Protestat kundër çmimeve, aktivisti Lapaj: Ky është limiti ku mban fuqia e qytetarëve
Rritja e çmimeve ka bërë që në Shqipëri të ketë protesta masive qytetare, edhe pse Policia tenton shpërndarjen e tyre. Juristi dhe aktivisti i njohur Adriatik Lapaj, thotë se rritja e çmimit të karburantit ishte limiti ku shqiptarët nuk mbajtën më, duke u hedhur në protesta kudo. Po ashtu ai nënvizon se problemi është te shteti që s’ka vizion tek burimet e veta dhe që ka ecur rropa-topa.
”Rritja e çmimit të naftës për 4 ditë ishte kulmimi i një problemi që vlon në xhepat e shqiptarëve, kur çmimet po pësojnë rritje të palogjikshme. Rritja e ushqimeve, e karburanteve mbi 35-40%, të gjitha këto u akumuluan dhe vjen një moment kur njerëzit nuk kanë më ça të kursejnë.
Ky është limiti ku mban takati i familjeve tona. Është e pamundur, pasi nuk e përballojnë më. Revoltën e kam ndjerë në çdo rrugë, në çdo komunitet. Rritja e çmimit të natës, i vendosi pikën mbi i pasi i pamundësoi njerëzve që të ikin në punë. Flitet se bileta e urbanit do të shkojë 80 lekë. Unë nuk e mohoj që ka ndikimin dhe lufta, por përsa kohë në vendet e tjera s’ka këtë rritje si te ne, është spekulim. Tregu duhet t’i kthehet rrugës së Zotit dhe klasa politike është e papërgjegjshme.
Jam pro ekonomisë private, por nuk shkon dhe kështu. Ose këta abuzojnë, ose të dalin dhe të thonë; kemi këto shpenzime. Edhe një grosist i madh duhet të dalë dhe të thotë; kjo është situata. Nëse problemi qëndron te një shtet që s’ka vizion të burimet e veta dhe ka ecur rropa-topa, atëherë kemi nevojë për ndryshim të madh, dhe kemi nevojë pe ndryshim ekonomi”,-tha në ”News 24”.