PS: Ku i mori paratë ruse Lulzim Basha? PD: Sallatë ruse në tepsinë e Ramës
Deputetja e PS-së, Elisa Spiropali akuzoi sot Partinë Demokratike se me burime financiare nga oligarkët rusë ka zhvilluar takime në SHBA kundër integrimit të Shqipërisë .
Në një deklaratë për mediat, Spiropali thotë se “rrjeta e merimangës sipas investigatorëve amerikanë e ka zanafillën në xhepat e oligarkëve rusë dhe, madje, media në fjale insinuon drejtpërdrejt për një përzierje direkte të Kremlinit në politikën shqiptare, përmes Lulzim Bashës dhe PD”.
Sot PS në akuzat e saj tregohet e kujdesshme dhe në raport me Rusinë. “Ne nuk do të dëshironim asnjëherë një konflikt të kësaj natyre me Kremlinin për faktin e thjeshtë se, pavarësisht se Rusia nuk hyn ndër partnerët tanë strategjikë e as përbën një pikë referimi në politikën tonë të jashtme, ne kemi dëshiruar e dëshirojmë marrëdhënie pozitive tregtare e kulturore me atë shtet. Pra, të paktën për momentin, me kaq të dhëna sa kemi, nuk duam e as mundet të themi se prapa këtij zullumi të zi e të trashë të Lulzim Bashës është Kremlini. Koha do të na tregojë më shumë e do të kemi kohë të riflasim për këtë”,- tha Spiropali.
Deklaratë për media e nënkryetares së grupit parlamentar socialist, Elisa Spiropali:
Jemi përpara një situate shumë të rëndë, si Kuvend i Shqipërisë dhe si shtet madje. Historia e një pagese të errët të PD përmes një kompanie guaskë për të lobuar në SHBA, me qëllimin tanimë të njohur të nxirjes së imazhit të Shqipërisë në botë, ka hyrë në një fazë të re; edhe më të errët, edhe më shqetësuese, jo thjesht për një sërë veprash penale që ajo përmbante qysh në fillim, po për veprën e rëndë të bashkëpunimit me forca jo dashamirëse ndaj ëndrrës së Shqipërisë europiane.
Një media e njohur investigative amerikane ka publikuar një rrjetë merimange tronditëse të rrugës së parave të paguara nga PD, me dijeninë, vullnetin dhe firmën e Lulzim Bashës për të hapur një kanal balte deri në Uashington. Rrjeta e merimangës sipas investigatorëve amerikanë e ka zanafillën në xhepat e oligarkëve rusë dhe, madje, media në fjale insinuon drejtpërdrejt për një përzierje direkte të Kremlinit në politikën shqiptare, përmes Lulzim Bashës dhe PD.
Ne nuk e dimë nëse kjo e fundit, pra përzierja e Rusisë edhe në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, me qëllim futjen e mollës së sherrit mes Perëndimit e Lindjes, në mexhelisin e jetës sonë politike është e vërtetë. Por padyshim, as nuk mund të na mjaftojë dhe as mund të na bëjë të heshtim, qoftë reagimi i Ambasadës Ruse e qoftë reagimi i Partisë Demokratike ndaj medias amerikane.
Mbrëmë edhe prestigjiozja “New York Times” i është bashkuar zërit të medias investigative “Mother Jones” dhe ka publikuar faktet e paraqitura prej kësaj të fundit.
Për të mos lejuar asnjë keqkuptim, ne nuk do të dëshironim asnjëherë një konflikt të kësaj natyre me Kremlinin për faktin e thjeshtë se, pavarësisht se Rusia nuk hyn ndër partnerët tanë strategjikë e as përbën një pikë referimi në politikën tonë të jashtme, ne kemi dëshiruar e dëshirojmë marrëdhënie pozitive tregtare e kulturore me atë shtet. Pra, të paktën për momentin, me kaq të dhëna sa kemi, nuk duam e as mundet të themi se prapa këtij zullumi të zi e të trashë të Lulzim Bashës është Kremlini. Koha do të na tregojë më shumë e do të kemi kohë të riflasim për këtë.
Ama, as overdoza e budallallëkut të Lulzim Bashës – që sa herë duhet të përgjigjet për çka i detyrohet shpjegime popullit shqiptar dhe vetë elektoratit të PD-së, nxjerr një çarçaf akuzash për paratë e drogës që po blikan botën për të luftuar Lulzim Bashën – nuk ka ku rri më as në qiell as në tokë. Kjo nuk është nga ato çuditë që zgjasin tri ditë dhe as nga ato sms-et habitore që këmbehen në bankat e grupit parlamentar të PD-së, gjëra për të cilat Lulzim Basha e PD bëjnë shurdhin e qorrin teksa ekspozojnë si gjethe fiku çarçafët e tyre të pistë kundër Edi Ramës dhe qeverise sonë.
