PS përjashton Sali Berishën nga negociatat për presidentin e ri: Do negociojmë me Alibeajn si kryetar grupi të PD
Sot Taulant Balla dhe Elisa Spiropali dolën në një konferencë shtypi ky se thanë votimi i parë për emrin e Presidentit të ri të Republikës, do të zhvillohet me datë 4 maj.
Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka bërë me dije se në negociatat për presidentin e ri nuk do të bëhen me Sali Berishën, por Enkelejd Alibeaj si kryetar i PD-së dhe kryetar grupi.
“Do i ftojmë grupet e opozitës, do propozojmë një takim të martën pasdite, me të tre kryetarët e grupeve, z.Alibeaj, znj.Doda e z.Mediu në një takim paraprak në zyrat e Kuvendit me qëllim që të nisim parimet kryesore të një dialogu me grupet parlamentare. Në 3 raunde kërkohet një shumicë e cilësuar, kjo parasheh të kemi një proces konsultimi me opozitën”, tha Balla.
Ndërkohë me ish-kryeministrin e PD-së që deri sot, sipas gjykatës së shkallës së parë, ai me Komisionin e Rithemelimit drejtojnë selinë blu, nuk do të ketë asnjë negociatë.
Komisioni i Rithemelimit të PD-së ka kërkuar shkarkimin e Enkelejd Alibeajt si kryetar grupi parlamentar, por që akoma nuk duket se kanë votat për ta larguar.
Kronika e ditës e konferencës së shtypit:
Taulant Balla tha: “Po kërkojmë dialog me grupet parlamentare në Parlamentin e Shqipërisë. Ka një traditë të konsoliduar parlamentare. Besoj që të tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës do e respektonin traditën. Unë fola për dialog. PS i ka numrat për të zgjedhur Presidentin e Republikës në raundin e 4-ët apo 5-ë. Ne duam që zgjedhja e Presidentit të jetë standard, ne duam që procesi i gjerë konsultimi mes vetes, me grupet parlamentare të opozitës, me publikun. Ajo që na duhet është të kemi një President Republike që të jetë një kryetar shteti që i ka hije Shqipërisë, që në qershor do të fillojë bisedimet për anëtarësinë. BE e ka kuptuar që duhet një përshpejtim të procesit. Natyrshëm që Presidenti i Republikës të respektojë palët, por mos të jetë palë mes palëve si ky që ka qenë. Procesi kulmon në një seancë plenare të posaçme. Nuk jemi për të bërë lista. Ne duam të identifikojmë se çfarë duhet të përfaqësojë dhe si të jetë Presidenti i ri i opozitës. Opozita mund të vijë me propozimin që të jetë një përfaqësues i tyre. Do të diskutojmë me ta se përse një President duhet të jetë mbi palët. Nuk ka kushte në këtë dialog me opozitën. Duhet të ulemi pa parakushte. Duhet një President që t’i ketë hije Shqipërisë. Në këtë aspekt, mos prisni që pas çdo procesi konsultimesh të themi kush janë emrat. Nuk shkon, duhet të kemi një proces dhe besojmë që Shqipëria ka vetëdijen për t’i dhënë Shqipërisë një president konsensual. Duhet pak durim, por do të arrimë të shkojmë ku duhet”, ishte ajo çka kërkoi Balla, si shef i grupit të deputetëve të PS.
Nga ana tjetër, ministrja Elisa Spiropali tregoi se do të grumbullojnë sa më shumë propozime, ndërsa në fund do të vendoset për atë që mendohet se do e drejtojë më mirë këtë detyrë.
“Nuk do të bëjmë sondazhe apo anketime, nuk do të nxjerrim preferencat. Nuk është ky roli ynë dhe nuk i shërben procesit. Ka një interes të shtuar, një shpërthim interesi për këtë proces që tregon se ka një përshije të publikut për t’i dhënë Presidencës një president ndryshe. Do marrim parasysh të gjitha ndjeshmëritë dhe më të rëndësishëm se emrat janë indetikitet. Cilësitë që duhen, distanca nga përfshirja në politikë, por jo përjashtimisht. Asnjë nga këto nuk është e përjashtuar. Në fund do të dalim me profilin, emrat. Në fund vendos Kuvendi. Do e bëjmë më së miri këtë detyrë duke marrë sa më shumë propozime dhe impute nga jashtë”, u shpreh Spiropali.
Në fund Taulant Balla sqaroi se “Nesër do të jetë hapi i parë i konsultimit me grupin parlamentar të PS-së, i cili do të udhëheqë këtë proces për herë të parë në mënyrë ekskluzive. Pasnesër pasdite në orën 17:00 do të ftoj kryetarët e grupeve parlamentare që sipas mundësisë që kanë të ulemi në një nga sallat e Kuvendit për një takim të parë. Nuk kanë ndodhur takime të tjera, ai do të jetë takimi i parë. Me ata do të ndajmë mënyrën se si do të ecim në këtë proces. Për pjesën tjetër mendoj se Kushtetuta e Shqipërisë e ka shprehur qartë dhe nuk ka nevojë për referendum. Kjo është hera e parë që në Shqipëri i kërkohen propozime konkrete qytetarëve”, përfundoi Balla.