PS përjashton deputetin Prenga, Xhaçka: Prokuroria, tani të hetojë Bashën e Berishën
Deputetja, Olta Xhaçka në një deklaratë për mediat tha se Partia Socialiste dënon me forcën më të madhe sjelljet dhe veprimet që ishin pjesë e ngjarjes së turpshme në Laç, ku i përfshirë rezulton të ketë qenë edhe deputeti Armando Prenga. Ajo tha se Partia Socialiste e ka shpallur të mbyllur kapitullin e shëmtuar të historisë së pandëshkueshmërisë, qysh në ditën e parë të mandatit tonë qeverisës.
Xhaçka u shpreh se çdo anëtar të partisë sonë është e qartë se Partia Socialiste nuk është strehë ku mund të gjejë mbrojtje nga agjencitë ligjzbatuese cilido që shkel ligjin. Kjo është jo vetëm e qartë edhe për çdo deputet, po çdo deputet ka detyrë parësore ta mbrojë dhe promovojë me fjalë, sjellje dhe veprime, faktin se kultura e pandëshkueshmërisë që Sali Berisha ngriti në sistem për familjen dhe klanin e tij politik, ka vdekur bashkë me pushtetin e tij vrastar e të korruptuar.
“Ja pse Partia Socialiste e dënon me ashpërsinë më të madhe si plotësisht të papajtueshme me kulturën e saj të ligjit dhe me normat e veta të bashkëjetesës, përfshirjen e Armando Prengës në këtë ngjarje. Si shkelës i këtyre normave Armando Prenga ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e Partisë Socialiste, ndërsa si i dyshuar nga Policia e Shtetit për shkeljen e ligjit ai duhet të japë llogari përpara drejtësisë për çdo akuzë që rëndon mbi të. Në emër të Partisë Socialiste përshëndes Policinë e Shtetit për një tjetër prove bindëse të standardit të ri moral dhe profesional që ka vendosur në 21 muajt e fundit.
Nga ana tjetër dy fjalë edhe për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, që prej kohësh duhet të kishin dhënë llogari përpara organeve të drejtësisë për shumë më tepër shkelje të ligjit, se sa ato prej të cilave duan sot të nxjerrin kapital politik. Prandaj siç i bëjmë sot thirrje prokurorisë që të mos ndalet deri në zbardhjen dhe ndëshkimin e plotë të veprave penale të konsumuara në katrahurën e Laçit, të gjejë forcën morale dhe profesionale të hetojë deri në fund edhe Lulzim Bashën apo Sali Berishën veprat penale të të cilëve janë konsumuar ditën për diell, si edhe një sërë ministrash apo ofiqarësh të qeverisë Berisha, dosjet e të cilëve duhet të dalin nga sirtarët e prokurorisë”, tha deputetja e PS-së.