Këtu kemi të bëjmë me një krim politik, financiar dhe, mos e dhëntë Zoti, edhe kombëtar, për të cilin Lulzim Basha duhet të përgjigjet pa u fshehur pas çarçafëve të zhgarravitur me overdozën e baltës së budallallëkut të një opozite pa kokë, pa këmbë, pa program, pa skuadër, pa gjë prej gjëje tjetër përveç urrejtjes, mllefit, dëshpërimit.
Lulzim Basha duhet të thotë ku u gjenden ato para që u paguan në emër të PD-së. Pse ato para kaluan nga kanali i errët i një shoqërie guaskë? Me Kremlin pa Kremlin, kjo nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë mes, sepse paratë i ka paguar Lulzimi dhe i ka kaluar përmes guaskës në një ishull offshore, në shkelje të hapur të ligjeve të shtetit shqiptar dhe jo vetëm të shtetit shqiptar, po edhe të shtetit amerikan, sepse përndryshe askush në SHBA nuk do të harxhonte kohë dhe energji për të hetuar këtë zullum të madh.
Lulzim Basha nuk mund të fshihet pas çarçafit të radhës, as pas mëdyshjes nëse është a s’është Rusia në këtë mes, sepse e përsëris, me Rusinë a pa Rusinë si shtet të përfshirë, çështja mbetet e madhe sa një elefant në mes të mexhelisit të politikës e të shoqërisë sonë sot.
Ne nuk kemi ndërmend as të heshtim e as të rrimë duarkryq, në pritje që Lulzimi të dalë nga prapa çarçafit ku është fshehur dhe të tregojë të vërtetën, qoftë përpara publikut a qoftë përpara drejtësisë. Sot Shqipëria dhe shqiptarët duan të dinë të vërtetën e kësaj historie, që ka nisur në xhepat e oligarkëve rusë e ka përfunduar në kamionët e baltës së opozitës shqiptare kundër Shqipërisë në Uashington. Po edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë meritojnë të dinë të vërtetën, ndërkohë që Shqipëria pret të çelë negociatat me BE, ndërsa opozita e saj është nën akuzë jo në Shqipëri, po edhe në median investigative amerikane, për të paktën krimin e pastrimit të parave, krimin e financimit të paligjshëm në SHBA përmes futjes së parasë së huaj për qëllime politike dhe krimin e bashkëpunimit me elementë të huaj, tejet të dyshimtë në qëllimet e tyre ndaj Shqipërisë, për llogari të luftës së brendshme politike.
Reagon Partia Demokratike:
Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa ka reaguar sot për deklaratat e Partisë Socialiste lidhur me financimin e aktiviteteve të Lulzim Bashës në SHBA, nga kompania ruse.
Zhupa tha se shkrimi i medias amerikane “Modher Jones” u financua nga Edi Rama për të dëmtuar kreun e PD, Lulzim Basha me aludime të paqena.
Zhupa sulmon dhe deputeten e PS-së, Elisa Spiropali duke e komentuar deklaratën e saj si një sallatë ruse.
Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa
“Shkrimi i publikuar në Mother Jones, një media ekstremiste e majtë e njohur për qëndrimet e saj anti-Trump, është financuar nga Edi Rama me para të paligjshme.
Shkrimi është pjesë e një fushate të qëllimshme për të mbuluar kokainën dhe lidhjet e familjes Rama me të.
Akuzat me rusë të artikullit janë thellësisht qesharake, por për t’i bërë edhe më qesharake, sot ato i ripërcolli Elisa Spiropali.
Elisa, e cila nga puna në doganë duket se ka krijuar një njohje të veçantë për oligarkët, ka bërë sot një sallatë ruse me oligarkë dhe Kremlin.
Është shenjë e nivelit të turpshëm të korruptimit dhe inkriminimit të Partisë Socialiste fakti që ruajtësja e nderit në PS është bërë Elisa Spiropali. Por është akoma më e rëndë që një parti e tërë po angazhohet përherë e më shumë në mbrojtje të drogës dhe të krimit.
Edhe ky cikël akuzash të mercenarëve të paguar me paratë e kontrabandës dhe trafikut që kur Elisa ishte Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, do të diskretitohen.
