtur procese të rregullta politike e zgjedhore.
“Ne do të pranojmë një qeveri tranzitore me një Kryeministër socialist, mjafton që Edi Rama të largohet. Duhet të jetë një person me kredibilitet në krye të kësaj qeverie, që do të përgatisë një proces të rregullt zgjedhor. Unë nuk mund të hyj në emra të përveçëm, por e theksoj se duhet të jetë një person me kredibilitet dhe me staturë nga e majta”, deklaron Spaho.