Ajo që mbetet është ajo që ka rëndësi – Saimir Tahiri si trafikant dhe familja Rama e përfshirë në tregtinë e kokainës. Këta janë rreziku i destabilizimit të Shqipërisë”.
Ja se çfarë shkruan sot “Zëri Amerikës”:
Në Shqipëri, Partia Demokratike hodhi poshtë të mërkurën një shkrim të botuar në revistën amerikane “Mother Jones” lidhur me fondet, që kjo parti ka paguar për aktivitete të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.
Artikulli ngre dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me bazë në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. “Makina e propagandës së Edi Ramës ka prodhuar dje një shkrim me pagesë në një media të majtë të dorës së dytë për të shpifur për financimin e Partisë Demokratike. Shkrimi është qesharak për nga përmbajtja dhe skandaloz për nga fallsifikimi i fakteve dhe kapërcimet logjike”, thuhet në deklaratën e PD-së, duke theksuar se ajo nuk ka asnjë lidhje me individë apo kompani ruse.
Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e kaluar, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.
Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat janë të paqarta.
Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas investigimit të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.
Në deklaratën e saj PD thekson se ajo “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.
Megjithatë mbetet i paqartë angazhimi i “Biniatta Trade LP” në favor të Partisë Demokratike, duke paguar 150 mijë dollarë. “Muzin Capitol Partners” deklaron se është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politikë në Shtetet e Bashkuara”.
Sipas ligjeve shqiptare, partitë duhet t’i deklarojnë në KQZ shpenzimet për aktivitetet e tyre. Në dokumentacionin e dorëzuar nga PD në KQZ, rezulton se ajo ka paguar 100 mijë dollarë për një firmë tjetër lobuese në ShBA, “Barnes&Thornburg”. Deklarimi i PD-së, nuk përfshin kompensimet e tjera që firma Muzin i ka deklaruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë se i ka marrë nga PD-ja (500 mijë dollarë), ose për punë në favor të saj (150 mijë dollarë nga Bienatta).
Për herë të parë çështja shpenzimeve të padeklaruara nga PD-ja, u zbardh nga një shkrim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, në nëntor të vitit të kaluar. Në reagimin e saj Partia Demokratike theksoi se “Kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane”.
Por gati një muaj më pas, gjatë emisionit “Opinion”, në TV Klan, zoti Basha do të jepte shpjegime dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh për “Muzin Capitol Partners”. “Kjo kompani ka marrë dhe kontribute të tjera. Ka marrë një kontribut me një shumë prej 500 mijë dollarësh, përmes një skeme plotësisht në përputhje me ligjin amerikan, nga shqiptaro-amerikanët që kanë bërë grumbullim fondesh. Ky është një transaksion i drejtpërdrejtë, mes këtij fondi dhe kompanisë së lobimit. Këto para as nuk kanë ardhur në PD dhe as nuk janë paguar nga PD”, u shpreh zoti Basha, sipas të cilit kanë qenë të paktën 100 shqiptaro-amerikanë që kanë kontribuar për këtë fond.
Mbetet ende e paqartë kjo mospërputhje faktesh, ku “Muzin Capitol Partners”, deklaron se është paguar nga PD-ja, ndërsa zoti Basha deklaron se pagesa është bërë nga shqiptaro-amerikanët.
Për ta komplikuar çështjen edhe më tej, një shifër prej 500 mijë dollarësh, përmendet edhe në kontratën fillestare midis firmës Muzin dhe firmës “Biniatta Trade LP”, të depozituar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, si një pagesë që Biniatta duhet t’ia bënte firmës Muzin.
Si përmbledhje, PD ka deklaruar në KQZ 100 mijë dollarë për firmën “Barnes&Thornburg”, zoti Basha ka pranuar edhe 25 mijë dollarë pagesë për firmën Muzin, ndërkohë që mungojnë nga deklarimet në KQZ 150 mijë të bëra për PD-në nga Biniatta dhe 500 mijë, që Muzin thotë i ka bërë PD, ndërsa PD pretendon se i ka paguar komuniteti shqiptaro-amerikan.
Në fund të nëntorit, kur çështja u bë publike, Prokuroria e Tiranës, njoftoi se kishte nisur verifikimet dhe se kishte kërkuar dokumentacionet përkatëse si nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për deklarimet e PD-së, ashtu dhe nga vetë Partia Demokratike për të marrë kontratat e e lidhura me kompanitë amerikane. Por për rezultatet e këtyre verifikimeve nuk ka patur deri më tani asnjë njoftim zyrtar.